Xhavit Beqiri

Çka do të mbetej nga qenia jonë nacionale shqiptare (në Kosovë), nëse në mënyrë arbitrare ia heqim trashëgiminë gjuhësore, letrare e kulturore?!
Tendenca qorre që në vendin tonë të zhvleftësohet, të fyhet e të nëpërkëmbet gjithçka që lidhet me genin e etnisë: guhë, art e kulturë, nëse realizohet, do të prodhojë nga ne një Zomb-Etni, një komb surrogat, pa shenjë e nishan të vetin.
A do të ketë sukses kjo frymë antialbanologjike (antishqiptare), varet nga qëndrimi që do të mbaj unë, që do të mbash Ti, që do të mbajë secili nga ne.
Mohimi i etnisë nis nga mohimi i gjuhës, si shenja e parë dalluese e saj.
Mohimi i gjuhës sjell mohimin e letërsisë, si mjeti që e mban gjallë atë (gjuhën).
Mohimi i gjuhës dhe i etnisë së një etnie, nënkupton mohimin e ekzistimit të asaj etnie. Mbase, ky edhe ështe caku i fundit i antialbanologëve/antishqiptarëve, të cilët, me gjasë, nuk e duan një Kosovë shqiptare!
Dreqi, ka thânë ai i moçmi, fshihet në mes rreshtash!
Po, në fund të fundit, çka do të mbetej nga vetë qenia jonë shqiptare, nëse ndokush ka forcën të na i heqë nga kujtesa Buzukun, Budin, Bogdanin, De Radën, Naimin, Fishtën, Mjedjen, Lasgushin, Pashkun…
A do të ndiheshin vallë më të plotësuar ata, shqipfolësit e ekzaltuar që e kanë përqafuar me aq zell talljen me etninë, sikur ne, shqiptarëve, të na shlyhej kujtesa dhe të thoshim se ne jemi “njerëz të rinj” (si në romanin 1984 të Oruelit), ndaj duam një gjuhë të re socshqipe, një letërsi të re – socletërsi, një njeri të ri, sipas parametrave që na i pret dikush tjetër (dreqi e di se kush). pra një socnjeri.
Shqipërinë/Arbërinë e ka bërë sakrifica e Motit të Madh të Gjergj Kastrtiotit, e ka rilindur fryma/ideja e rilindasve të mëdhenj, ndërsa i ka dhënë trajtë moderniteti brezi i artë i intelektualëve të viteve 1920 -’30, të gjithë gjuhëtarë e letrarë.
Kosovën e pavarur, si ide e si realitet juridik, e nisi dhe e bëri një letrar, Ibrahim Rugova, me brezin e tij të viteve ’70, kryesisht letrarë e gjuhëtarë.
Kosovën në botë e bën të njohur si mëvetësi entike, gjuhësore-kulturore e politike albanologët e huaj, të cilëm me shqipen dhe popullin e Kosovës ranë në kontakt pikërisht nëpërmjet manifestimit kryesor botëror në fushë të albanologjisë, Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Robert Elsi ka qenë vetëm njëri prej tyre!
Shqiptarët e Kosovës do ta ruajnë do ta ruajnë identitetin e vet pikërisht nëpërmjet gjuhës, letërsisë dhe kulturës së vet autentike!
Asnjë shkencë, asnjë dije, asnjë religjion… nuk mund ta ruajë më mirë e më denjësisht vulën e etnisë sonë shqiptare sesa gjuha, letërsia dhe kultura jonë!
(Prishtinë, 18. XII. 2017)