Hoteli ‘Grand’ në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, shpeshherë fyhet në komentet e internetit. Ja disa shembuj: “i gërditshëm”, “një rrënojë” dhe “një tmerr i vërtet. Ndoshta hoteli më i keq në të cilin kam qenë ndonjëherë”.

Por duket se menaxherët janë të përmbajtur nga abuzimi online. Nuk ofrojnë rezervime përmes internetit dhe me vështirësi ofrojnë qasje në internet; hoteli i tyre s’ka as e-mail zyrtar.

Dikur një legjendë për luksin modern kur kjo pjesë e Ballkanit ende ishte pjesë e Jugosllavisë, tani Grandi i udhëhequr nga shteti është keqësuar aq shumë saqë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vështirësi të gjejë diçka për ta lavdëruar Grandin.

Një dhomë në katin e 12-të. Vetëm dy kate të hotelit ‘Grand’ janë të hapura për mysafirë. Ato kate mbahen kryesisht të pastra dhe herë pas here ofrojnë ujë të ngrohët. Foto: Laura Boushnak për ‘The New York Times’

“Unë nuk mendoj se është hoteli më i keq në botë, por kjo është për shkak se bota është shumë e madhe” ka thënë presidenti, duke shprehur mosbesim kur Andrew Higgins, autori i këtij artikulli, i kishte treguar se ishte duke qëndruar aty.

“Në ndërtesën 500-dhomëshe, unë kam qenë i vetmi mysafir. Me gjithsej 13 kate, hoteli kryesisht i akomodon pëllumbat në katet e epërme dhe së fundmi ia ka lëshuar me qira bodrumin një klubi të shëndetësisë – bodrum i cili dikur përdorej si burg nga gangsterët paramilitarë serbë.

Credits: NY Times

Përndryshe vendi është i shkretë, një labirint i korridoreve me pak ndriçim të cilat janë të mbushur me penda të pëllumbave, të mbushur me rrjeta të merimangave, me një linjë dyersh prej druri të  errët dhe ndiqet pas nga kujtimet më të tmerrshme të të kaluarës së Kosovës.”

Menaxheri i hotel ‘Grandit’, Rrahim Fazliu, thotë se ndoshta ky vend nuk e meriton më vlerësimin prej pesë yjeve. Foto: Laura Boushnak për “The New York Times”

Skema e ngjyrës së këtij objekti – kryesisht e gjelbër – si dhe trishtimi i rrënojave do ta bënte objektin të përsosur për një rikrijim të filmit “Barton Fink” nga viti 1991, me regji të vëllezërve Coen – i cili gjithashtu ka pasur për karakteristikë një hotel të ngjashëm të shkretë në Hollywood.

Menaxheri i hotel ‘Grandit’, Rrahim Fazliu, thotë se ndoshta ky vend nuk e meriton më vlerësimin prej pesë yjeve të cilin e ka marrë qysh kur është ndërtuar në vitin 1978. Por, insiston ai, “me pak makijazh” hoteli mund të bëhet “simbol i suksesit” për një shtet që ende ka vështirësi t’i bëjë hapat e mëdhenj edhe pas 20 vjetësh kur NATO kishte filluar bombardimin ndaj forcave serbe.

Credits: NY Times

Hoteli, shton Fazliu, ka qenë “pasqyre e Kosovës”, dhe se imazhi i reflektuar këto ditë është shumë më i keq sesa ai që ka shpresuar ta kenë pasi është arritur liria në vitin 1999.

Shërbimi është nga minimal deri në inekzistent, ndërkaq tymi i duhanit dhe qilimat e gjelbër që i mbulojnë shumicën e kateve janë me njolla dhe të shqyer. Pastaj, nëpër kate ka edhe shumë buburreca.

