Një kuartet poetik që po vuloste një paradigmë të re, një këndim tjetër, një prurje tjetërfare letrare tashmë po shtrinte praninë në emra thellësisht të përveçëm: Lulzim Haziri, Shazim Mehmeti, Salajdin Salihu dhe Lindita Ahmeti.

Nga Bardhyl Zaimi

Poezia është akt vetmitar, por padiskutim asaj i duhet një ambient letrar, një trazim, një substancë transadentale për ta shfaqur praninë e vetë. I duhet një kontekst letrar, një kohë, që nuk ndërlidhet me teori shoqërore, por që ndërlidhet me ligjësi të brendshme tekstore pararendësish. I duhet një ndjeshmëri përtejme që vjen si puhizë e lehtë dhe që bart me vete misteret e krijimit, jehonat e largëta të ekzistencës, gjithë lëndën e jetës që kërkon të marr formë, të shpërfaqet si gjuhë supreme poezie.

Paradoksalisht, janë këto esenca, kjo gjuhë e harruar, këto vibrime dhe vezullime universesh fluturuese që e gjejnë krijuesin, e therrasin, i aviten pa të keq, për të dorëzuar shpirtin e çastit, atë dritë të përtejme në trup-shpirtin e poetit, të atij që paraprakisht është përzgjedhur për gjithë ato drithma, për gjithë atë kohë të mbushur me gjëra të pavërejtshme, për gjithë ato jetëshkrime dhe gjuhë gjësendesh që duhet të kumtohet në një gjuhë poetike.

Dhe, pikërisht, në kohën kur ju kujtoni se gjithçka i është nënshtruar heshtjes së vetë, kur gjithçka duket se është ngirë në praninë e vetë dhe kur gjithçka duket se pluskon rëndë në qenësi, nga majat e vetmisë së përjetshme shfaqet një fishkëllimi treni që shpon me melankoli të përhershme njerëzore përditshmërinë, duke i dhënë sinjalin e parë të ardhjes.

Kësisoj erdhën disa krijues shqiptarë në Maqedoni, të cilët, secili duke lëvruar tokën e sensibilitetit të vetë sollën me vete perlat e përtejme, gjithë ato afshe krijuese që bulonin diku në hapësirat e paskajshme të formimit poetik. Një kuartet i poetikave perfekte po shfaqej me gjithë seriozitetin e vetë, po shfaqej duke sjellë secili origjinalitetin e vetë të papërsëritshëm. Një kuartet poetik që po vuloste një paradigmë të re, një këndim tjetër, një prurje tjetërfare letrare tashmë po shtrinte praninë në emra thellësisht të përveçëm: Lulzim Haziri, Shazim Mehmeti, Salajdin Salihu dhe Lindita Ahmeti.

I shpërqendruar, plot energji, me një rëndomsi të parëndomtë, me spontanitet rok poezie dhe me një frymëmarrje  të thellë gjësendesh të përditshme, me poezi që lëshoheshin deri në djersën e trupave që tulaten në ekstazë, me një gjethe çaji në gojë, vinte Lulzim Haziri, për të na kumtuar se “Kënga lind në vetmi”. Një lirikë urbane që mbante era asfalt, që nuk sforcohej, që botën po e sillte me shenjtërinë e përditshmërisë, me grahmat e ditëve të “qytetit pa lumë”. Si bëhej vonë për asgjë, ai thjesht këndonte në akord me qenësinë e tij, në akord me qytetin, me dashurinë, me gjithë atë ndjeshmëri që ai i kapte në planimetrinë shpirtërore të qytetit. Prishtina, ky qytet që i kishte dhënë frymën e qenësisë poetike, po këtë qytet ai po e përjetësonte në poezinë e tij ngeshëm me një gjuhë të hapur metaforike, me gjetje gjuhësore dhe ritëm të brendshëm që ngjante me një jazz të përjetshëm.

Një student tjetër i Prishtinës, Shazim Mehmeti, po mbilthte gjymtyrët e “Shtëpisë së shkallmuar” dhe po kërkonte “Drejtpeshimin e humbur”. Elegant, plotë dritë të brendshme, me një gjuhë poetike të rafinuar dhe me një sensibilitet që rrokte tejpërtej qiellin dhe tokën, qenien njerëzore në thellësitë marramendëse. Ai vinte gjithashtu për të vënë vulën e origjinalitetit, të një këngëtimi lirik që shpërlahej në ujërat e përndritur të ekzistëncës njerëzore.

Dhe, gjithë trajektorja e tij krijuese do të mbetet një gjakim i përshpirtshëm për të kapur nëpërmjet gjuhës poetike esencat e mbrame të dritës së brendshme, gjithë qiellin e paanë të gjallnisë, të dashurisë që nëpërdukej nën sipërfaqet e akullta të ekzistëncës njerëzore. Një poezi fundekrye e përshkuar nga vrushkuj përftesash të përtejme, që hapte horizonte tjera receptimesh, që vezullonte me praninë e vetë. Një testament poetik që shkrihej përunjësisht në një çast drite, në jehona muzgjesh të parflakur të shpirtit njerëzor.

