Foto ilustrim
Sindikata e Bashkuar e Arsimit – SBASHK-u, ka vazhduar realizimin e grevave në arsim duke paralajmëruar grevë të përgjithshme me 13 prill të këtij viti, nëse nuk plotësohen kërkesat e bëra publike vite më parë.

Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Januz Salihaj, përmes një reagimi për media, ka kërkuar që të rishqyrtohet me kujdes edhe një herë ky vendim, në mënyrë që fëmijët tanë mos të paguajnë çmimin e premtimeve të parealizuara, të bartësve të funksioneve publike.

“Nuk ka asnjë dyshim se shumica e qytetarëve të Kosovës mbështesin kërkesën bazë, rregullimin e statusit ligjor të punëtorëve të viteve të 90-ta.

Nisma për këtë Projektligj është marrë nga Parlamenti i Kosovës, në seancat e 6 dhe 18 prillit 2013, pasi ishin mbledhur 12 mijë nënshkrime të të punësuarve në arsim. Projektligji i përgatitur në vitin 2015 ka mbetur në sirtarët e Qeverisë, duke mos u proceduar në Parlament.

Po ashtu, Kontrata Kolektive e nënshkruar nga ish-kryeministri Thaçi është obligative për të gjitha institucionet e vendit.

Qeverisja demokratike paraqet vazhdimësi detyruese për zbatimin e përvojave dhe të praktikave legjislative pozitive të cilat janë në interesin e qytetarëve dhe të cilat janë të miratuar nga legjislaturat dhe qeveritë e kaluara, andaj duhet dhe besojmë fuqishëm se do të respektohen dhe përmbushen.

Për këtë arsye, ngutësinë dhe presionin e SBASHK-ut, e konsiderojmë të pamenduar mirë dhe me pasoja të dëmshme kombëtare, sepse tani jemi pak javë para zbatimit të vlerësimit PISA-s në Kosovë. Greva do të këtë pasoja eksplicite negative në rezultatet e PISA-s.

SBASHK, duhet reflektojë shumë, për pasojat e veprimeve te veta, aq me tepër kur Kryeministri Haradinaj dhe ministri Bytyqi kanë shprehur vendosmërinë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Duke njohur përkushtimin e kryeministrit Haradinaj në realizimin e prioriteteve të Qeverisë, jam i bindur se kërkesa bazë e SBASHK-ut, që tani është kërkesë legjitime e punëtorëve arsimor që dhanë kontribut të çmuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, do të përmbushet gjatë këtij viti, andaj kërkojmë që edhe për këtë arsye SBASHK-u të heq dorë nga presionet të cilat dëmtojnë interesin qytetar dhe kombëtarë të Kosovës.

SBASHK-u duhet të jetë i vetëdijshëm se Kosova po përballet me sfida akute me interes të lart nacional për të tashmen dhe për të ardhmen e këtij vendi, andaj në vend se të krijojë sfida dhe vështirësi të reja të cilat Kosovën mund ta fusin në një qark vicioz, duhet të jete aleat dhe mbështetës i institucioneve të Kosovës, e jo mekanizëm i prodhimit të problemeve entropike për Kosovën.

SBASHK-u po ashtu e dinë se nxënësit e klasave te V, IX dhe të XII janë para provimeve kombëtare të arritshmërisë dhe provimit të maturës shtetërore. Me organizimin e grevave, ata drejtpërdrejti do të ndikojnë në fatin e dhjetëra-mijërave nxënësve të Kosovës. Është kjo një përgjegjësi e madhe humane dhe kombëtare për të cilën SBASHK-u seriozisht duhet të reflektojë.

Për fat të keq, në vendin tonë vendimet për ndërprerjen e mësimit merren me lehtësi të pakuptueshme dhe pa ndonjë analize të mirëfilltë, duke injoruar mendimin e prindërve dhe komunitetit, që duhet të jenë faktorë kyç në procesin e vendimmarrjes.

Bazuar në faktet dhe argumentet e përmendura, ftoj SBASHK-un të reflektojë dhe të heq dorë nga organizimet e grevave me te cilat drejtpërdrejti atakon interesin nacional të Kosovës.

Me shprese , se SBASHK-u do të reflektojë dhe do të heqë dorë nga grevat paraprakisht iu jemi mirënjohës.

Si përfundim, nuk ka mandat askush t’i privojë fëmijët tanë nga një e drejtë elementare, e drejta për arsimim”.