Unë pajtohem me secilin mendim dhe karakterizim që mund ta jap kritika dhe lexuesi për prozën time. Duke qenë se vetë e bëj edhe punën e kritikut të veprave të shkrimtarëve tjerë, e di se prozatori është më së miri ta mirëpres secilin specifikim që ia bëjnë të tjerët prozës së tij. Sa herë që autori tenton të ndërhyjë në interpretimin e të tjerëve për veprën e tij, shndërrohet në një ngatërrestar që mund t’ju bëjë vetëm dëm lexuesve dhe vlerësuesve të tij, thotë ndër tjerash shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, Adil Olluri për Gazetën Observer.

Intervistoi: Artesa Osmanaj 

Z. Olluri, a mund t’i thoni dy fjalë për vete?

Unë nuk kam dëshirë të flas për veten. Së paku, nuk e njoh veten për të tillë. Andaj, lexuesit tuaj nuk dua t’ia humbas kohën duke i treguar se kush jam dhe ç’bëj. Më me dëshirë do t’i flisja për të tjerët. Megjithatë, aspak nuk do të dëshiroja që lexuesi i juaj të më njoh vetëm përmes kësaj interviste. Një njohje e tillë është më pak se gjysmake, për të mos thënë më pak se minimale. Sikurse secili krijues i artit të fjalës së bukur, edhe unë do të dëshiroja të njihem nga lexuesi i juaj si një shkrimtar, as më pak e as më shumë. Unë nuk do të doja të njihem personalisht me lexuesit tuaj, meqë shumë prej tyre mund të zhgënjehen dhe pastaj nuk do të m’i lexonin veprat, nëse veç e kanë pasur një qëllim të tillë. Njerëzit kanë pritshmëri të mëdha prej shkrimtarëve dhe besojnë se ata mund të dinë gjithçka dhe kanë zgjidhje për secilin problem shoqëror. Andaj, shumë vetë ndahen të zhgënjyer, me t’u takuar personalisht me ta. Shkrimtarët nuk dinë gjithçka dhe nuk është e udhës të kenë mendim për çdo gjë.

Fundja, edhe nëse nuk ia them këto dy fjalë, lexuesi i juaj nuk do të humbas shumë. Nëse nuk ka dëgjuar që unë jam autor përmbledhjes me tregime “Shumë rrugë dhe një rënie” dhe romanit “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, ai ndoshta do të ketë dëgjuar për vepra të tjera të vlershme. Kjo do të ishte thjeshtë një e dhënë shtesë për të, ndoshta edhe e panevojshme. Lexuesi që ka dëgjuar për dy veprat e mia, por nuk i ka lexuar ato, nuk është se e ka bërë të pabërën. Mjafton të jetë lexues i letërsisë shqipe dhe të vazhdojë ta lexojë atë. Po që se, i ka lexuar veprat e mia dhe nuk i kanë pëlqyer, as këtu nuk ka ndonjë të keqe. Mjafton që të jetë i kënaqur me letërsinë shqipe të Kosovës. Pse them kështu? Autori dhe letërsia shqipe, që shkruhet sot në Kosovë, është tërësisht dhe tmerrësisht në defensivë. Nuk përbën lajm publik, nuk lexohet dhe përçmohet. Kështu që, sa herë që dëgjoj dikë që flet mirë për një autor kosovar, më duket se më vlerëson edhe mua, sa që shpeshherë i them vetes se autori i ardhshëm që ai/ajo do të lexojë mund të jem unë.

Çdo të thotë të shkruash? Ta kënaqësh veten në rend të parë, t’i kënaqësh të tjerët apo ta shënosh kohën përmes fjalës së shkruar?

Nuk është se kam përvojë të gjatë në shkrimin e letërsisë artistike, sa për t’i dhënë derman pyetjes suaj. Mendoj se këtë më së miri do ta bënin shkrimtarët që i kanë kaluar dekadat me shkrime e botime të veprave letrare. Unë ende nuk e di saktë pse shkruaj. Shpeshherë, kam menduar dhe vazhdoj të mendoj edhe sot e kësaj dite, se shkruaj thjesht për ta kënaqur veten. Asnjëherë nuk synoj që t’i kënaq të tjerët me shkrimin tim. As unë e asnjë shkrimtar, që ka synime serioze ndaj letërsisë, nuk mund ta di se cila është formula e shkrimit që do t’i kënaqte lexuesit. Insistimi për ta kënaqur medoemos lexuesin të largon nga synimi parësor i shkrimtarit: origjinaliteti dhe individualiteti krijues. Nganjëherë, përpiqem ta shënoj kohën përmes fjalës së shkruar, por nuk është as ky qëllimi im parësor. Kështu që, e nderuara Artesë, mbetet që pyetjes suaj t’i përgjigjem më saktësisht pas njëzetë viteve, kur edhe, ndoshta, mund ta gjej arsyen pse shkruaj.