Si një madhni trotuaresh nga “qyteti me rregulla të serta”, nga “dhomat me qira”, nga një dimension i munguar mediteran, me “gjethe dafinash” dhe “ullinj dashurish”, ai vinte të zgjerojë limitet këngëtimit poetik me gjera të pavarejtshme por thellësisht madhështore, thëllësisht të përndritura, sakjshmërisht të bukura. Me “Vdes pas gjërave të imëta”, Salajdin Salihu tashmë po etablohej si një kulm poezie me një gjuhë poetike që fundekrye ishte muzikë e brendshme gjërash të harruara, metaforash përditshmërie që ngriteshin në hemisferat supreme të qenies njerëzore.

Paralelet e këtij këngëtimi përfshinin një gjeografi sa të kësobotshme, po aq të përftuar nga qiej të harruar kaltërsish mediterane. Gjuha e trotuareve, gjuha e gjësendëve të “imëta”, gjuha e shfaqjeve të përtidshme po transponohej nëprmjet mekanizmave poetik në një gjuhë brilante dhe të përveçme melankonish të përtejme që vinin si një bashkëveprim ndjesor mes qytetit dhe kaltërsive mediterane si topose ontologjike.

Dhe fryma e frymës, që vinte me një galeri të magjishme imazhesh të përtejme përrallore po vuloste një lirke të përsosur në gjuhë dhe ndjeshmëri. “Mjedra dhe bluz” dhe “Ishulli Adular”, të Lindita Ahmetit, po shpërfaqnin tashmë një këngëtim origjinal puro lirik që përshkonte fushëpamje të mbrujtuna në drithmat më të thella të shpirtit njerëzor. Një Safo e inkarnuar që tashmë po na merrte për dore dhe me qetësi hyjnore po na shëtiste në ishujt fluturues, për ta na dhënë një ekzistencë tjetër, një dimension tjetër, një ndjeshmëri tjetër mbi botën, jetën njerëzore, ku duhet të ecësh majegishtash për të mos e trazuar atë botë harmonie të pafundme që ishte krijuar me mëlmesat më të skajshme të gjuhës.

Gjithë krijimtaria e saj do ta ruaj këtë konstantë poetike që mbruhet në imazhe përrallore dhe thellësi gjësendesh që janë në sinkron me tingujt e përmallshëm të lirës orfeike.  Një emër i përveçëm, një vulë origjinaliteti që këngëtimin lirik e shpie në hemisfera transadentale, në pamje sureale që ngjizen diku në gjësendet e largëta dhe të harruara të universit shqiptar. Një poetikë që gjuhën e ka muzikë, e ka përmallje, e ka ekzistencë lulesh, bimësi që ngjitet e përflakur në kullën e qenësisë.

Janë këto poetika të veçanta që shfaqen në fillim të viteve të 90-ta, duke hapur  një horizont të ri këngëtimi, që zgjeron shprehimësinë poetike në dimensione të paeksploruara më parë. Këta katër emra krijojnë një paradigëm të re letrare që shtrihet si trajektore krijuese edhe në vitet më pas me emra tjerë krijuesish.

Secili në mënyrën e vetë mbrun botëshikimin dhe botëkrijimin poetik, duke zgjeruar kufijtë gjuhësor dhe të ndjeshmërisë krijuese dhe duke eksploruar shprehimësi tjetër letrare që vjen herë si reflektim ndijor i përditshmërisë e herë si lëndë dhe qenësi nga universi shqiptar. Ky këngëtim hap një fushëpamje tjetër në poezinë shqiptare me metaforat e përditshmërisë, por edhe me universin metaforik të një bote që rroket në dimensionet e përndritura të ekzistëncës. Kjo poezi vjen spontane pa ngarkesa kanonesh poetike, por me një gjuhë të përzgjedhur që shpërfaq gjendje shpirtërore tejkohore, gjendje ekzistence që fillojnë nga përditshmëria dhe përviojohen në përshpirtje mitologjish.

Një poezi që mbruhet në universin e përditshmërisë dhe shtrihet përmes gjuhës poetike në hemisfera universale. Pa mëdyshje, këta emra, kjo paradigëm e letrare denjësisht shndërrohet në vlerë referenciale në gjithë hapësirën shqiptare. E gjithë trajektorja krijuese e tyre ka inkarnuar tashmë këtë predispozitë krijuese që pa asnjë dilemë mund të konkurrojë edhe në hapësirën më të gjerë europiane të poezisë.

Janë emra që i bëjnë nderë lëtërsisë shqipe dhe që i japin asaj një paradigëm të re poetike që pa asnjë dyshim mund të zë vend të merituar edhe në sistemet poetike jashtë hapësirës letrare shqiptare. Ata erdhën spontanisht, pa sforcime, me atë prekje hyjnore për t’i bërë gjërat të përjetshme në esencat e veta. Poezia shqipe tashmë ka një kulm, një paradigëm që duhet të shpalohet nëpërmjet përkthimit në meridianet e poezisë së përbotshme.