Por të bëhemi të sinqertë, ‘Grandi’ meriton vlerësim më të mirë sesa ato që i merr online. Në dy katet që mbahen të gatshme për mysafirë, dhomat janë kryesisht të pastra dhe herë pas here ofrojnë ujë të ngrohët. Stafi i mbetur gjithmonë përpiqet t’ju ndihmojë, dhe padyshim se janë të turpëruar nga gjendja katastrofike e dikur të respektuarit ‘Hotel Grand’.

Shurije Abazi, shërbyese 58 vjeçare e cila kishte filluar të punojë në hotel një muaj pasi ishte hapur para katër dekadave, ende sigurohet që të ketë sapunë dhe shamponë për mysafirë, të cilët nuk është se ekzistojnë më, por që ajo shpreson se do të rikthehen.

Vendi është i shkretë, një labirint i korridoreve me pak ndriçim të cilat janë të mbushur me penda të pëllumbave. Foto: Laura Boushnak për “The New York Times”

Bashkë me stafin tjetër të etnisë shqiptare ajo e kishte humbur punën në vitet e 1990’ta, kur ish- diktatori i Serbisë, Slobodan Milosevic, kishte filluar programin e spastrimit etnik. Ajo nuk ka nostalgji për ato kohëra, por ende mban mëri për shkatërrimin e hotelit.

Presidenti i Kosovës, i cili mban vetëm kujtime të këqija të hotelit në të kaluarën dhe është i dëshpëruar për gjendjen e tanishme, thotë se ka plane të mëdha për të ardhmen e tij.

“Ndoshta mund ta ndërtojmë aty Kullën Trump”, ka sugjeruar Thaçi.

Para se Jugosllavia të shpërbëhej në vitet e 1990’ta, siç rikujton Thaçi, Grandi kishte qenë vendi i preferuar për zyrtarët komunistë.

Josip Broz Tito, diktatori i Jugosllavisë, kishte pasur një suitë personale në katin e katërt. Pasi Tito kishte vdekur në vitin 1980 dhe shteti i tij multietnik kishte filluar të shpërbëhej, Grandi kishte filluar të pushtohej nga gazetarët e huaj dhe gangsterët paramilitarë serbë të cilët dëshironin spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës.

Suita e katit të katërt në të cilën Josip Broz Tito, ish- udhëheqësi i Jugosllavisë, kishte qëndruar. Foto: Laura Boushnak për “The New York Times”

Zeljko Raznatovic, serb me karrierë kriminale dhe nacionalist fanatik i njohur me si ‘Arkani’, kishte qëndruar në suitën e vjetër të Titos, ndërkaq ushtarët e tij kishin vënë shenja në derën kryesore që ia ndalonin hyrjen vetëm qenve dhe shqiptarëve.

“Në ditën e parë gjatë vizitës sime të fundit në këtë hotel, një grup i njerëzve të cilët kishin qëndruar në diskotekën që gjendet në katin e fundit, ishin akomoduar në mes të natës dhe e kishin rritur numrin e mysafirëve në pesë – shifër që e bën vetëm 1 përqindëshin e Grandit, por vetëm kaq ia del hoteli t’i akomodojë këto ditë”, shton autori i shkrimit.

Ndërkaq Fazliu, menaxheri i Hotelit, thotë se janë të gatshëm që çdo ditë të funksionojnë me kapacitet të plotë, por se nuk ka njerëz. Ai kryen punën e tij në një zyre të madhe në katin e dytë që është e pajisur me një tavolinë druri për konferenca, me disa telefona, etj.

E ngecur në harresë qysh prej përfundimit të luftës së Kosovës, luftë e cila e ka sjellë Hashim Thaçin dhe shokët e tij të UÇK-së në pushtet, hoteli tani shërben jo vetëm si monument i ftohët për të kaluarën e dhimbshme të Kosovës, por edhe për të ardhmen e pasigurt që ka.

