Xhonatan Kaller (Jonathan Culler) është kritik amerikan dhe profesor i anglishtes në Universitetin e Kornellit. Libri i tij, “Poetika strukturaliste”, është shpërblyer me “Lowell Prize” dhe i ka krijuar autorit të saj reputacionin si një ndër kritikët më të njohur. Libri tjetër i tij, “Teori letrare: një hyrje shumë e shkurtë” është përkthyer në 26 gjuhë, përfshirë edhe gjuhën shqipe.

Profesor Xhonatan Kaller ka qenë president i Shoqatës Amerikane të Letërsisë komparative dhe shef i departamenteve të Anglishtes, Letërsisë komparative dhe studimeve të gjuhëve romane në Kornell. Nga viti 2001 është anëtar i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave, kurse nga viti 2006 është anëtar i Shoqatës Filozofike Amerikane. Tash punon si sekretar i Këshillit Amerikan të Shoqatave Mësimore dhe si shef i Këshillit të Nju Jorkut për Shkencat Humane. Xhonatan Kaller është bir i kritikut Duajt Kaller (1917-2006), i cili njihet si autor i librave “Intelekti perandorak”, “Pasqyra viktoriane e historisë”, “Poezia e Tenisonit” etj.

Në intervistën e dhënë ekskluzivisht për lexuesit shqiptarë (në “Symbol”, nr. 11, 2017), Kalleri flet për fillimet e tij në kritikë, për vitet e studimit, për kontaktin me strukturalizmin, për lidhjen me Francën dhe kritikën franceze, për Bob Dillanin dhe për çmimin Nobel.

Intervistoi: Ag APOLLONI

 Profesor, si keni filluar me kritikë? Keni qenë i motivuar nga babai juaj, Duajt Kaller, apo ju ka ardhur si shtysë e brendshme?

XHONATAN KALLER: Kush e di se çfarë na motivon në skutat e mendjes? Është gjithmonë e vështirë ta thuash. Sigurisht që nuk kisha ambicie të hershme për të bërë kritikë letrare. Kam kaluar një vit në Angli pasi kisha mbaruar shkollën e mesme dhe atje kam pasur një mësues shumë dinamik të anglishtes, i cili u interesua për mua; edhe studimet letrare në atë shkollë ishin shumë të ndryshme nga ato në shkollat e mesme amerikane – shumë më të fokusuara dhe intensive. Në Harvard u diplomova për Histori dhe Letërsi. Kurset e letërsisë m’u dukën më interesante sesa kurset e historisë dhe, kur fitova një bursë në Rhodes për Oksford, vendosa të studioja Letërsinë Krahasuese. Por ndërkohë në Angli aplikova për një punë verore në kompaninë konsulente të menaxhimit, MekKinsi, dhe nëse do të më kishin pranuar, mund të kisha shkuar në botën e biznesit.

Ju jeni shkolluar në Harvard, mandej në Oksford, ku jeni njohur me teoritë franceze. A mos është ky kalim nga njëri universitet te tjetri njëkohësisht edhe kalim nga Kritika e Re (Amerikane) në Strukturalizëm?

KALLER: Jo, përderisa trajnimi im kryesor në Harvard ishte me mësuesit që ishin simpatizues të Kritikës së Re (sigurisht një përpjekje e pakicave në Harvard në vitet 1960), unë u njoha me fenomenologjinë dhe strukturalizmin në Harvard në një kurs mbi Tendencat në Kritikën Letrare, të mbajtur nga Xhozef Frenk, një profesor vizitor nga Princetoni, në vjeshtën e vitit 1965. Kur vazhdova të punoj në Letërsinë Krahasuese në Oksford, bëra një tezë të shkurtër (e nevojshme për bachelor) mbi fenomenologjinë dhe kritikën letrare, të fokusuar te Merlo-Ponti dhe kritikët e Shkollës së Gjenevës (Pule, Rishar, Starobinski etj). Leximi i kritikëve bashkëkohorë francezë ishte ai çka me të vërtetë më interesonte te strukturalizmi (Barti, Zheneti), por në të vërtetë nuk kishte asnjë në fakultetin e Oksfordit që të ishte i interesuar ose i informuar mbi strukturalizmin. Kur vendosa pas bachelor-it të qëndroja në Oksford dhe t’i ndiqja studimet doktorale, mendova të përqendrohesha te strukturalizmi, por sigurisht nuk do të ma pranonin një temë të tillë në Fakultetin e Gjuhëve Moderne, nëse Stiven Ullman, një ekspert në stilistikën e gjuhës, nuk do të ishte zgjedhur Shef i Gjuhëve Romane. Ai kishte interesa të gjera në marrëdhëniet midis kritikave gjuhësore dhe letrare dhe i shkrova atij para se të vinte në Oksford, duke e pyetur nëse do të pajtohej ta mbikëqyrte një disertacion mbi përdorimin e modeleve nga gjuhësia strukturaliste në kritikën letrare dhe ai qe dakord. Fakulteti nuk mund ta refuzonte kurrsesi nxënësin e parë të njeriut që sapo e kishin zgjedhur shef.

