Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtarja Nerimane Kamberi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia e përkryer? Nuk e mendoj, lumturia më mjafton.

Cila është frika juaj më e madhe?
Më frikësoj kjo pyetje. Të humbi të dashurit e mi, të përsëritet lufta .

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Nuk admiroj as të gjallë as të vdekur, kanë qenë dhe jemi njerëz, të gabueshëm, të lëndueshëm e të papërmirësueshëm. Por, shumë njerëz sot më frymëzojnë, më udhëzojnë në veprime dhe në vendime, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi. Nga mësuesit e parë, prindërit, miq që kam e kam pasur këtu dhe atje ku kam jetuar apo ku udhëtoj, me të cilët punoj dhe kam punuar. Nuk kam idhuj, por kam modele.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Këngëtaret me ngjyrë të Amerikës, Hannah Arendt për guximin intelektual e shumë shumë të tjerë.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Ndoshta besimi i tepruar në njerëz. Apo mosdurimi që çdo ditë po më rritet.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Mediokriteti.

Në cilat gjëra e teproni?
Në pasionet e mia. Në kërkimin e së bukurës

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Moslëndimi, moszbulimi i fshehtësive të dikujt.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Çdo rrugëtim i cili më magjeps për nga bukuria e peisazheve, monumenteve, për shpirtin qytetar dhe thjeshtësine fshatare. Sigurisht rruga për herë të parë për jug të Shqipërisë.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Voilà, thënë frëngjisht edhe kur flas shqip. Qyqe, në shqip.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Më mirë të më vjen keq për diçka që e kam thënë ose bërë se se të më vjen keq për diçka që nuk e kam thënë apo bërë. Më duket se e ka thënë Oscar Wilde.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Vetë dashuria ndaj jetës, që më bëj ta jetoj jetën me plot vrull, t’i dua njerëzit dhe veprat e tyre.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Në vlim. Me ide, me emocione, me plane,…Me shikim përpara, por me ngapak mall për çastet që ikin, njerëzit që më largohen…

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Shpirtin e revoltuar, shpejtësine e reagimeve, ndonjëhere pa menduar shumë

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Kam arritur të krijoj një raport miqësor me djemtë e mi dhe të ndajë me ta shumë pasione të mia. Në gjuhën në të cilën jam rritur, frëngjishten. Të ndajë me burrin tim dashurinë për fotografinë dhe dashurinë.  Por edhe, ta them pa modesti, të zgjoj admirim te disa.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Ta fshijë periudhën e luftës e disa vite përpara saj.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Në vetë natyrën për të vdekur e lindur  pafundësisht, për të gjelbëruar në pranverë, lulëzuar në verë,  marr flakë në vjeshtë dhe zhveshem në dimër. Që të më pushtojnë lulëkuqet në grurë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Tani për tani mendjen.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Të jesh i varfër në shpirt. Të ushqehesh me dhunë dhe ta ushqesh atë.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Këtu ku po jetoj tani, por me më të dashurit e mi. Sigurisht që pa ta ky vend nuk do t’ishte po aq i mirë për mua.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Etja për të parë, zbuluar, ndier.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Zotnillëkun dhe humorin fin.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Sharmin që ia jep inteligjenca, qëndrimi dhe bukuria fizike.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Nuk kam shkrimtarë të preferuar, siç nuk kam libër të preferuar. E dua tepër leximin për të bërë përzgjedhje. Por, do të mund të ishte shkrimtare femër për tërë ndjeshmërinë apo egërsinë që vënë në librat e tyre.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ata që shkojnë deri në fund të ëndrrave të tyre, të betejave të tyre, të kauzave të tyre dhe të pasioneve të tyre.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të luaj violinë, ama mjeshtërisht.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Nuk më pëlqen kjo pyetje, çka mendonte Prusti?

Cila është motoja juaj?
Shijo. Ndije. Jeto! /Gazeta Observer