Pas më shumë se 20 vjet heshtje, poeti Skënder Buçpapaj erdhi në 2009 me librin “Frikë nga atdheu” (Shtëpia Botuese Nacional).

Besnik Mustafai

Vjeshtën e kaluar ai botoi librin “Jubileu i shiut të çmendur” (Onufri). Përshtypja e parë pas leximit dhe më e lehta për t’u shprehur është se të dy librat janë një vazhdimësi. Këtu nuk e kam fjalën aspak për kronologjinë e botimit. Poezitë e Skënder Buçpapajt, pavarësisht kohës kur janë shkruar, kanë një lidhje të brendshme, një kohezion, që i jep veprës së tij unitetin, që e kanë vetëm poetët e mëdhenj, shkruan poeti Besnik Mustafaj.

Skënder Buçpapaj nuk improvizon dhe as nuk provokohet lehtë nga humoret episodike të përditshmërisë. Halli i tij është aq i madh, sa duket sikur nuk arrin dot as t’i shohë jargavitjet kalimtare të përkohësisë. Dhe shfaqet plotësisht i vetëdijshëm për statusin e vet sipëror, pa modesti të shtirur, gjë që do ta varfëronte dellin e tij dhe pa delir të tepruar, gjë që do ta shthurte dellin e tij. Ai vuan, qartazi vuan thellë, por nuk ankohet për vuajtjen e vet. Përkundrazi, ai e shijon vuajtjen e vet, ama pa asgjë të ngjashme me sadomazokizmin.

Ai e shijon vuajtjen e vet si një përmbushje të vetes. Sepse poeti i lartësisë së tij ka vuajtjen që i shkon: “Mjerë unë i lumi/lum unë i mjeri”. Qëllimi im me këto shënime nuk është për të bërë ndonjë analizë të hollë estetike të poezisë së Skënder Buçpapajt. Qëllimi im është shumë i thjeshtë: të shpreh kënaqësinë time nga këto lexime, me një shpresë të sinqertë se kjo kënaqësi do të bëhet sadopak ngjitëse për të tjerët, që edhe ata t’i drejtohen kësaj poezie.

Do të thosha, megjithatë, fare shkurtimisht se një përpjekje për t’ia nënshtruar poezinë e Skënder Buçpapajt një analize sociologjike, siç shqyrtohet rëndon poezia te ne, do të ishte ndoshta e kotë. Elementet informativë nga realiteti imediat janë shumë të tërthorta, rastë- sore, periferike, domethënë krejt të pamjaftueshme, sipas meje, për të çuar vë- mendjen te thelbi i imagjinatës së këtij poeti. Sepse ky poet është “Njeriu mbi mal”, i cili “e lëshon hijen e vet lart/Atëherë në qiell bëhet natë/Në tokë bëhet ditë”.

Po ashtu e kotë do të ishte edhe përpjekja për ta zbërthyer poezinë e Skënder Buçpapajt duke u nisur nga biografia e autorit. Fakti që ai është me origjinë nga Tropoja, që është larguar prej shumë vitesh jo vetëm nga vendlindja, por edhe nga Shqipëria, nuk ndihmon kushediçfarë për të zbërthyer kodin e poezisë së tij. Më mirë është që poezia e Skënder Buçpapajt të lexohet pa ditur asgjë rreth autorit, pa rënë në kurthin që ai ngre duke sjellë në vargjet e veta njëfarë topografie të këtyre viseve bashkë me florën, me faunën dhe me mjegullat e tyre.

Të kapesh në këto gjoja informacione për të kuptuar poetin e sotëm Skënder Buçpapaj më duket njësoj sikur në Deltën e Nilit, aty ku lumi më i gjerë e më madhështor i planetit tonë derdhet në Mesdhe, të besosh se po gjen ujin e Liqeneve të Mëdha të Afrikës, midis Kongos e Kenias, ku Nili buron dhe quhet Nili i Bardhë. Qoftë edhe kureshtja e zakonshme rreth identitetit njerëzor të poetit në këtë rast rrezikon ta thjeshtëzojë dhe ta mbajë në cektësi qasjen e lexuesit.