Gjatë viteve kur punoja me Ullmanin, nuk kishte njeri tjetër në Oksford që interesohej apo që dinte diçka rreth strukturalizmit, dhe kjo ishte mjaft e rëndësishme për mua. Ndjenja se dija më shumë për këto gjëra sesa kushdo tjetër në Oksford (madje as Ullmann-i nuk ishte në rrjedha, thjesht ishte i interesuar për temën) më dha shumë besim për të shkruar recensione për botimet e reja dhe pa dyshim më ndihmoi ta përvetësoj një ton autoritar në “Poetikën strukturaliste”.

A ishte doktorata juaj konkretizim i bindjeve të strukturalistëve (natyrisht, së pari i formalistëve) mbi studimin e letërsisë si fakt gjuhësor?

KALLER: Teza e doktoratës, nga e cila doli pastaj “Poetika strukturaliste”, flet për zbatimin e drejtpërdrejtë të modeleve gjuhësore në gjuhën e letërsisë, si te Roman Jakobson, por i kushton më së shumti vëmendje analogjisë midis gjuhësisë dhe poetikës dhe kështu realisht nuk e trajton letërsinë si një fakt gjuhësor.

Librat tuaj, “Floberi”, “Poetika strukturaliste”, “Sosyri”, “Barti”, kanë objekt francezët. Cili ka qenë kontakti juaj i parë me Francën dhe si u bë letërsia franceze tema juaj e preferuar?

KALLER: Kam kaluar tre muaj në Francë në vitin 1962, para se të hyja në Harvard, dhe kam vazhduar ta studioja letërsinë franceze, së bashku me atë angleze dhe italiane, gjatë viteve të mia atje. Është fakt se strukturalizmi ishte kryesisht frengjisht, çka më detyroi ta bëja tezën time të doktoratës në Fakultetin e Gjuhëve Moderne, në frengjisht, dhe jo në anglisht, dhe më pas të isha në gjendje ta gjeja një punë si mësimdhënës i frengjishtes në Kolegjin Seluin të Kembrixhit, çka do të thotë se po e kaloja kohën duke mësuar letërsi franceze. Gjatë pesë viteve në Kembrixh, bëra dy herë aplikimin për t’u angazhuar si mësimdhënës në fakultetin e anglishtes dhe në Kembrixh, dhe isha shumë afër për ta kaluar pragun e konkursit (“Poetika strukturaliste” ishte në interes të Rejmond Uilliamsit, Graham Hafit dhe të të tjerëve në fakultetin e anglishtes), por, në fund, ata zgjodhën dikë tjetër. Libri im “Floberi” erdhi më shumë se rastësisht. Graham Hafi po krijonte një seri studimesh kritike mbi romancierin e madh për një botues të ri, Elek Books, dhe na ftoi disa prej studiuesve të rinj për të takuar përfaqësuesin e botuesit, i cili kërkoi prej secilit prej nesh t’i thoshim nëse kishim ndonje autor për të cilin do të donim të shkruanim ndonjë libër. Po mësoja rregullisht Floberin dhe kënaqesha duke punuar për të, kështu që thashë “Floberi” dhe u ftova të paraqisja një propozim, të cilin e pranuan.

Më pas gjeta një punë si mësimdhënës universitar në frëngjisht dhe si lektor në Kolegjin Brasenos, në Oksford, ku kalova gjithë kohën duke dhënë letërsi franceze, kështu që përgjigjja e thjeshtë është e dyfishtë: tetë vitet e para si mësues, mësova letërsi franceze, dhe kjo më futi në këto ujëra; po ashtu, lëvizjet teorike që veçanërisht më interesonin ishin ato të francezëve. Që nga viti 1977, megjithatë, kam punuar si profesor i anglishtes dhe i letërsisë krahasuese dhe kam qenë i lirë të punoj çfarëdo që më ka interesuar.

Librat tuaj kritikë njihen gjithandej, janë përkthyer në mbi njëzet gjuhë dhe përdorur nëpër shumë universitete. Ndoshta libri më i famshëm është “Poetika strukturaliste”, i konsideruar si një prej prezantimeve të para të lëvizjes strukturaliste frënge në anglisht. Si e zgjodhët këtë objekt (të pazakonshëm për amerikanët) dhe si e shkruat?

