Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet gazetari, përkthyesi dhe aktivisti për të drejtat e njeriut, Belgzim Kamberi. 

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Një ëndërr e bukur që duhet synuar vazhdimisht.

Cila është frika juaj më e madhe?
Të mbetem pa guxim.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Ai/ajo që nuk e synon admirimin. Në kuptimin privat, prindërit e mi.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Antifashistin.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Tiparin që nuk e kuptoj se duhet mënjanuar.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Hipokrizinë.

Në cilat gjëra e teproni?
Indiferencën.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Zbulimi i së vërtetës.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rrugëtimi drejt së panjohurës.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
“Mundesh”.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Gjërat që nuk i kam bërë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Dashuria. Familja ime.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Nuk e di.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Meqë ka më shumë se një gjë, para së gjithash, nismën e ndryshimit tim.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Të qenit prind i dashur nga fëmijët e mi.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Të ardhmën.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Njeri.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Mendimin.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Injorancën.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në vendin e idealeve të mia.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Nëse duhet t’u referohem atyre që më njohin pak më mirë, atëherë përpjekja për të qenë modest.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Thjeshtësinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Natyralitetin. Vetëbesimin. Mençurinë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Kryesisht klasikët (Dostoyevsky, Shakespeare, Hugo etj.)

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Të panënshtruarit.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Talentin për të pasur talent.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Me shëndet, si e papritur. Që të mund të thuhet pastaj se vdekja ime nuk është dashur të ndodhë.

Cila është motoja juaj?
Nuk kam ndonjë moto të fiksuar; por do ta kisha veçuar : “Sa të rrosh, do mësosh”!/ Gazeta Observer