Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj nuk duket se është mjaftuar me një nënshkrim të vetëm, që të rrëzohet Gjykata Speciale. Kadrijaj thotë se nëse prapë do t’i ofrohet mundësia për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale, ajo  do ta bëj një gjë të tillë për të kthyer drejtësinë e mohuar.

Në një intervistë të shkurtër për sovrani.Info, deputetja e AAK-së ka thënë se është padrejtësi që vetëm Kosova të hetohet, derisa Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe nuk ekziston gjykatë për të.

Kadrijaj ka folur edhe për hezitimin e deputetëve të Vetëvendosjes që të votojnë shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, derisa thotë se mandatin e kaluar ata kanë votuar kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

– Pse e votuat ligjin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale?

Kadrijaj: Ne e kemi kundërshtu këtë ligjin për Gjykatën Speciale edhe kur është themelu. Është një e padrejtë që po i bëhet Kosovës. Një e padrejtë e madhe, sepse Serbia e cila ka kry gjenocid, për Serbinë nuk ekziston një gjykatë e tillë. Çfarë kuptimi ka të krijohet një gjykatë posaçërisht për Kosovën”

– Çka po ju pengon kaq shumë të Specialja që po kërkoni shfuqizimin e saj?

Kadrijaj: Gjykata Speciale është një gjykatë që supozohet të merret me krimet e kryera nga UÇK-ja, pse veç për shqiptarët ku serbët në fakt kanë kryer krime. Ende nuk i dimë kriminelët i kemi 1600 të pagjetur, edhe po tentohet të barazohet krimi me kriminelin. Arsyeja pse e kemi nënshkru e kemi kundërshtu edhe kur është themelu. Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, edhe në qoftë se përmes shfuqizimit kemi mujt me kry një drejtësi që po na mohohet unë e kam bo me shumë qef

– Si i komentoni deklaratat e opozitës që me këto vota kundër Speciales po e dëmtoni Kosovën dhe po humbni besimin e ndërkombëtarëve?

Kadrijaj: Nuk i kam kuptu deputetët e Vetëvendosjes natën kur u tentua të shfuqizohet ligji për Gjykatën Speciale se me çfarë gjuhe e kundërshtuan, derisa deputetë të mandatit të kaluar të VV-së e kundërshtuan themelimin e Speciales. Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim ju kemi thënë edhe atëherë se është e padrejtë  edhe  jemi kundër pse është bërë presion që me u votu ne nuk e kemi votu, ata i kanë pas qëndrimet që disa ndoshta me qef e kanë votu. Unë jam një pjesëtare e UÇK-së, e thom që është e padrejtë që iu është ba Kosovës, qoftë edhe nëse u përkrah ndërkombëtarët. Është një e padrejtë që po i  bëhet Kosovës. Në qoftë se më mundësohet prapë përmes votës me u shfuqizu prapë kisha votu

43 deputetët në mesin e të cilëve figuron edhe emri i deputetës Kadrijaj, kërkuan që nënshkrimet e tyre, t’i dërgohen Kuvendit për të ndalur Gjykatën Speciale.

Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, janë gjetur prova për të akuzuar mbi 60 ish-drejtues dhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.