KALLER: Siç e përmenda më lart, vendosa të qëndroja në Oksford për të bërë një doktoratë dhe po kërkoja një temë. Një ide e kisha që të punoja në Kolegjin e Sociologjisë në Francë (një grup interesant i intelektualëve surrealistë: Rozhe Kajua, Mishel Lerís, Zhorzh Bataj). Tjetra ishte që të lëvizja nga fenomenologjia (tema ime e diplomës) kah lëvizja tjetër kryesore kritike, strukturalizmi (drejtim me interes të madh në Francën e asaj kohe – 1968). Nuk më pëlqente fare një person i fakultetit me të cilin do të ishte logjike të punoja në Kolegjin e Sociologjisë, kështu që kur Ullmani ra dakord të drejtonte tezën time mbi strukturalizmin, unë e zgjodha atë temë. Bëra gabim që fillova me Levi-Strosin, i cili ishte figura e parë e madhe jashtë gjuhësisë që identifikohej me strukturalizmin dhe që nisa me veprën e tij të parë të madhe, “Strukturat elementare të fisit”, një libër mjaft teknik. Kam kaluar shumë kohë duke mësuar rreth antropologjisë dhe duke e studiuar atë vepër dhe kam shkruar rreth 80 faqe të cilat kurrë s’u futën në disertacion. Por, nëse e përjashtojmë këtë fillim të gabuar, pjesa tjetër që shkrova për disertacionin ishte e vlefshme për t’u botuar edhe si libër. Ndryshimi kryesor ishte heqja e të gjitha referencave të jashtme, qasjeve jo-strukturaliste në këtë apo atë temë të cilat mbikëqyrësi im më kishte kërkuar t’i fusja në disertacion, në interes të studimit më gjithëpërfshirës të përdorimeve të gjuhësisë në kritikën letrare.

Nga cilat rrethana është diktuar strukturalizmi?

KALLER: Shumë gjëra janë shkruar mbi rrethanat që ndikuan në ngritjen e strukturalizmit, por unë me të vërtetë nuk dua të hyj në ato debate dhe nuk di se sa e rëndësishme është për llojin e poetikës që promovon “Poetika strukturaliste”, e cila në retrospektivë duket mbi të gjitha një përpjekje për të sistemuar, për të llogaritur, llojin e kompetencës letrare që shfaqet në traditën e interpretimit letrar, gjë që zakonisht nuk ishte ajo që strukturalistët francezë mendonin se po e bënin.

Në “Përtej interpretimit”, ju keni një qasje tjetër nga qasja që ka Susan Sontagu te “Kundër interpretimit”. Ju jeni pro interpretimit, por në këtë qëndrim pozitiv jeni origjinal kur thoni: “Të angazhohesh në studimin e letërsisë nuk do të thotë të bësh edhe një interpretim më shumë mbi Mbretin Lir, por të çosh përpara kuptimin e konventave dhe veprimtarive të një institucioni, të një mënyre diskursi.” Cili është roli i interpretimit dhe i teorisë në përgjithësi?

KALLER: Është e vërtetë se Sontagu dhe unë ndryshojmë në atë që propozojmë. Ajo dëshiron të promovojë një vlerësim më efektiv të veprave për lexuesit e të gjithë llojeve, ndërsa siç thoni ju, unë debatoj për atë që duhet të marrë përparësi në studimet letrare. Unë nuk do të thosha se jam pro interpretimit në atë artikull; e kuptoj se sigurisht ai do të vazhdojë, pavarësisht çka them unë. Unë vetëm përpiqem t’i ndryshoj prioritetet. Sa i përket rolit të interpretimit, meqë veprat letrare na tregojnë për botën, është e natyrshme që lexuesit të jenë të interesuar në atë që thonë ato. Çdo libër interpretues mund të jetë gjithashtu një burim kënaqësie në studimet letrare. Por unë mendoj se në gjysmën e fundit të shekullit XX, interpretimi u bë qëllim në studimin e veprave letrare. Kjo është diçka mjaft e re. Asnjë nga kritikët e mëdhenj para shekullit XX nuk shpenzonte kohën në interpretimin e veprave letrare. Kritika zakonisht është vlerësuese, ose përqendrohet në natyrën e letërsisë në përgjithësi dhe në rëndësinë e saj kulturore. Dhe në studimin e letërsisë para shekullit XX studentët bënë shumë gjëra të tjera në vend se t’i interpretonin ato: i përkthyen, i imituan, i përshkruan strukturat dhe komponentët e tyre formale dhe retorike. Unë mendoj se interpretimi duhet të shihet si një mënyrë për t’u ballafaquar me letërsinë mes të tjerash.

