Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari dhe diplomati Kujtim Morina.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Për mua, lumturia e përkryer shkon në përfytyrimin e Borgesit, sikur të kisha një bibliotekë të madhe dhe të lexoja apo krijoja gjithë kohën. Të kisha kohë edhe për udhëtime për t’u shkëputur dhe kthyer në botën e letrave dhe të ardhura të mjaftueshme për një jetesë normale.

Cila është frika juaj më e madhe?
Sado që përpiqem ta shmang, mbetem superticioz. Shumë gjëra duhet t’i bëj patjetër në mëngjes dhe jo ditën e martë se mund të më ndodhë diçka. Apo kur kam parë një ëndërr të keqe, mendoj se po s’doli deri në mesditë, nuk del më. E plot frikëra të tjera që vijnë nga supersticioni, një mace e zezë që më shkon anash e konsideroj se nuk ma preu rrugën, pra mund të vazhdoj, etj, etj..

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Pavarësisht nga admirimi për njerëzit me vlera, përpiqem të mos krijoj idhuj të gjallë e as të vdekur. Se do të bija vetë viktimë e tyre dhe do të më pengonin të ec përpara. Për t’u admiruar ka nga të gjithë kategoritë e njerëzve që përpiqen të bëjnë diçka të vlefshme apo të bukur duke sfiduar realitetin që i rrethon.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Në rang botëror, besoj se është Çurçilli që e udhëhoqi vendin e tij në një periudhë të vështirë gjatë luftës së dytë botërore, ndërsa për personalitetet kombëtare shqiptare çmoj veçanërisht Abdyl Frashërin, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, që arritën të ngrenë shtetin shqiptar sado që të përgjysmuar por me përkushtim të madh dhe vizion historik. Padyshim edhe Ibrahim Rugova për shtetin e Kosovës.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Një ndjesi drejt vetmisë. Vetmia apo shoqëria sado që janë të nevojshme për njeriun mendoj se nuk duhen tepruar. Për të tjerat nuk jam pishman.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Hipokrizia e tepruar. Të gjithë jemi ngapak hipokritë, por disa e teprojnë shumë saqë s’kuptohet çfarë cilësie vetjake kanë. Ose ata që nuk i shprehin asnjëherë mendimet e tyre por presin të dëgjojnë mendimin e tjetrit për t’ia miratuar në çast dhe për ta harruar pas një minute.

Në cilat gjëra e teproni?
Në të këshilluarit e fëmijëve të mi. Jam paksa strikt nga natyra dhe përpiqem t’ua kultivoj edhe fëmijëve duke harruar shumë herë se njerëzit kanë natyra të ndryshme dhe mënyra të ndryshme të të bërit të gjërave.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Diçka që do të më mdihmonte të ec vetë përpara por pa i bërë dëm njeriu.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Kjo pyetje ka kuptime të ndryshme. Xhirot e mbasdites, p.sh, me atë ecjen e shpejtë për një gjysëm apo një orë kur edhe po të shkëmbehesh me njeri në rrugë, i thua dy fjalë dhe vazhdon.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
‘Për mendimin tim,” apo ‘besoj se”. Dua që t’ia cilësoj tjetrit që ky është vetëm mendimi im dhe të mos marr poza sikur i di të gjitha. Pra t’i tregoj një rrugë pa i thënë se rrugët e tjera i ka të mbyllura.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që nuk kam mësuar më shumë gjuhë të huaja.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Pasioni për të lexuar dhe për të shkruar pa harruar edhe dashurinë për familjen dhe njerëzit e tjerë të dashur.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
E qetë. Besoj se njeriu kur i afrohet moshës mesatare bëhet më paqësor, beson më shumë në Zot dhe i çmon gjërat më shumë.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Sinqeriteti i tepruar. Me maskarenjtë nuk duhet të ketë sinqeritet, por prapë e kam të vështirë të dal nga natyra.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Jam në procesin e të bërit të gjërave dhe nuk kam arritur ende tek bilanci.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Mënyra si e ndërtuam demokracinë në Shqipëri, jo me vizion dhe me aftësi menaxheriale.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Në një pemë ulliri apo “evergreen,” pra pemë me gjelbërim të përhershëm. Që të paktën sa të jem gjallë, njerëzit të gjejnë kënaqësi tek unë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Besimi tek vetvetja për t’i bërë gjërat pavarësisht se po shtohen shumë dështimet.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Mosnjohjen e vetvetes.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në Tiranë pavarësisht se është bërë si një fjetore e madhe dekadat e fundit. Por prapë kanë mbetur oazet e hershme në qytet, në mos për të banuar, të paktën për të dalë shëtitje.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Unë besoj se ndershmëria është politika më e mirë pavarësisht se në përgjithësi dështon për momentin por po i qëndrove, mund të japë rezultat.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Mbajtjen e fjalës.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Sharmin.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Kam shumë, autorë të huaj të njohur dhe shqiptarë. Do të veçoja me këtë rast disa libra që kam lexuar kohët e fundit të autorëve shqiptarë si “Shtëpia e mbetur përgjysëm” e Pjetër Arbnorit, “Yjet janë fare pranë” të Betim Muços, libra të Ismail Kadaresë, etj. Dua të them se rendja mbas letërsisë së huaj nuk është gjithmonë efektive sepse leximi ka të bëjë me njohjen e kontekstit që për letërsinë e huaj sado të mundohemi është më e kufizuar. Besoj se dy janë motivet kryesore të leximit, kënaqësia që përftohet dhe të mësuarit e diçkaje. Andaj jam për një balancë më të mirë mes letërsisë së huaj dhe asaj të vendit sepse po bëhen shumë autorë shqiptarë që kanë avancuar në zejen e shkrimit dhe kanë udhëtuar e kanë parë shumë, pra mos t’i hedhim poshtë apriori.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Heronjtë besoj se i përkasin aktualisht fushës së biznesit, atij të ndershëm. Pra që i ngrenë gjërat nga hiqi dhe duke punuar ditë e natë arrijnë të kenë sukses e të ndërtojnë jetën e tyre pa ia shtrirë dorën kujt.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Atë të shkrimtarit, në masë më të madhe sesa e kam.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Pas një jete ku mund të radhis se kam bërë diçka. Le të vijë, si të vijë pastaj.

Cila është motoja juaj?
Më mirë djepi bosh se djalli brenda./Gazeta Observer