Nga Alma Nikolli

Udhën për në fshatin tem asht zor me e gjet. Anës saj, përbri me pishat, vene-vene ka pas përherë ferra, që tesh mbijnë pa frikë edhe në udhë, me shpresën se dikush kalon noj herë qoftë edhe me i kput, veç me i pa. E ka mall ferra me pa njeri.

Si shumë fshate në veri edhe atë e la gjithkush, për nji jetë ma të mirë, me shkollu të vegjlit e me pas afër një farmaci për me ble paracetamola kur të dhemb kryt prej zhurmës së fmive pa park ku me lujt, prej diellit që s’ta xen kurrë oborrin se ta ze shpia e komshiut, a prej asaj jetës më të mirë që ndoshta nuk e gjeti kurrë në Tiranë.

Udhët nuk janë qorre, jo, bajnë si bajnë po të çojnë të shpijat e kullat që krenueshëm qëndrojnë hala në kam atje në majat ma të larta. Iu asht ba zemra gur si muret, oxhaku mrena tyne nuk nizet ma për me i xe pak. S’ka kam robi, lot fmije a urtësi e të nem’me plaku.

Ver’ për verë malet rreth tyne digjen, kullat vrejnë, lshojnë djersë e lot dhe si dordolecë mes arash, nuk kanë gojë me fol. Presin shiun e bekum që nuk bjen ma se s’ka ça ban bereqet po edhe se asht hallakat prej “ngrohjes globale”. Masi nuk ka ma kam njeri, veç noj punëtori hashashi që preferon me u strehu në stane, edhe në televizor djegiet dalin pa pamje, veç me titra. Nuk asht ma lajm me u djeg pylli plot pisha atje në male të largëta, a thu se oksigjeni asht i ndam me dhoma.

Në ato shpi të ulëta e kulla krenare dikur pati jetë e vdekje. Lenë fmi e u banë burra, por dhe dekën shumë të tjerë veç se nuk patën një aspirinë. 500 metra larg atyne kullave, me thesin e miellit në shpinë vdiqën fmijë nanash, të cilët s’mujtën me i rezistu ma ecjes disa orëshe të kthimit prej Gjakove me borën deri në gju. Në ato kulla u përkundën djepa, u falën gjaqe e u shtrun nji mijë herë sofra veç me bukë, kripë e zemër të bardhë

Në ato kulla gjyshet tona pritën e përcollën partizanë që dojshin me dit veç ku asht rafti i bukës. Krejt ça jemi sot, është vazhdimi i të djeshmes sonë të gurtë, të lavdishme, të dhimbshme, por të jetume. Të parët që i lamë ato kulla jemi ne që i patëm, tesh ndaç njeriu, ndaç koha ka me i shem, bashkë me historitë e patregume që dhimbshëm i plasarisin ma me ngut ata gurë.