Ibrahim Berisha
Edhe në atë trazim të madh zotëronin debatet kulturore.
Fare pak fliste për politikë.
Ai nuk preferonte të bisedojë për politikë dhe as për njerëz të politikës.
Gjatë bombardimeve dhe tmerrrit në Prishtinë dhe Kosovë, unë nuk e dija se ai kishte mbetur me Besianin dhe Bahrien në Prishtinë. Lajme për të nuk kishte.
Isha shumë i tronditur, por i gëzuar kur për herë të parë munda në korrik të vitit 1999 të flisja me te në telefon nga Strasburgu. Ishte po ai zë i plotë, i qetë.
“Mbetem gjallë!, më tha.
E mbijetoi presionin e tmerrshëm me një Lutje të Madhe për Prishtinën, për Kosovën dhe për shqiptarët fatkeqë.
Lutja e tij gjithmonë ka qenë e njejtë: paqe dhe liri.
Pas kthimit nga Strasburgu, ne, disa miq të vjetër shiheshim thuaja çdo ditë në ëmbëltoren “Elida”, aty ku mbi dhjetë vjet pinim kafe.
Aty më foli shpesh për librin “Lutje për Prishtinën”. Kishte shumë ëndje të bisedonte për librat. Përgatiste librin tjetër me kritikë letrare.
Ishte i preokupuar me Besianin se do të vazhdonte shkollimin në një kolegj në SHBA.
Një ditë para vrasjes, biseduam për Coelon dhe Sabaton. Për “Kodrën e pestë” dhe për “Tunelin”.
1.Gruaja e mbretit izraelit Ahabi, princeza fenikase Izabela, në Shekullin IX Para Lindjes së Krishtit, urdhëroi vrasjen e të gjithë shenjtorëve…
2. Romani ekzistencialist “Tuneli”, përmes rrëfimit të një vrasësi të të dashurës së panjohur, tregon pamundësinë e komunikimit mes qenive njerëzore, hapin e marrëzisë së njeriut…që vret për të dëshmuar se është gjallë.
Xhema do të shkruante të shtunën e ardhshme një recension për librin e Markesit, por jo për romanin “Një vdekje e paralajmëruar”, se e kishte shkruar dhe botuar vite e vite më parë.