Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet profesoresha, aktivistja dhe opinionistja Besa Luzha.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia e përkryer për mua është të kesh më të dashurit e tu afër në momentet më të bukura të jetës, familjen, shoqërinë. Lumturia e përkryer është në gjëra të vogla, p.sh.: suksesi i fëmijës në mësime, dhurimi i luleve nga i dashuri, takimi me shoqen e fëmijërisë, arritja e suksesit në ndonjë projekt, etj. Këto gjëra më bëjnë mua të lumtur.

Cila është frika juaj më e madhe?
Humbja e familjarëve…

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Nuk kam ndonjë person të caktuar. Admiroj çdo njeri të suksesshëm, modest dhe të afërt.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Ana Frank.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Nuk di të them jo ndonjëherë, dhe marr përsipër gjëra që edhe mund të jenë përtej mundësive të mia.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Gënjeshtrën dhe pabesinë.

Në cilat gjëra e teproni?
Angazhimin për të bërë gjithkënd afër meje të ndjehet mirë, dhe angazhimin e tepërt në punë.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Shpëtimi i jetës sime ose të afërmve të mi.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
E kam ëndërr të shkoj në Paris, dhe ende nuk kam qenë.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Megjithatë!

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Jam penduar që nuk i kam kushtuar më shumë kohë fëmijëve të mi gjatë kohës kur jam angazhuar shumë në sferën profesionale.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Bashkëshorti im dhe tre fëmijët e mi.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Ndjehem shumë e relaksuar, e përmbushur dhe e qetë.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Të jem më e organizuar dhe të gatuaj më mirë.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Krijimin e familjes krahas karrierës sime.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Disa miqësi në rininë time të hershme.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Do të doja të jem lule.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Pianoja ime (përveç banesës ku jetoj).

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Vetminë.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në një shtëpi plazhi.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Dashuria e madhe që ndjej për të afërmit, shoqërinë dhe aftësia për të komunikuar me çdo kend, si dhe energjia pozitive që posedoj.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Trupin, shikimin dhe buzët në aspektin fizik. Kujdesin ndaj meje, afërsinë dhe mirëkuptimin ndaj angazhimeve të mia të shumta.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Edukatën, shijen dhe elegancën e thjeshtësinë, krahas mençurisë dhe zotësisë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Ismail Kadare dhe Elif Shafak.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Prindërit e mi dhe mësuesit në përgjithësi.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Me që kam shumë talente në fushën e arteve, kisha pasur dëshirë të shquhem për ndonjë nga sportet.

Si do të dëshironit të vdisnit?
E qetë, e rrethuar me fëmijët, nipat dhe mbesat duke i lënë lamtumirën të gjithëve.

Cila është motoja juaj?
Jeta eshte e shkurtër, jetoje dhe shijoje çdo moment të saj./Gazeta Observer