Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Adem Gashi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

  • Kur po i lexoja një nga një mbarështimet e këtij pyetësori u ndjeva edhe një herë student, madje krejtësisht i papërgatitur. M’u kujtuan “Dialogët” e Platonit dhe mungesa ime e ushtrimeve në këtë lloj prove e sprove. Ma thotë mendja se shkrimtari të gjitha këto, veç e veç e së bashku, pjesërisht me ndërgjegje e pjesërisht pa të, i shqipton në krijimtarinë e tij, pavarësisht se në ç’vetë. Tashti, që në nismë, vogëlsia ime qorton formulimin e Prustit. Lumturia si gjendje shpirtërore nuk njeh gradacionin: e përkryer, më e përkryer, shumë më e përkryer. Lumturia është e tillë në vetëqenie ose s’është. Ideja ime për lumturinë, ndërkaq, shtrihet në korrelacion kohe: e gjatë, e shkurtër, e përkohshme. Ndoshta vetëm një shend shpirtëror aq fluturak që sa bëhemi të vetëdijshëm për të ikën.

Cila është frika juaj më e madhe?

  • Ah, ajo që s’dua ta kujtoj! Helmet e luftës. Ajo që ta vret që në zanafillë mundësinë e përballjes. Shpikja më e poshtër e njerëzimit.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

  • Ka goxha personalitete për të cilët kam shumë respekt, sidomos krijuesit e artit e të letërsisë. Admirim për asnjeri.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

  • S’e kam menduar ndonjëherë. Ndoshta Marin Barleti!

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

  • Megjithëse nuk ia kam parë hairin, përkundrazi, modestia.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

  • Nuk ia dal t’i ndaj shtirjen dhe vardisjen.

Në cilat gjëra e teproni?

  • Nganjëherë pikërisht në mosdurimin e shtirjes dhe të vardisjes.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

  • S’e di. Nuk më ka rënë ta provoj, po e di se nuk i kam dhënë zgjidhje as dilemës ndërmjet gënjeshtrës së dobishme dhe të vërtetës së dëmshme.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

  • Nëse përjashtoj itineraret gjeografike, rruga drejt takimeve të reja. Më duket sikur tok me mua rendin edhe drurët, edhe shtyllat, edhe gurët kilometrikë ndanë rruge.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

  • Ah, t’i kisha këtu miqtë e mirë do të ma thoshin! Sidoqoftë, më duket se e kam shtjerrë maksimën e Çehovit: “Arti i të shkruarit është arti i të shkurtuarit”.

Për çfarë iu ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

  • Në rastet kur kam “lejuar” të më qerasin zonjat.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

  • Duket konvencionale po s’kam asnjë lëkundje: Drita.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

  • Derisa s’kam bërë ndonjë të pabërë them se jam mirë me ekuilibrat. Kam një mike, eksperte neuropsikiatrie dhe të pasionuar pas letërsisë. Mbase po ta takoja do t’ia kërkoja gjykimin (në besë).

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

  • S’e kam bërë provën e duhur me vesin e duhanit.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

  • Statusin e gjyshit të tetë nipave e mbesave dhe zotërimin e përdorimit të fjalës.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

  • Gjërat që ndodhën jashtë vullnetit tim. Në rend të parë luftën.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësin të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

  • Pemë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

  • Unaza e fejesës dhe një laptop që ma ka bërë dhuratë një poeteshë.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

  • Pa diskutim, mosdijen.

Ku do të dëshironit të jetonit?

  • Këtu. Kudo tjetër s’do të isha ky që jam.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

  • Cilësi? Domethënë diçka me vlerë tek unë? I hyj në hak vetës dhe të tjerëve që më njohin po të përgjigjesha.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?

  • E para dhe e fundit: ndershmëria.

Çfarë vlerësoni tek një femër?

  • Ah, po qëlloi që e bukura të jetë dhe e mençur!

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

  • Milan Kundera.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

  • Kanë qëlluar heroina: Nënat.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

  • Në fakt i kam pasur po s’i kam zhvilluar: muzikën dhe pikturën.

Si do të dëshironit të vdisnit?

  • Po i “vjedh” titullin e një romani të Ymer Shkrelit: “Vdekja në ajër të pastër”.

Cila është motoja juaj?

  • Nuk e kam formuluar ende sa për ta patentuar.

________________

Prishtinë, 00:00/ 24-25 prill 2017