Mes nesh
plot 20 vjet moshë
mes buzëve të tua dhe buzëve të mia
kur ato puqen dhe prehen
vitet përmbysen
qelqi i krejt një jete thërrmohet.

Ditën që të takova bëra copa
gjithë hartat e mia
gjithë parashikimet e mia
si një hamshor arab nuhata rreshjet e tua
para se t’më njomnin
ndjeva rrahjen e zërit tënd
para se t’më fliste
zhbëra flokët e tu me dorën time
para se t’i gërshetoje.

Hiç s’kam ç’t’i bëj
hiç s’ke ç’t’i bësh
çka mund të bëjë plaga
me thikën drejtuar saj.

Sytë e tu janë si një natë me shi
në të cilën anijet fundosen
dhe gjithë çka shkruaj harrohet.
S’ka kujtesë në pasqyra.

Zot si i dorëzohemi kështu
dashurisë e i japim drynin e qytetit tonë
shpiem qirinj atje dhe temjan
i ulemi gjer në gjunjë e i lutemi
të na falë.
Pse s’reshtim së e kërkuari ende
pas gjith’ çka na bëri,
pas gjith’ çka na bëri?

Grua në zërin e së cilës
argjendi dhe vera trazohen
nën shi.
Prej pasqyrës së këmbëve të tua
dita nis rrugëtimn’ e saj
që jeta çon drejt detit.

Kur të thashë se
të dua
e dija se po shpikja një alfabet të ri
për një qytet në të cilin kërkush s’lexon
se po recitoja vargjet e mia
në një teatër krejt të zbrazët
e po u hidhja verë
atyre që kurrë s’mund
ta shijonin.

Kur Zoti më dha ty
them se Ai më ngarkoi
gjithçka rrugës
dhe mohoi gjithë librat e tij të shenjtë.

Cila je ti
grua që hyn në jetën timë si gërmues
butësisht si sytë e lepurit
ëmbëlsisht si lëkurë e kumbullës
e dëlirë si fijet e jaseminit
e panjollosur si gushorja e fëmijës
dhe përpirëse si fjalët?

Dashuria jote më plas përdhè
në një trevë habie
më zë pritë bash si aroma
e gruas teksa hipën në ashensor
më befason
në një kafene
ulet përmbi një vjershë
harrova vjershën
më befason
teksa lexon vijat në pëllëmbën time
harrova pëllëmbën
lëshohet drejt meje si një shpend i egër
i shurdhët i verbër
pendët e tij kokolepsen me të miat
thirrmat e tij pleksen me të miat.

Më befason
teksa rri ulur mbi valixhen time
dhe pres trenin e ditëve.
Harrova ditët
udhëtoj me ty
drejt trevës së habisë.

Shëmbëllimi yt është gdhendur
mbi fytyrën e sahatit tim.
Është gdhendur në secilën dorë timen.
Është skalitur në javët
muajt vitet.
Koha ime s’është më imja
ajo është ti.

Në shqip: Edon Qesari