Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK)  ka gati botimin e Albumit narrativ “Një si mijëra familjet e tjera” të autorit Musa Çapani, një i mbijetuar i kampeve të internimeve komuniste që në mituri e deri në rënien e diktaturës, të shoqëruar me parathënien e shkrimtarit Agron Tufa

Nga Agron Tufa

Z.Musa Çapani e ndesha gjatë një aktiviteti përkujtimor në kampin famëkeq të shfarosjes në Tepelenë. Ishte një zotëri i heshtur, shtatmesatar, mbi të shtatëdhjetat, i pabujë e i pavënë re; shkurt, nga ata që nuk luftojnë të dalin në pah në radhët e para. E veçanta e tij ishte një buzëqeshje e plotë dhe e gjerë që të falet gjer në fund të shpirtit, gjithë familjaritet. Më tha se donte të më takonte në Institut për të biseduar diçka. Kur të mundesh, i thashë. Mendova se interesohet për ndonjë të afërm të dënuar, të cilin nuk e ka gjetur në germat e “Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist”. Andaj këtë prisja të më thotë kur erdhi në zyrë. Por jo. Bëhej fjalë për një seri portretesh e skicash, peizazhesh e vizatimesh nga kampe të ndryshme të “telave me gjemba”, e mandej për kampe të tjera internimi me punë të detyruar anekënd Shqipërisë komuniste.

Në bisedë e sipër, duke kundruar këto vizatime e portrete bashkëvuajtësish të kohës, kuptova se kisha të bëj me një dëshmitar të përhershëm të atyre realeve të trishta kampesh, me një përjetues nga brenda tyre, i cili i ka përcjellë me dekada të gjata ato pamje të zymta, në fillim me sytë shastisur të një fëmije, e mandej me sytë e adoleshentit, të djaloshit dhe të burrit të pjekur. Një kalvar i gjatë e i pasosur i vetvetes, familjes dhe familjeve të tjera.

Edhe në ferrin komunist të internimeve e degdisjeve fati ruan surpriza: fëmija i internuar ishte i pajisur me dhuntinë e kujtesës vizuale dhe mbresimit të saj në letër, përmes skicimeve, vizatimeve e pikturimit. Për fat të mire, lapsi e peneli i tij vazhdoi t’i mbresonte thjesht, në letër, këto pamje e portrete bashkëvuajtësish, për të mos ia lënë harrimit gjithëpërpirës. E sot këto mbresa përbëjnë dëshmi të rralla, madje unikale, në kushtet kur kanë mbërritur kujtimet për atë topografi të dhimbshme lotësh e vuajtjesh nga kampet e hershme me “telat me gjemba”, por që prej tyre sot nuk ka mbetur më shenjë e as gur mbi gur. Ne nuk e dinim se si ishin këto kampe, por falë dëshmive të fëmijës-djaloshit-burrit Musa Çapani, ato i jepen lexuesit për herë të parë, duke na përafruar sadopak me shembëlltyrën e atyre kampeve.

Përpos këtyre, krijimtaria e lapsit dhe penelit të Çapanit (i cili e quan veten, modestisht, “amator”), bashkëshoqërohet në këtë album edhe me një narrativë memuaristike, që i ilustron dhe i shpjegon këto pamje e portrete. Përftohet kështu një panoramë kuptimore, antropologjikisht e imagjinueshme se si kanë funksionuar kampet komuniste të internimit, si kanë regëtirë fatet njerëzore të braktisura në udhëkryqet e atdheut, me fëmijë të vegjël, pa prindër, pa shtëpi e strehë, të hedhur nga karroceritë e kamionëve nëpër sheshet e qyteteve e fshatrave nga qenë dëbuar. Një akt i papërshkrueshëm mizorie e moskokëçarjeje, sikundër e shohim në fragmentin e mëposhtëm:

Ushqimi vazhdonte me kazan, buka shpërndahej një herë në ditë dhe supa kryesisht ishte me koloniale, mbeturina të ardhura nga depot e ushtrisë sovjetike dhe më së shumti me bathë foragjere që ishte kulturë kryesore për fermën e lopëve të ngritur para viteve ’40 në Kamëz. Gjella e kazanit ishte një lëtyrë e shpifur, që edhe pa e provuar të përzjehej, e megjithatë ishte i vetmi ushqim që mbante gjallë trupat kufoma, të drobitur nga kequshqyerja dhe veshja e pamjaftueshme. Dimri 1951-52 me urinë dhe epidemitë e herëpashershme i përgjysmoi fëmijët dhe pleqtë e kampit.

Fuqia punëtore, gra dhe vajza të rritura, ishte e angazhuar në Fabrikën e Tullave dhe pjesërisht në punë bujqësore në fermë.

Fundi i vitit 1951 ishte fatkeqësia më e madhe që u ndodhi familjeve të internuara në kampet e Kamzës. Me një vendim ogurzi të Ministrisë së Brendshme të gjitha familjet u ndanë në tre pjesë:

  1. Fëmijët e moshës 5-13 vjeç u liruan dhe forcërisht të hipur në karroceri makinash e të shoqëruar me 2-3 policë, u nisën në drejtim të vendlindjes. Në atë mes dimri të egër e të uritshëm, u përplasën në sheshet e qyteteve e lokaliteteve nga ishin internuar dhe u lanë në mëshirë të fatit, në mes të katër rrugëve pa prindër, pa strehë e pa ushqim.
  2. Pleqtë e plakat, të paaftë për punë e të sëmurë, u ngarkuan nëpër makina e u nisën drejt Kampit të Tepelenës.
  3. Të aftët për punë, mes tyre dhe nënat e reja së bashku me fëmijët e gjirit, u lanë përkohësisht aty derisa me një urdhër të dytë, pas 6 muajsh, u nisën drejt Kampit të Paprit për t’u marrë me punë bujqësore në kodrat e këtij fshati dhe në fushat e Cërrikut.