Proza juaj është përkthyer në gjuhën italiane. Si u ndiet, të privilegjuar, me fat apo si diçka e pritur?

Ndihem jashtëzakonisht i kënaqur që tregimet e mia ju flasin lexuesve italianë. Fakti se një rrëfim kosovar flet në gjuhën e Dante Aligherit, më bën më shumë se të kënaqur.

Me botimin e romanit tuaj keni bërë një shpërthim triumfal. “Bartësi i shpirtrave të përzënë” mori notë të lartë nga kritika dhe lexuesit. Çfarë mund të na thuash?

Nuk do ta quaja “shpërthim triumfal”, meqë letërsia nuk është sport dhe nuk e njeh kategorinë e triumfit, në kuptimin siç mund të përdoret në aktivitetet e zakonshme garuese. Letërsia është aktivitet shpirtëror dhe secila vepër e secili krijues e merr atë që e meriton. Secili i ka dhe i gjen lexuesit dhe vlerësuesit e tij. Unë ndihem mirë që romani im është lexuar dhe është vlerësuar. E nderuara Artesë, më kënaq fakti se ende lexohet dhe ende shkruhet për këtë roman. Kjo është përmbushja më e madhe për një autor, kur për veprën e tij flitet dhe shkruhet jo vetëm në muajt e parë të botimit të saj. Recensioni i koleges suaj dhe studiuese së re të letërsisë, Saranda Buzhala, më gëzoj shumë, kur kihet parasysh se u shkrua për një roman të botuar para dy viteve. Ky numër nuk është aspak i madh, por për mua, që jam ende në vitet e para të krijimtarisë, thotë shumë.

Pse personazhet e romanit tuaj “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, Bardhyli dhe Valdetja nuk kanë karakter të njëjtë?

Nuk mund të flas objektivisht për personazhet e romanit tim, por ndoshta është më mirë që nuk janë karaktere të njëjta. Po të ishin të tilla, ndoshta do të kishte më pak tension dramatik në rrëfimin që e kam krijuar.

A e ka thënë kritika fjalën kryesore për prozën tuaj?

Nuk e di. Çka mendoni ju?

Për ju, shkrimi është pasion apo profesion?

Jam tërësisht i bindur se shkrimi i letërsisë artistike nuk është dhe nuk mund të jetë profesion.

Tregimet tuaja bartin fatin e njeriut të zakonshëm shqiptar, pra kanë një narracion sa dramatik, aq edhe të dhimbshëm. Ku qëndron esenca e tyre?

Mund të jetë pikërisht në pyetjen tuaj. E nderuara Artesë, nëse gjatë parashtrimit të pyetjes, keni menduar se esenca e tregimeve të mia qëndron pikërisht në ato që i shkruani, atëherë mua më lejohet vetëm ta tumirë këtë konstatim tuajin personal. Meqenëse, nuk do t’ju këshilloja që të ngulnit këmbë në të, por ta merrnit thjesht si interpretim të mundshëm. Ndërsa, mua assesi nuk më lejohet të jap interpretime se ku qëndron esenca e tregimeve që i kam shkruar.

 Proza juaj dallohet për një modernitet–narracion psikologjik, a pajtoheni me të?

Unë pajtohem me secilin mendim dhe karakterizim që mund ta jap kritika dhe lexuesi për prozën time. Duke qenë se vetë e bëj edhe punën e kritikut të veprave të shkrimtarëve tjerë, e di se prozatori është më së miri ta mirëpres secilin specifikim që ia bëjnë të tjerët prozës së tij. Sa herë që autori tenton të ndërhyjë në interpretimin e të tjerëve për veprën e tij, shndërrohet në një ngatërrestar që mund t’ju bëjë vetëm dëm lexuesve dhe vlerësuesve të tij.

Çka pret lexuesi nga pena juaj në të ardhmen?

Si prozator, pres që libri im i ardhshëm me tregime të takohet me lexuesin e tij gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa si studiues dhe kritik, këtë vit do të dal me botimin e monografisë me titull “Fytyra e tiranisë: Rrëfimi për diktaturën në romane bashkëkohore shqiptare”./Gazeta Observer