Poeti kujdeset vetë për ta paralajmëruar lexuesin: “Nëse një qiell zbret në livadhe e çati/ Në formë flokësh bore/Të lëshuara prej kokës së vet/Mos më kujtoni mua/Ai qiell nuk jam unë”. Nëse do të kërkoja një tekst paraprijës për këtë poezi, – e kam fjalën për estetikën e shkrimit, – nuk do të gjeja më të afërt se kapitullin e Zanafillës te “Dhiata e vjetër”. Po ajo derdhje vullkanike e frymës gjallëruese përmes fjalëve. Ndokujt mund t’i duket e tepruar kjo qasje. Unë ju ftoj të lexoni me zë një paragraf nga Zanafilla dhe fill pas, një nga poezitë e Skënder Buçpapajt.

Dhe nuk bëj blasfemi. Zot më ruaj nga gabimi! Hyu është Një, dhe poetin në këtë rast e ka krijuar sipas shëmbëlltyrës së tij. Ky është pohimi im. Ndërsa Skënder Buçpapaj, i cili nuk e fsheh dashurinë që ka për veten, kujdeset megjithatë ta vendosë veten aty ku ai beson se e ngjit energjia e tij krijuese, e ku nuk ka rivalë, “… paksa nën mendimin e Zotit”. Në këtë lartësi, ai nuk mund të jetë tjetër veç demiurgu, në kuptimin që i jepnin këtij përcaktimi në Greqinë e vjetër platonistët, domethënë hyjnia arkitekte e universit. Ne nuk kemi të drejtë t’ia vëmë në dyshim fronin këtij demiurgu në punë e sipër për të krijuar universin e tij. Ne kemi të drejtë ta pranojmë ose jo këtë univers. Unë për veten time e kam pranuar me gëzim.

”Para ardhjes time unë isha shpirt/Dhe pas ikjes time prapë shpirt do të jem”. Si demiurg, poeti Skënder Buçpapaj është natyrshëm hermetik. Ka qysh me shfaqjen e simbolistëve, në fund të shekullit XIX, që hermetizmi është treguar me gisht e madje është mallkuar nga jo poetë si shkaktari i ftohjes së lexuesit me poezinë. Megjithatë, poetët më të mëdhenj të shekullit të XX, përfshirë edhe ata që lindën si poetë nën diktatura mizore, si për shembull Shqipëria, ku hermetizmi në poezi shihej mirëfilli si pjesë e ideologjisë së armikut të jashtëm për të përmbysur sistemin, pra, të gjithë poetët e mëdhenj të shekullit XX, përfshirë edhe ata që lindën si poetë dhe u zhvilluan nën diktatura mizore, si për shembull Shqipëria, e kanë hermetizimin në gjakun e veprës së tyre.

Për t’i gjetur Skënder Buçpapajt një pararendës shqiptar, po përmend plot nderim Fatos Arapin. Nuk është rasti për të hyrë në shtjellime teorike për hermetizmin. Po them vetëm se përvoja e gjithë poeteve të mëdhenj, që janë lexuar dhe vazhdojnë të lexohen në gjuhët e tyre origjinale si dhe në dhjetëra e dhjetëra gjuhë ku janë përkthyer, pra, përvoja e të gjithë poetëve të mëdhenj na tregon se hermetizmi është organikisht fryma që moderniteti i shekullit të XX futi në shprehjen poetike. Me kusht që ky hermetizëm të ngjizet qysh në zanafillë në indin e verbit poetik, të jetë vetë misteri ngjizës i këtij verbi.

Hermetizmi nuk është teknikë letrare, që mësohet në shkollë apo duke imituar poetë të tjerë. Besoj se as vetë Skënder Buçpapaj nuk do të ishte në gjendje të na e shpjegonte hermetizmin e tij. Madje, nuk do të ishte çudi që ai të më kundërshtonte, duke ngulur këmbë se nuk është hermetik, siç bënte bie fjala, Octavio Paz, në mos gaboj, provë kjo se poeti i vërtetë nuk e kërkon hermetizmin siç kërkon, ta zëmë, rimën apo ritmin e vargut. I tillë poet është Skënder Buçpapaj, sipas të cilit “Hijet/Janë/Pasqyrimet tona/ Natyrore/Mbi tokë/Ne jemi/Thjesht/Kundërhije të/Hijeve/Tona”.