Këtë fat të keq patën gjithë familjet. Po e ilustroj këtë me fatin e familjes Çapani, e cila u nda në këtë mënyrë: 4 fëmijë të moshës deri në 13 vjeç, u nisën drejt Leskovikut; gjyshet u nisën drejt kampit të Tepelenës; kryefamiljarja Enveria, së bashku me djalin e vogël 3 vjeç, ngeli në Kodër Kamëz.

Për herë të parë, në sajë të këtij albumi me pamje e portrete, ne kemi mundësinë, falë lapsit e penelit të Musa Çapanit, të perceptojmë vizualisht, se si kanë qenë një sërë kampesh të komunizmit, që nga ato me “tela me gjemba”, deri tek ato të mëvonshmit nga Vlora, Fieri e Lushnja. Deri më tash nuk kemi pasur asnjë dokument pamor (foto apo vizatime) nga kampet e Kamzës (“Kampi i Mesit”; “Kampi Poshtë”; “Kampi Lart”; “Kodër-Kamzë”; “Kampi te Kodra e Beut” në Paskuqan), por tani ato i kemi për here të parë të vizualizuar me sytë e një fëmije të talentuar që gjendej brenda tyre.

Vizatimet e tjera, si ato të kampit famëkeq të Tepelenës e të Porto Palermos, kanë përsëri një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse vijnë si dëshmia e dytë vizuale, pas atyre që ka sjellë piktori ish-i internuar Lekë Pervizi, të botuara tashmë nga Instituti ynë në albumin “Në rrathët e Ferrit” (ISKK, 2014). Janë të njëjtat reale pothuaj, me të cilat Musa Çapani përforcon vizualisht ato pamje e mjedise të trishta që sjell Lekë Pervizi.

Në një seri vizatimesh, skicash e portretesh dalin përsëri kampe të tjera, si ai i Paprit në Elbasan, i Petes në Vlorë, i Ngurës, i Gjazës dhe i Kryekuqit në Lushnjë, për të cilët nuk ekzistonte më parë asnjë dëshmi pamore. Kampet e tjera të internimi, të Plugut, Grabianit, Çermës e Savrës – përsëdytin sërish, me të veçantën autoriale të Çapanit ato pamje, portrete e realitete që i kemi ndeshur edhe tek Lekë Pervizi.

Libri “Një si mijëra familjet e tjera”, i konceptuar si një album narrativ, ka një vlerë të pazëvendësueshme në cilësinë e guidës pamore, rrëfimore e meditative për kalvarin e familjeve të internuara. Ne vetëm se mund të hamendësojmë mbi përditshmërinë e rëndë e të privuar nga çdo lloj gëzimi e shprese, për perspektivën e zymtë e shtypëse të fateve individuale brenda këtyre kampeve të punës së rëndë, deri në shfytyrim. Sigurisht, na ndihmojnë shumë në këtë drejtim dëshmitë e shkruara memuaristike të atyre që ia dolën “me rrnue e me tregue”, sikundër janë memuaret e Lekë Pervizit, Fatbardha Mulletit, Dine Dines, apo ditari i mrekullueshëm e lapidar i Lekë Tasit “Grabiani mes kodrash”. Edhe autori i këtij libri-album, Musa Çapani ka shtjelluar memuaret e veta në librin “Jetë apo dhembje” (Tiranë, 2001). Madje në këtë libër ne mund t’i përafrohemi një gjendjeje konstante të të vetëndjerit në përditshmërinë e internimit, nëse i referohemi njërës nga poezitë e Musa Çapanit me titull “GRI…”:

Qielli i rimët me horizonte gri,

Toka pa bimë, ujë e baltë gri,

Rreth e qark mjegull, heshtje, qetësi,

I ftohtë, bezdisës, shi e vetëm shi.

 

Në trupin e cfilitur, kapitëse dhimbja rri

Në shpirtin e harruar, brengë e mërzi.

Po si do ta mposhtim dhimbjen, si?!

Ku është agimi që do çjerrë terrin e zi?!…

Grabian, 1985

Albumi pamor e memuaristik i ish-të internuarit Musa Çapani, me pamjet, panoramat, portretet e tablotë e mbijetuara,jo vetëm shpëtoi, për fat të mirë, tok me vetveten, nga harrimi i kampeve të përqendrimit dhe internimit, por shtron sërish para shtetit shqiptar apelin për t’u zgjuar nga mefshtësia e amnezisë së përgjithshme dhe për t’i shënuar në harta memoriale të gjitha burgjet dhe kampet e internimit anembanë Shqipërisë. Askush nuk mund të krenohet me harresën, e harresa e qellimshme është një turp dhe krim i dyfishtë, është sindroma e njohur e kriminelit që fsheh gjurmët e krimit.