Hoteli tani është në likuidim, ndërkaç koleksioni i vet me art modern do të shitet ose vendoset në muze në mënyrë që të gjendet një blerës i ri. Foto: Laura Boushnak për “The New York Times”

I pa kontrolluar për serbët për thuajse 20 vjet, edhe vetë Kosova ka ngecur në harresë, dhe ndonëse është njohur si shtet nga SHBA-të dhe shumica e shteteve evropiane, ende e ka të mohuar një karrige në Kombet e Bashkuara dhe vazhdimisht ‘ngacmohet’ nga Rusia dhe Serbia.

Vetëm së fundmi ka arritur ta ketë kodin e vet telefonikë – 383 – kur ende shumica i përdorin kodet 377 dhe 386 të Monakos dhe Sllovenisë.

Sidoqoftë, disa nga problemet më serioze që ende e pushtojnë Kosovën – në veçanti korrupsioni endemik dhe marrëveshjet dyshuese nga komandantët e UÇK-së – janë produkt i vetë këtij shteti.

“Hera e fundit kur kisha vizituar ‘Hotel Grandin’ kishte qenë me 12 qershor, 1999, ditën kur trupat tokësorë të NATO-së kishin hyrë për herë të parë në Prishtinë pas kampanjës 78-ditëshe me bombardime. Një recepsionist më kishte thënë se të gjitha dhomat janë të rezervuara dhe ashtu do të jenë për një kohë të gjatë. Qyteti atëherë ishte pushtuar nga të huajt që vazhdimisht kërkonin vende për të qëndruar – në mesin e tyre gazetarë nga Perëndimi, zyrtarë ushtarakë dhe zyrtarë evropianë.

Të gjithë kishim nxituar për në Prishtinë që të jemi dëshmitar të përfundimit të hegjemonisë serbe dhe të lindjes së një, siç shpresonin SHBA-të dhe aleatët e Evropës, shteti të ri me perspektivë që në mënyrat e veta do të arrinte të bëhej pjesë e Perëndimit”, rikujton Higgins, transmeton Telegrafi.

Një pjesë kritike e këtij plani kishte qenë privatizimi i aseteve shtetërore jugosllave si ‘Hoteli Grand’. I vendosur në shitje në vitin 2006, Grandi ishte blerë nga një kompani vendore që kishte paguar vetëm 8 milionë euro por kishte premtuar, si pjesë e marrëveshjes, t’i investonte edhe 20 milionë euro tjera.

Investimi i premtuar asnjëherë s’kishte ndodhur, ndërkaq në vitin 2012 Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte anuluar shitjen – dhe i kishte mbajtur paratë e pranuara.

Planet për ta gjetur një blerës tjetër pastaj ishin ngatërruar në një betejë të gjatë ligjore ku Behgjet Pacolli, milioner i njohur, kishte deklaruar se kompania e tij është duke e paditur qeverinë.

ditëve të sotme ‘Grandi’ është kryesisht bosh. Por më 12 qershor 1999, ditën kur trupat e NATO-së kishin hyrë në Prishtinë pas kampanjës 78-ditore me bombardime, hoteli kishte qenë i mbushur plot. Foto: Laura Boushnak për “The New York Times”

Hoteli tani është në likuidim dhe asetet e veta, që përfshijnë një koleksion të vlefshëm të artit modern, do të shiten ose vendosen në muze në mënyrë që të gjendet një blerës i ri dhe hoteli të ndërtohet nga e para.

Hoteli ka pasur më shumë se 500 punëtorë nga koha kur Kosova ishte kontrolluar nga Serbia. I gjithë stafi serb kishte ikur pas ardhjes së NATO-së. Tani stafi prej 80 personave, të gjithë të etnisë së shqiptare, shfaqen në punë.

Pacolli vlerëson se do të kushtojë të paktën 50 milionë dollarë për ta bërë ‘Grandin’ grandioz prapë. Hoteli, sipas Pacollit, ndoshta nuk është hoteli më i keq në botë, por renditet kah fundi.

“Është me të vërtet i tmerrshëm. Si mund të qëndrosh aty? Si mund të qëndrojë ndokush aty?”, ka thënë Pacolli.