Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka bërë të ditur se më nuk do të marrë pjesë në asnjë debat zgjedhor përballë kundërkandidatit të tij nga radhët e LDK-së, Shaip Surdullin, të cilin Kastrati e ka akuzuar për shpifje. 

Në shenjë proteste, Kastrati sot u largua nga debati zgjedhor që pritej të zhvillohet në televizionin Tribuna Channel.

Ai në një publikim në rrjetin social “Facebook ka shkruar se LDK ka kaluar çdo kufi të moralit politik, duke tentuar të nxisin urrejtje ndëretnike.

Sipas tij, ekipi i LDK-së u ka thënë komunitetit serb e romë se me ardhjen e tij në pushtet, ata do të dëbohen nga komuna. Madje, sipas tyre një gjë e tillë do të ndodhë sepse ‘Qëndroni është djali i terroristit e kriminelit’.

Lexoni të plotë reagimin e Kastratit dhe sqarimin e tij për mospjesëmarrje në debate:

Të nderuar qytetarë të Dardanës,

Zgjedhjet lokale janë një nga shtyllat kryesore të demokracisë. Lëvizja VETËVENDOSJE! gjatë gjithë fushatës zgjedhore ka zhvilluar takime e paraqitje publike në përputhje me parimet e demokracisë. Në cdo takim apo tubim, në cdo debat televiziv kemi paraqitur programin tonë dhe kemi respektuar kundërkandidatët. Për ne ka qenë dhe është e rëndësishme që Dardanës t’i japim alternativë të denjë qeverisëse për katër vitet e ardhshme dhe këtë synim e kemi zbatuar në vazhdimësi.

Në rundin e parë të zgjedhjeve ne dolëm të parët me 33.69% të votave të qytetarëve të Dardanës. Ky rezultat ishte tregues i qartë i nevojës dhe kërkesës së qytetarëve për ndryshim në Dardanë. Edhe në periudhën e balotazhit ne vazhduam me të njejtën praktikë demokratike të fushatës. Të dytët u renditën Lidhja Demokratike e Kosovës. E gjendur në situatë të pafavorshme dhe të etur për pushtet, LDK filloi të përdorë metoda të papranueshme të t’bërit fushatë. Shtabi i LDK-së filloi të përhapë shpifje ndaj kandidatit të VETËVENDOSJE!s për Kryetar gjithandej në Dardanë, duke mos kursyer asnjë kategori sociale. Rasteve sociale u thoshin që në mandatin tonë VETËVENDOSJE! do t’ua ndalë asistencën, bizneseve u thonin që do ta pengojmë veprimtarinë e tyre, shitësve të drurit u thonin që s’do t’u japim leje për veprimtarinë nga e cila sigurojnë jetesën. Të gjitha këto propaganda janë të pavërteta. Ne në vazhdimësi e kemi theksuar që do të qeverisim me dhe për qytetarin dhe nuk ka logjikë që ne të bllokojmë jetën sociale dhe ekonomike të qytetarëve të Dardanës edhe ashtu të papunë si pasojë e keqqeverisjeve të kaluara.

Kësisoji, logjika e LDK-së është absurde dhe keqpërdorë nevojat e qytetarëve për të manipuluar me ta duke shpërndarë shpifje e propagandë të ultë. Lëvizja VETËVENDOSJE! si parti e qendrës së majtë e ka në fokus qytetarin dhe barazinë sociale dhe synon që qeverisjen qendrore dhe lokale t’a orientojë

Mirëpo, LDK nuk u mjaftua vetëm me këto shpifje duke kaluar cdo kufi të etikës dhe moralit politik. Përfaqësues të partisë, me synim fitoren e pamundshme në Dardanë, filluan të nxisin urrejtje ndëretnike në qytetin i cili njihet dhe është shembull për tolerancë e bashkëjetesë etnike. Për t’ua vjelur votat me metoda jashtë cdo niveli, komunitetit rom dhe atij serb u është thënë që me ardhjen e Qëndron Kastratit në pushtet në Dardanë, ata do të dëbohen nga komuna. Tutje, atyre u është thënë që kjo do të ndodhë për shkak se ‘Qëndroni është djalë i terroristit e kriminelit’. Historinë e Dardanës e dijnë të gjithë qytetarët, dhe përdorimi i emrave të dëshmorëve për motive të ulta të marrjes së pushtetit është e papranueshme.

Kësisoji, kandidati i VETËVENDOSJE!s për kryetar të Dardanës Qëndron Kastrati, sot në debatin zgjedhor në televizionin TRIBUNA Channel ka shprehur qëndrimin e tij ndaj kësaj fushate dhe në shenjë proteste ka lëshuar emisionin.

Ju njoftojmë që me gjithë vullnetin dhe gatishmërinë për të marrë pjesë në debatet zgjedhore, ne nuk do të mund të marrim pjesë aty ku janë ata që po bëjnë fushatë të tillë. Është e pamundur të ballafaqohemi me këtë nivel të padinjitetshëm të politikbërjes. Andaj, ne do të vazhdojmë fushatën politike duke takuar e bashkëbiseduar me qytetarë të Dardanës. Programin dhe planet tona për një qeverisje të drejtë dhe të orientuar nga zhvillimi do të vazhdojmë t’i ndajmë drejtpërdrejtë në takime me qytetarët.

Shpresojmë në mirëkuptimin tuaj,
Shtabi Zgjedhor i VETËVENDOSJE!s në Dardanë