Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet ish-diplomati dhe analisti politik Arsim Zekolli.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Pavarësia absolute, reale dhe mendore, pavarësia ndaj nevojës për të pasur apo për të qenë diçka, pa pritje obligative nga unë apo ndaj tjerëve. Pavarësia nga e kaluara, nga ardhmëria, pa kufizime dhe pa imponime.

Cila është frika juaj më e madhe?
Të qenit barrë mbi supe të huaja.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Ismail Kadare.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Van Gog dhe Dostojevski. Janë të pandashëm. Dy krijues që përmes pendës dhe fjalës arritën të bartin dhe materializojnë mbi pëlhurë dhe letër kompleksitetin e shpirtit dhe mendjes njerëzore. I konsideroj jo vetem pionerë në humanizimin e dimenzioneve të errëta dhe jokomfore të njerëzores, por aq më shumë “përgjegjes” për thyerjen e limiteve mendore të kohës dhe paralajmërues të modernizimit.  Fillimisht nga arti dhe letërsia, për të zgjeruar ndikimin në studime të psikologjisë, filozofisë, shkencës, politikës etj..   

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Kokëfortësia dhe prirja për të ndërtuar mure përreth meje. Një nga kritikat e të afërmve të cilën e pranoj pa rezervë.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Të gjitha tiparet negative që i vërej me lehtësi tek tjerët dhe më bëjnë të skuqem duke menduar nëse vallë edhe unë i praktikoj pavetëdije.  Ç’të bëjmë, ende vlen parimi se çdo gjë që është njerëzore nuk është e huaj. E megjithatë, dinakëria nasradin-hoxhiane gjithnjë me asocion në perverzion të kamufluar në “filozofi popullore”.

Në cilat gjëra e teproni?
Në përditshmëri – duhani dhe varshmëria ndaj filmografisë dhe informacionit. Si konstante – paaftësia për t’ju përshtatur realiteteve mondane dhe pranuar gjërat ashtu si janë.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Zyrtarisht – asgjë, jozyrtarisht – paj … Nuk besoj në kategorizimin absolutist negativ të gënjeshtrës. Sa për ilustrim, përralla para Arit dhe Dorës se Babadimri dhe drenushat do ju sjellin peshqeshe në dhjetor është gënjeshtër. Simpatike, por megjithatë gënjeshtër tipike. Ndërkohë që, “Mein Kampf” është rrëfim i sinqertë nga Adolf Hitler. Morbid e monstruoz, por megjithatë i sinqertë. Prandaj, do gënjeja nëse vlerësoj se gënjeshtra është më shëruese se sinqeriteti destruktiv.
 
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Vështirë të vendosem mes rrugëtimit nga shkretërira e Kandaharit drejt bjeshkëve me borë të Taxhikistanit apo lundrimin e mesnatës në kulm të anijes nga Surat Thani drejt Kho Samui. Dëshira e paplotësuar – përjetimi i vetmisë në cepin Ushuaia.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Në banesë, “bre farën e kompjuterit”.  Jashtë banese, “espresso të shkurtë, ju lutem”.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Për një dyshim, një mllef, ca fjalë të rënda nga unë drejt një fytyre të zbehur dhe në grimasë dhimbje e zhgënjimi.  Një çast që zgjatë me dekada dhe më obligon të mos e harroj deri sa të them “më fal”.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Cilido reflektim për veten në kontekst të pjekurisë fillon me leximin e “Të vrasish zogun përbuzës” nga Harper Lee dhe blerjen e “The Wall” nga Pink Floyd. Këto dy momente definuan dashurinë e përjetshme për muzikën dhe letërsinë. Si beqar që jam, përgjigjja konkrete në të dytën pjesë të pyetjes do më kushtonte tepër shumë. Kështu që, ma mirë mos me folë.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Në temperatura 42C, mendjen e kam në feragosto dhe pritje të shiut të vjeshtës.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Averzionin ndaj institucionit të martesës.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Distribuimi i qumështit për foshnjet dhe “kafetinët” për gjyshet në Bllacë, më 25 mars 1999.
 