Sa ndihmon letërsia krahasuese në studimin e letërsisë së vendeve të vogla dhe sa ndihmon në njohjen e tyre? Çfarë mendoni për letërsinë e krijuar në Ballkan?

KALLER: Natyrisht, ka komparatistë të cilët e studiojnë letërsitë e vendeve të vogla dhe që mund t’u ndihmojnë atyre të bëhen më të njohura. Nga ana tjetër, meqenëse komparatistët po tërheqin edhe letërsinë më të rëndësishme, mund t’i lënë pas dore veprat e vendeve të vogla, çfarë më ka ndodhur sigurisht edhe mua. Ka aq shumë vepra në anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht saqë nuk jam tunduar të shikoj diku tjetër, sidomos te gjuhët që nuk i njoh. Kam frikë se nuk e njoh letërsinë e Ballkanit.

Në “Teoria e lirikës”, ku eksploroni parametrat e zhanreve nga Safo deri te Ashberi, keni vërejtur kufijtë e lirikës në dy modele dominante. Cilët janë kufijtë dhe çfarë është perspektiva e lirikës në shekullin 21?

KALLER: Kufizimet për të cilat flas në “Teorinë e lirikës” janë kufizime në modelet me anë të të cilave njerëzit në botën angleze e përfytyrojnë tekstin – atë që unë e quaj modelin romantik të vetë-ekspresivitetit intensiv nga poeti dhe modeli i ri kritik i lirikës si imitim fiksional i një akti të të folurit, një akt i të folurit nga një person imagjinar. Nuk e di saktë se sa mendon vetë poeti i shekullit XXI në shkrimin e lirikës së traditës – pa dyshim ai ndryshon nga vendi në vend. Sigurisht ka shumë që i rezistojnë bashkimit të poezisë me melodinë, muzikën dhe kështu me radhë.

Derisa lirika sipas etimologjisë është një fjalë që i referohet një instrumenti (lyrës), çfarë mendoni për marrëdhënien midis muzikës dhe letërsisë?

KALLER: Nuk kam ndonjë pikëpamje për lidhjen ndërmjet letërsisë dhe muzikës në përgjithësi, por mendoj se modeli i këngës, sidomos i këngëve të popullarizuara, është i vlefshëm për të menduar rreth lirikës. Njerëzit i gëzohen gjuhës ritmike të këngës dhe mund të zhvillojnë njohuri të konsiderueshme, njohuri pa shpenzuar kohën e tyre në interpretim, ndërsa studimet letrare në ditët tona e kanë kthyer poezinë në objekt që ekziston për t’u interpretuar më shumë sesa të përsëritet, të kënaqë, të modifikohet. Duke pasur parasysh lidhjet mes lirikës dhe muzikës së popullarizuar, është një antidot i vlefshëm për disa drejtime të studimeve letrare të cilët shpesh kanë bërë që studentët të besojnë se atyre nuk u pëlqen poezia.

 A e lexoni, apo e dëgjoni letërsinë e Bob Dillanit dhe çfarë mendoni për të?

KALLER: Po, unë kam qenë një adhurues i madh i Dillanit, këtij talenti të jashtëzakonshëm krijues, këngët e të cilit mendoj se do të jetojnë. Mendoj se ai është i denjë për çmimin Nobel, por më vjen keq që i është dhënë atij, pasi ky çmim do të thotë shumë pak për të (ai s’e kishte problem për t’u bërë i njohur), ndërsa Nobeli do ta bënte të njohur cilindo poet tjetër që do ta pranonte çmimin. Është veçanërisht e vlefshme kur ky çmim i jepet një poeti nga një vend i vogël, për t’u kthyer në pyetjen tuaj të mëparshme, i cili papritmas do të bëhej botërisht i famshëm dhe do të përkthehej në shumë gjuhë.

Rolan Barti ka folur për kënaqësinë e tekstit. Borhesi këmbëngulte në kënaqësinë e leximit. Sa ju kënaq letërsia që po krijohet sot dhe a keni vërejtur ndonjë tendencë të re letrare në shekullin tonë të ri?

KALLER: Unë nuk jam ndonjë lexues i madh i letërsisë bashkëkohore. Ka aq shumë letërsi të mirë të së kaluarës për t’u lexuar. Nuk jam në rrjedha me trendet bashkëkohore letrare.