Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poeti Bislim Ahmetaj. 

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Dashuria, po pse jo edhe vdekja përderisa askush nuk është kthyer nga bota e përtejme!?

Cila është frika juaj më e madhe?
E panjohura, ajo bënë çudira në universin tim. Më rrudh, por edhe më nxitë të ndriçohem.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Atë që nuk e kam parë kurrë, bile asnjëri prej nesh besoj se ka parë,  por gjithsesi shumica jonë e ka perceptuar dhe adhuruar. Nëqoftëse  është “person” ZOTI, unë e adhuroj atë. Dhe adhurimin për ZOTIN e kam thënë edhe në intervista të tjera e kam dhuratë nga nëna ime që e ka besuar fshehurazi dhe në kohë të liga.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Nga personalitetet politike, por jo vetëm, do të doja ta identifikoja vetën me Ibrahim Rugovën, në  botën e poezisë dhe të prozës së shkurtër do të lakmoja  të identifikohesha me Martin Camajn, në publicistikë dhe në replikat e  drejtpërdrejta dhe menefregistë do ma kishte ënda të identifikohesha  me Faik Konicën. Me këto personalitete  kombëtare po kufizohem sepse janë po aq universale sa të huajt që mund t’i perifrazoj.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Ndoshta njëfarë krenarie e tepruar që do e quaja kokëfortësi. Kur bindem për diçka e kam të vështirë të ndryshoj mendim edhe pse mund të më kushtojë dhe kjo ka ndodhur jo rrallë në jetën time.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Hipokrizia, megalomania dhe servilizmi. Nuk u kufizova vetëm në një tipar edhe pse të tria në më të shumtën e rasteve i gjenë  të sintetizuara tek i njëjti steriotip.

Në cilat gjëra e teproni?
Në dashuri, në miqësi dhe nganjëherë në pije. Por, gjithsesi nuk pendohem  me këso lloj teprishë.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Jeta e fëmijëve të mi. Pikë.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Universi në të gjitha prerjet, në të gjitha mundësitë e mundëshme që njeriu i zakonshëm i ka sot  nga ajri, nga toka , nga deti. Në çdo cep të tij do të doja të shkelja edhe atje ku universi flen mbi “dafina” edhe atje ku vriten fëmijët vetëm sepse prindërit e tyre kanë lindur në një meridian ku më shpejt mbin lufta se paqja.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
E vështirë të ndalem në një fjalë apo frazë  të vetme, po në dy a tri  që i përshtaten natyrës time po mundohem si p.sh: ”Të lutem”, “me beso”, “ej mik mos e tepro”…pra pak a shumë ajo amplitudë që përfshinë durimin, të cilin e kam goxha të zhvilluar,  por sigurisht me limite.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Më ka ardhur keq për ato punë për të cilat kam qenë ideator dhe nismëtar, të cilat nuk kanë shkuar ashtu siç i kam pas projektuar unë në ëndrrat e mia, në shpirtin tim, në zemrën time, në mendjen time, në veprimet e mia praktike. Këtu bëhet fjalë për ato ide të mëdha që u projektuan, u frymëzuan dhe u bënë realitet në Dhjetor të 90-ës ku unë kam qenë  frymëzues, protagonist dhe veprimtar akti. Aso kohe ne, një grup idealistësh e kishim seriozisht me gjithë fuqinë e shpirtit, më pas e pamë që ëndrrat tona, shpirtin tonë, zemrat dhe mendjet tona të sintetizuara në veprime konkrete, veprime që prodhuan vepra të mëdha sic ishte pluralizmi politik, liria politike dhe ajo e besimit, liria e tregut dhe ajo e lëvizjes u  përdorën pamëshirshëm nga një grup njerëzish që i deformuan deri në zhgënjim. Por, gjithsesi nuk jam penduar aspak që i kam bërë ato veprime, edhe njëmijë herë të kisha mundësi t’i bëja të njëtën gjë do të bëja sepse ashtu mendoj edhe sot. Është mirë të çelish shtigje për njerëzit e vendit tënd edhe pse ato shtigje sapo të çilen të parët që vrapojnë t’i zënë janë zollumqarët dhe horrat.


Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Kam provuar shumë dashuri, por dashuria më e madhe e jetës time  deri në momentin që po i nëntrohem “testit (tuaj) të Prustit” mbeten Vetimi, Endi dhe Ajrisi, pra tre fëmijët e mi, më vonë ku i dihet se çfarë mund të ndodhë me dashurinë, kushedi mund të lindë ndonjë motër e Ajrisit  (hahaha) apo fëmijët e fëmijëve të mi. Nga koncepti i dashurisë kurrë s’kam mundur t’i ndajë prindërit, vëllezërit, miqtë dhe padyshim vajzat që i kanë dhënë trajta dhe vlug jetës time në këto 51 vite.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Kryesisht nën kontroll. E stërvis me lexim, me punën time të përditshme me studentët,  tek ftyrat e të cilëve mundohem të shoh rininë time të dikurshme edhe pse në retrospektivë. Eci shumë, pothuaj çdo ditë në qytet dhe në natyrë, takoj dhe komunikoj me njerëz të gjithfarëllojshëm nga lypësi i rrugës tek kolegu i universitetit, nga politikani i krimbur në korrupsion tek poeti dhe artisti që shpesh si ka lekët për një gotë verë apo më keq raki, nga profesionisti i mirë tek “garipi” që ka blerë dyqan në qendër të qytetit. Ky lloj diversiteti më ka bërë që ta vejë jetën time në balancë dhe ta kem nën kontroll për aq sa është e mundur në këtë kohë shtrigash dhe shtriganash.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Nuk them që do e bëja nga fillimi, por do më duhej punë e madhe, shumë e madhe. Ta mbyll me kaq këtë pyetje…

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Përpjekjen stoike për të mbetur njeri. Ata që më kanë njohur fëmi dhe ata që më njohin tani “burrë” dakordësohen në këtë pikë,  kam ruajtur në maksimum ekuilibrin e të qenit njëlloj si atëherë kur kam qenë “askushi” si atëherë që kam qenë “dikushi”. Kam kohë ta prish këtë ekuilibër dhe nëqoftëse e ruaj kjo do të jetë arritja ime më e madhe në jetë.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Siç thashë tek ajo pyetja më lartë “se çfarë do të ndryshoja tek vetja”,  kështu do të përgjigjesha edhe tek kjo pyetje për kohën. Por, e kaluara nuk kthehet, kështu që  lum ata njerëz që nuk ju rëndon e kaluara , lum ata njerëz që si kanë borxh të kaluarës. E kaluara nuk blihet siç nuk mund ta shesim të ardhmen. Gjithkush  sipas meje duhet të punoj me  aksiomën “ Puno për të ardhmen kur je duke jetuar në të, sepse koha, as blihet, as shitet”.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Që do të vdes është ngjarje e sigurtë statistikore, kur të ndodhë kjo do të doja të mos kujtohem si një “send” por, si një njeri që bëri aq sa mundi për ta përmirësuar jetën shpirtërore të njerëzve, me poezi, me miqësi, me vepra të vogla mirësie. Kaq do mundohesha të bëjë edhe po të ringjallesha të cilën nuk e di është mirë apo keq, por nuk i besoj. Ringjallja për mua është ajo që ke bërë në jetën që Zoti të dha për të jetuar. Njoh shumë “sende” që janë vetëm një gurë varri nganjëherë edhe shumë i madh dhe i gdhendur nga mjeshtër të gurit që i  rëndojnë tokës  nëpër varreza, siç njoh edhe shumë e shumë të tjerë që kujtohen me mallë dhe shumë dashuri edhe pse mund të kenë vite, dekada dhe shekuj nën dhe…

