Mësimdhënësit në të gjithë vendin kanë mbajtur grevë në orën e parë të mësimit, duke kërkuar nga ekzekutivi, respektimin e kontratës së nënshkruar gjatë fushatës elektorale.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se mbajtja e grevës ishte e detyrueshme.

Jasharaj ka paralajmëruar se nëse nuk ka lëvizje, do të radikalizohen veprimet sindikale duke mos e përjashtuar edhe protestën.

E, nxënësit e ciklit të ulët, nuk kuptojnë nga greva. Por, ata shprehen se kurrsesi nuk duan ta humbin mësimin, njofton KTV.

Mësimdhënësit thonë se iu vjen keq që nuk e kanë mbajtur orën e parë, por thonë se ndihen jo të përkrahur nga Qeveria.

Ndërsa, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka paralajmëruar se gjatë ditëve të ardhshme do të takohet me përfaqësuesit e SBASHK-ut, për trajtimin e kërkesave që i shtyri mësimdhënësit të mbajnë grevë në orën e parë të mësimit.