Nga Mehmet Elezi

1.

Nuk po ndalem te shkrimet e përkthyera me Google Translation ose me metodologji të ngjashme. Fjali e paragrafë, që s’kuptohen fare.

Ka raste të tjera, kur fjalitë kuptohen, por kuptimi tjetërsohet. Ose shpërfytyrohet.

2.

Edhe një vlerësim amerikan për Kadarenë, pikërisht në gazetën Washington Post. Për cilën vepër bëhet fjalë? Sipas shkrimit të përkthyer në një të përditshme të Tiranës, Kadareja paska shkruar roman të ri. Titulli: “Vajza në mërgim, Rekuiem për Linda B”. Me gjasë vijim i romanit të mëparshëm “E penguara Requiem për Linda B.”.

Brendia e shkrimit përgënjeshtron, nuk qenka roman i ri.  Është ai, i mirënjohuri. Pse ia ndryshojnë titullin veprës në gjuhën e vet amtare?

Skema rindërtohet lehtë. Përkthyesi amerikan kishte gjetur togfjalëshin që përcjell në anglisht kumtin dhe emocionet e fjalës e penguara.  Përgatitësi i shkrimit në shqip s’e ka marrë titullin në shqip, por e ka ripërkthyer fjalë për fjalë prej të përditshmes Washington Post! Për pasojë? Është ndryshuar titulli, është tjetërsuar thelbi i romanit. Sepse Linda B. e Kadaresë nuk është “në mërgim”. Ajo është në internim. Nē gjuhën shqipe largësia ndërmjet mërgimit dhe internimit është sa largësia ndërmjet botës së lirë dhe diktaturës.

3.

Pse merren fjalët si tullat, pa e vrarë mendjen për kontekstin? Gjatë përkthimit të fjalisë së dytë harrohet si është përkthyer e njëjta fjalë në fjalinë e parë.

Lajm “sensacional”: “Xhaxhai i Kate Middleton është fotografuar duke… Vëllai i nënës së Kate Middleton është fotografuar në një moment të sikletshëm…”.

Vihet re: i njëjti njeri në fjalinë e parë është vëllai i babës (“xhaxhai i Kate Middleton”), në fjalinë e dytë bëhet “vëllai i nënës”. Në anglisht – si në frengjisht e në disa gjuhë të tjera – përdoret e njëjta fjalë për xhaxhain dhe për dajon. Të dy janë uncle (fr. oncle). Por në shqip xhaxha dhe dajo janë fjalë dhe njerëz të ndryshëm.

4.

Një reagim nga Skocia. Nga kush? Nga një ministre. Por… “ministre e parë”! “Ministrja e parë e Skocisë, Nikola Sturgeon… ka deklaruar…”.

Nikola Stërxheon (Nicola Sturgeon) në Skoci është më shumë se ministër. Posti i saj qeveritar në anglisht quhet first minister. Fjalë për fjalë: ministër i parë. Edhe kryetari i qeverisë në anglisht quhet prime minister, fjalë për fjalë: ministër i parë. Të dyja përkthehen kryeministër.

Mbase kryetari i qeverisë skoceze nuk quhet prime minister, por first minister (edhe pse fjalë për fjalë e njëjta gjë), për të mos u ngatërruar dy institucionet, kryeministri i Skocisë me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar. Veç kësaj, kompetencat e qeverisë skoceze janë më të kufizuara. Skocia ka një shkallë autonomie nga Londra, por s’është e pavarur.

Gjithsesi Zonja Stërxheon, e quajtur first minister, është kryetare qeverie. Në frengjisht e përkthejnë “première ministre”, pra kryeministre, njësoj siç e përkthejnë “première ministre” për zonjën Tereza Mei (Theresa May), kryeministre e Britanisë. Togfjalëshi ministër i parë në shqip s’ka kuptim.

5.

Janë përkthyes që nuk e njohin gjuhën as përkthimin? Janë me formim kulturor të mangët, të papërgjegjshëm? Në tension të përhershëm prej ngarkesës në punë, të paguar keq? Secila mund të jetë arsyeja. Siç mund të jenë disa syresh ose të gjitha së bashku.

Ajo që mbetet: keqpërdorimi i gjuhës shqipe bash prej medias në gjuhën shqipe.