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
LIRIA. Fatkeqësisht në Atdheun tonë s’ka kurrfarë vlere monetare si p.sh në SHBA apo vende të tjera perëndimore ku të qenit i lirë të bënë jo vetëm të pasur shpirtërisht, por shpesh herë edhe ekonomikisht,  por për mua LIRIA  është aseti më i shtrejtë dhe pasuria ime më e madhe. E vlerësoj këtë aset sepse më ka dhënë mundësinë të jem vetja ime, të gjej miq të sërës time dhe fundja e fundit më ka mundësuar ta jetoj i lirë jetën time edhe pse Liria në vende si ky i yni ta vështirëson jetën,  mua ma ka zbukuruar, ma ka bërë dinamike, të vyrtytshme dhe pse jo të lakmueshme.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Injorancën dhe mungesën e  identifikimin të saj. S’ka robëri më të madhe se injorancën, fatkeqësisht në Atdheun tonë akoma kjo fantazëm është epidemike. Njerëzit e dritës s’duhet t’i ndalin kurrë përpjekjet për çlirimin e bashkëkombasve tanë nga kjo mortajë. Kur ta mbërrijmë shkuljen e kësaj sëmundje me emrin mjerim nga vendi ynë jam i sigurtë që të gjithë do ta shohim njëri -tjetrin sy ndër sy pa na ardhë aspak marre prej njëri- tjetrit.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Kam pasur mundësi të jetoj në Vjenë,  në Londër, në New Jork dhe Bruksel, por përderisa jetoj në Shipëri besoj se e kam dhënë në mënyrë shterruese përgjigjen e kësaj pyetje.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Të qenët i hapur, pra i sinqertë. Kjo më ka përballur shpesh me pasoja cinike e  gati katastrofike, por ç’t’i bësh është pjesë e karakterit dhe karakteri është e vetmja dhuratë me të cilën ne lindemi. Karakterin përgjatë jetës ne mund ta përsosim, ta axhustojmë, por s’mund ta ndryshojmë.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Fjalën e matur dhe mbajtjen e saj.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Arkitekturën  shpirtërore dhe pa dyshim edhe hijeshinë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Janë shumë, të huaj e vendas,  klasik dhe modern. Por, pse ta fsheh një të vërtetë të madhe që është brenda meje. Për të shkruar poezi dhe prozë mua më ka inspiruar që në vogli vëllai im,  vetëm dy vite më i madh,  tani shkrimtar dhe publicist i njohur në Shqipëri, Kosovë dhe ku shkruhet e flitet shqipja por edhe përtej gjuhës tonë amëtare,  dhe  ai është Arbër Ahmetaj. Jo shumë modeste si përgjigje, por shumë e sinqertë dhe po kaq e vërtetë.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Im atë edhe pse ai s’ka fituar akoma asnjë luftë , bile as luftën me ne,  katër djemtë e tij.  Aq më pak me mua me të cilin “lufton” pothuajse çdo mbrëmje.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Përderisa shkruaj poezi dhe jo keq, nuk besoj se ka vend për një talent tjetër më të ëmbël, më të bukur, më afër njeriut dhe natyrës. Kështu që falenderoj Zotin që më ka paisur me këtë talent hyjnor, zeje të cilën kam ma shumë se 35 vite që e ushtroj me dashuri dhe përkushtim, zeje që  kurrë s’më ka shkuar mendja ta braktis. Poeti i mirë  mund të shkruaj edhe prozë të mirë, ndërsa prozatori e ka të vështirë në mos të pamundur të shkruaj poezi të mira. Ndoshta e kam gabim por…

Si do të dëshironit të vdisnit?
Si “king” që do të thotë pa vuajtur, pa lënguar,  pa i bërë të vuajnë njërëzit e mi të dashur. Kështu besoj se duan të vdesin të gjithë njerëzit që s’kanë bërë keq në të gjallë. Edhe një gjë,  do të doja ta shihja në “kinemanë e të vdekurve” një video të funeralit tim.

Cila është motoja juaj?
Të angazhohem, të veproj, të bashkëpunoj me njerëzit, të bëj gjithçka për t’jua lehtësuar jetën atyre, të mos hesht kurrë para padrejtësive dhe të luftoj me çdo mjet që ta përmirësoj botën ku jetojmë duke u nisur nga vetja ime./Gazeta Observer