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Ende frymoj. Prandaj, nëse dëshira është aq e madhe për të drejtuar epizodet e jetës, nuk ka nevojë të rilindë për të ndryshuar gjërat e bëra në po këtë jetë. Ose së paku të bëj aq sa mund të bëj për t’i korrigjuar. Nuk them se do refuzoja një ofertë të tillë, fantazmagoria e së cilës mundëson kombinatorika  të panumërta mendore. Por, ja që thellë besoj se cilado vepër njeriu – e mirë apo negative – rezulton në pasoja ndaj qenieve tjera. Kështu që, nëse do ndryshoj diçka që konsideroj të mirë për vete, mbase kjo mund të ketë reperkusione jo të mira për të tjerët në organizmin përreth meje. Dhe anasjelltas, gjithnjë në frymën e thënies se nga çdo e mirë mund të lind diçka e keqe, por dhe nga e keqja buron ndonjë e mirë.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Shkencëtar aventurier që do vë kontaktin e parë mes njerëzimit dhe jashtëtokësorëve.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Eksperienca. Përjetimet private dhe profesionale – të mirat dhe posaçërisht ato jo aq të këndshme – si sfonde për autobiografinë që ndoshta një ditë do e shkruaj. Dhe ora e artë e dorës, dhuratë nga Presidenti i Turkmenistanit Berdimuhamedov. Nëse është vërtetë e artë.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Përfitimin nga mjerimi.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Për arsye klimatike, diku në afërsi të Alanjes në Turqi, në shtëpizë të vogël me bashqe mbi ndonjë breg me shikim drejt Mediteranit.  Jo tepër larg nga kafeteria lokale ku barista do më njoh emrin, shijen për espresso të shkurtë dhe do ruan ca eshtra për “retriverin” tim.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Do thoja së është prirja për kombinime inter-disciplinare të reflektimeve politike me ato letrare, artistike, psikologjike, kulturore për të sqaruar kompleksitetin e rrethanave të sotme dhe kahjeve të mundshme në të ardhmen. Kjo si karakteristikë – po aq sa dhe  hendikep – i individualizmit të theksuar dhe ngurrimit për të qenë apo për t’u konsideruar pjesë e grupacioneve.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Stoicizmi në karakter, non-shalanca në paraqitje, sensi për obligimet që tejkalojne suazat e interesit personal, përmbajtja nga vulgarizme banale, posaçërisht verbale. Me pëlqen që gjeneratat e reja të meshkuve ridefinojnë rolin e burrit si partner në familje, pa ikje nga përgjegjësia e të qenurit rol model për fëmijët.

Çfarë vlerësoni tek një femër?

Të njëjtat tipare sikur te meshkujt, por do shtoja sensin për humor, shkathësinë për të ridizejnuar veten dhe aftësinë delikate për stimulim erotik që tejkalon fizikusin apo garderobën. Pra, me theks të posaçëm për femrat që kuptojnë se faktori më tërheqës dhe flertues feminin gjindet mes veshve, jo mes këmbëve.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
John Updike, posaçërisht opusi kuatrologjik për Harry ( Rabbit) Angstrom. Dhe vargjet e naives poetike të ikonës së bohemisë shqiptare, Isuf Myzyri.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Gjenerata e viteve ’30, ’31, gjenerata  e prindërve të mi, e “babait tim punëtor” të përshkruar në vargjet e Minatorit. Heronj të vërtetë që sakrifikuan shumë për të ndërtuar një shoqëri, një shtresë të mesme që barti mbi supe transformimin tonë nga ruralja drejt urbanes. Janë heronj pa emër, pa mirënjohje të merituar shoqërore, pa vlerësim për modestinë e sakrificës së tyre.  Nëse insistoni në emër, do thoja se Fehmi Agani meriton të konsiderohet simboli historik dhe metaforik i kësaj gjenerate madhështore, një arkitekt që printe një armatë muratorësh e minatorësh fisnik.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Talent për matematikë.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Natën, me sy të hapur drejt qiellit me yje plot.
Mundësisht me soundtrack të Piano Concerto II të Edward Grieg nga Arthur Rubinstein. Nëse jo, shëndosh …

Cila është motoja juaj?
Dikush duhet. Banu dikush./Gazeta Observer