Shënime për vëllimin poetik “In Love, Njëqind e Një poezi dashurie” të Preç Zogajt)

Nga Agim Baçi

Poezia e Preç Zogajt është si një ikje nga terri i së rëndomtës dhe një ftesë për shndërrim drejt asaj që duhet të jemi apo që të kemi. Vargjet janë pambarimisht një ftesë për të shkërmoqur dëshpërimin, e për të ndërtuar në vend të tij një kalërim të së bukurës, të ndjenjës që zgjon gjithnjë sy të vëmendshëm për të shquar atë që vlen të mbahet mend, atë që na jep kuptim.

Duhet ta pohojmë, se të rreshtuara si poezi dashurie, vargjet mund të duken sikur janë piktura të thjeshta ndjesish. Por vetë mahnitja e autorit nga ajo që kërkon të na shfaqë është njëkohësisht një udhëzim meditimesh. Dhe nuk mundesh dot pa meditim të besosh se mund t’ia kesh hapur kraharorin atyre figurave, që herë e kërkojnë në fëmijëri e herë në imagjinatë figurën që medoemos duhet ta afrojmë – ta afrojmë pa patur frikë, pa iu druajtur.

Poeti përdor kurthin e intimitetit. Duken si vargje që duhet t’i dish vetëm ti, të besosh se t’i ka kushtuar ty që po e lexon. Kjo të fton t’i mësosh përmendësh, që t’i thuash në çastin që ti dhe gjithë gjendja jote është përballë shfaqjeve apo kujtimeve të ngjashme, kur je duke shijuar apo menduar pikërisht për atë që të shkakton ngazëllim.

Nuk ka humbjet dëshpëruese në vargjet e Zogajt. Edhe ikjet – ashtu siç ikin dhe ditët- ndërtojnë një fole kujtimesh ku flenë pamjet që kërkojnë prej teje t’i ushqesh me dëshirën se asgjë nuk ka humbur, se gjithçka është aty, në hapat e tu dhe se ka nevojë që në një çast ti vetë ta besosh se gjithçka që kujton ka mundur ta mbajë gjallë bukurinë e atyre çasteve. Të ndërthurura si një zë i brendshëm s’mund t’i lexosh vargjet e Zogajt pa intonacion, ashtu si një këngë që na mbetet në mendje dhe që shumëkush nga ne e ka kapur veten duke e kënduar në çaste meditimi:

“Po flija poshtë lisit hijerëndë,

Kur erdhën e më zgjuan: Ngrehu, të do Ana!

Muzikë më të bukur s’më kishin ndier veshët”. (Preç Zogaj, “In Love, Njëqind e Një poezi dashurie”, vargje nga poezia “Baladë”, “Mapo editions” 2017, f.28)

Janë vargje që vijnë si një polifoni zërash, që nuk kërkojnë t’i dallosh, por t’i bashkosh në jehonën e tyre e t’ua ngresh volumin e ndjesive brenda vetes tënde. Një vallëzim që kthehet në ushtrime kënaqësie – ushtrime që mund t’i falin vetëm vargjet që shohin thellë brenda njeriut pa u ndalur e pa u ndalur, derisa buzëqeshja të kapërcejë malin e largësive dhe të mbulojë hijen e së pamundurës.

Poezi pas poezie ndjehet një besë e brendshme që Preç Zogaj e kërkon te lexuesi – është besa e njeriut se duhet të shohë nga jeta, se do të kërkojë veç dashurinë përtej malit të paarritshëm e nuk do t’i kushtojë asnjë ditë të vetme pëlhurës së humbjes – pëlhurë që kërkon të lërë në heshtje dritën. Madje poeti nuk kërkon aspak të harrojmë një dashuri për të përjetuar apo mbajtur mend pastaj një tjetër. Ai e sheh dashurinë brenda dashurisë, ndërkohë që, sipas tij, përtej saj “asgjë s’pipëtin”. Siç thotë edhe në këto vargje:

“Dashuria s’shërohet me dashuri,

Dashuria është fundi dhe s’ka asgjë pas saj”  (Shkëputur nga poezia “Përpara se të ndodhë diçka e keqe”, f.118)

Vargjet e Zogajt janë një ftesë për të jetuar. Nuk ka kohë tjetër në vargjet e tij përveç kohës që ke mundur të fusësh brenda teje një shpirt tjetër, që ke mundur të besosh se dashuria është shenja më e fortë se ke qenë vërtet gjallë.

Koha ka ndarë mënjanë një shekull,

shekulli ka ndarë mënjanë një vit,

viti ka ndarë mënjanë një stinë,

stina ka ndarë mënjënë një ditë

me mbledhë shkrepjen e një zbulimi:

Gjithçka përreth vrapon më shpejt se dashuria

Gjithçka kërkon të dalë nga dashuria

Tu fshi lotët,

thur kurorën” (Shkëputur nga poezia “Ii Love”, f. 142)