Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Ag Apolloni.

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?
Njeriu e synon lumturinë dhe vetë kërkimi i lumturisë është njëfarë lumturie. Kur vjen lumturia, apo “lumturia e përkryer”, atëherë shkon jeta. Prandaj s’kam si të mos pajtohem me filozofin gjerman Friedrich Schlegel, i cili të përkryerën e barazon me vdekjen.

Cila është frika juaj më e madhe?
Nuk i frikësohem asgjëje më shumë se kohës, ne jemi të kufizuar në kohë, e kjo na dëshpëron. Prandaj, Nikos Kazanzakis thotë:Zoti edhe duron, ç’i kushton koha atij? Është i pavdekshëm. Po njeriu?”

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Ka shumë të tillë të fushave të ndryshme: Milan Kundera, Philip Roth, Mario Vargas Llosa, Bob Dylan, Eric Clapton, Roger Waters, Hans Zimmer, Gottfried Helnwein, F. F. Coppola, Martin Scorsese, Jack Nicholson, Robert De Niro, Al Pacino, Daniel Day-Lewis, Gary Oldman etj.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Nuk dua të identifikohem me asnjërin, sepse s’dua ta përsëris historinë.

Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?
Nuk do të mburrem këtu me tiparet e mia të këqija.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni te të tjerët?
E pamundur të përgjigjem, sepse s’di nëse është vetëm një tipar dhe s’di kush janë “të tjerët”.

Në cilat gjëra e teproni?
Në gjithçka, si për mirë, ashtu edhe për keq.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Zori.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Çdo udhëtim jashtë shtetit. Për shembull, sivjet udhëtova nëpër Greqi, aty ku lindi qytetërimi perëndimor. Isha në: Olimp, Parnas, Delf, Athinë, Stagira, Termopile etj.  Është një udhëtim i paharrueshëm, ashtu si udhëtimi i para një viti nëpër Itali, ku do ta veçoja Firencen, në të cilën m’u duk se u rilinda.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Nuk e di. Ndoshta e di. Është pikërisht kjo “nuk e di”.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?|
Për pendime flas kur të plakem. Tash kam plane.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Këtë përgjigje do t’ia them asaj që do të ketë durim për të më ndjekur deri në fund të jetës.

Cila është gjendja juaj momentale mendore?
Shumë më e mirë se gjendja politike e Kosovës.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Jo, ashtu s’pranoj. O komplet, o hiç!

Çfarë konsideroni arritjen tuaj më të madhe?
Arrita mesin e jetës pa u korruptuar.

Nëse do të mund ta kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Nuk më mungon koha që iku, por ajo që do të vijë.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të ishit?
Do të doja të isha pasqyrë, sepse ashtu do t’ia tregoja secilit fytyrën e vërtetë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Shpirti që s’e shes.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Mosdijen.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në ndonjë planet tjetër, nëse ka mundësi.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Në bisedë zakonisht marr rolin e dëgjuesit.

Çfarë vlerësoni te një mashkull?
Paj, duhet ta vlerësojmë të ngjashmin.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Paj, duhet ta vlerësojmë të ndryshmen.

Cili është shkrimtari juaj i preferuar?
Duke qenë se disa i përmenda më sipër, ndërsa disa klasikë vetëkuptohen, këtu po i përmend vetëm pak emra, sa për të mos ju kthyer duarthatë: Joyce, T. S. Eliot, Conrad, Pirandello, Hesse, Camus, Kawabata, Mishima, Borges, Sabato, Saramago, Calvino, Buzzati, Eco, Marquez, Vonnegut, Coetzee, Nooteboom, Pamuk, Adunis, Oz, Houellebecq, Barnes etj.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Të gjithë ata që përpiqen ta bëjnë botën një vend më të mirë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Do të dëshiroja të isha më i talentuar në: shah, domino, dogërxhik, pishpirik etj.

Si do të dëshironit të vdisnit?
A mos thashë se dua të vdes, që u dashka ta zgjedh mënyrën?

Cila është motoja juaj?
“Në art mjafton të jesh më i miri” (Goethe)./Gazeta Observer