Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poetja Olimbi Velaj.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Nuk kam qenë asnjëherë në gjendje të krijoj një ide definitive për lumturinë, aq më tepër për lumturinë e përkryer. Megjithatë kohë pas kohe mendoj se njeriu mund të jetë relativisht i lumtur, mund të gjejë çaste të një lumturie të madhe, e cila mund të jetë edhe e përkryer për nga intensiteti më shumë sesa për nga kohëzgjatja. Ajo që kam kuptuar është se njeriu mund të jetojë mirë nëse arrin ekuilibrin me veten, nëse i kupton kufijtë e vet dhe nëse e kupton se i vetmi krahasim është midis atij vetë dhe kufijve të tij si qenie; nëse nuk e harxhon kohën dhe energjinë duke konkurruar me të tjerët, por vetëm duke i shkuar deri në fund vetes, mendoj se secili është në rrugën e duhur drejt qetësisë e ekuilibrit, gjë që vetëm pak njerëz e kuptojnë dhe që vetëm shumë pak e arrijnë realisht.

Cila është frika juaj më e madhe?
Gjithmonë më tremb ideja e një katastrofe të madhe, të menjëhershme, nga e cila mund të kem mbijetuar e vetme. Mendoj se nuk do të kishte vuajtje dhe pakuptimësi më të madhe sesa humbja e gjithë njerëzve dhe e botës në të cilën ke jetuar dhe je ndërtuar si njeri.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Nuk kam admiruar kurrë në jetë dikë për gjithçka, në fakt marrëdhënia ime me modelet ka qenë gjithmonë e dështuar, edhe kur isha adoleshente nuk mundesha të kisha idhuj. Kurrë nuk kam besuar se ka qenie njerëzore të cilat meritojnë admirim për çdo moment të jetës së tyre. Por, admiroj shumë njerëz për vepra ose veprime që i tejkalojnë vetë ata dhe që i bëjnë nder njerëzimit.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Me gjithë përpjekjen time për të sjellë dikë në mendje, nuk mundem të pohoj ndonjë emër. Pyetje edhe më e vështirë se ajo më sipër….

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Mungesa kronike e optimizmit për gjërat dhe botën është diçka që nuk më pëlqen te vetja. Po gjithashtu nuk më pëlqen që i trajtoj të gjithë njerëzit njëlloj, pa kushte, pa e vrarë mendjen për reciprocitetin, gjithashtu duke mos u përqendruar fare te pozicioni që kanë ata. Për mua nuk ka rëndësi nëse janë portierë, apo shefa. Nuk i kam marrë kurrë parasysh rolet, por vetëm njerëzit vetë. Është një “gafë” e madhe kjo nga ana ime, sidomos një kosto e madhe, sepse jetojmë në një shoqëri ku njerëzit nuk përfillen për vlerën që kanë në vetvete, por vetëm për funksionin. Ky është “vesi” më i keq që i njoh vetes në rrethanat ku jetoj. Megjithëse më dëmton herë pas here, nuk hyn te veset me të cilt dua të ndahem.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Nuk toleroj dot padrejtësinë, shtirjen, gënjeshtrën, indiferencën, zilinë, po sidomos servilizmin dhe autocensurën. Shoh njerëz në moshë të pjekur që nuk kanë guxim të shprehin qoftë edhe një herë në jetë atë që mendojnë, atë që ndiejnë. Shoh burra e gra që përpëliten në hipokrizi me shpresë se kjo strategji do i bëjë më të pranueshëm, më të respektueshëm, kur në fakt i bën përditë më të përçmueshëm e më të mjerë. Është vajtuese të shohësh se si në masë njerëzit e “shoqërisë moderne shqiptare” zhvishen nga dinjiteti dhe zvarriten të frikësuar për vdekje nën komandën e shefave dallkaukë (qoftë shefave të partive, qoftë shefave të institucioneve), që vlejnë shumë më pak se ata vetë, por që janë “të fortë” dhe “të bëjnë gjëmën”, prandaj vartësit  vihen në rresht, se ndryshe “u heqin kokën”. Po ç’e do një kokë frymori, kur nuk ke mundur kurrë asnjë minutë në jetë të jesh përpjekur për të pasur një kokë njeriu?! Edhe më qesharak më duket besimi i këtyre “njerëzve të tredhur” që teksa zvarriten përditë e më keq në llum, bërtasin duke i mbushur mendjen vetes (dhe klanit të tyre) se po ngjiten…..Shpesh vras mendjen dhe kërkoj shpjegim për gjithë këtë kulturë eunukësh që kemi ndërtuar si shoqëri. Ndonjëherë dua të besoj se presioni me papunësinë i bën njerëzit të pranojnë frustrimin dhe të jetojnë duke ulur kokën. Sidoqoftë nuk arrij dot ta kuptoj deri në fund këtë….Krahasuar qoftë edhe me një dekadë më parë, në gjykimin tim, shqiptarët po i bjerrin vlerat më të mëdha që dikur kishin dhe me të cilat mburreshin.

Në cilat gjëra e teproni?
Me altruizmin, mendoj. Mbase edhe me idenë e kotësisë, sepse mendoj: gjithçka, tek e fundit, është pa kuptim….dhe kjo të step….

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Nuk jam në gjendje të gënjej dhe shumë rrallë detyrohem ta bëj diçka të tillë. Sidoqoftë, në ato pak raste që kam qenë e detyruar të gënjej, e kam bërë nisur nga shtysa pozitive, që nuk ua bëjnë më të keqe ditën ose jetën të tjerëve; shtysa racionale, që nuk i tejkalojnë gjithashtu të drejtat, sepse ndryshe nuk guxoj të “ndërhyj”. Kur kam bërë diçka të tillë jam përpjekur ta vë veten në vendin e tjetrit dhe të kuptoj sa të mundem pozitën e tij, dobinë dhe dëmin ndaj tij.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rrugëtimi nëpër fëmijëri. Të gjitha kujtimet e mia të asaj kohe më duken fantastike. Rrallë më ndodh të jem aq e qetë sa të zhytem e të kujtoj me kthjelltësi momentet magjike të mbetura në kujtesë nga ajo kohë. Por ndiej shumë kënaqësi kur arrij të kujtoj gjyshin duke më treguar përralla ose ndodhi të jetës së tij të çuditshme. Çasti më i bukur është kur (besoj se) ia kujtoj zërin…..Për mua nuk do gjendet kurrë një rrëfimtar më i mrekullueshëm se ai. Dhe që prej fëmijërisë kam nisur të vlerësoj zërin e çdo njeriu si një tipar shumë të rëndësishëm. Gjithmonë më bën përshtypje zëri.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Janë nja tri fraza, oksimorone në fakt, që i kam thënë dikur kalimthi, kur isha në shkollë të mesme dhe që të tjerët m’i kanë kujtuar pa pushim e unë tani i përsëris edhe vetë prej vitesh. Njëra është: “Lartësia e ultësisë suaj”,  tjetra: “Jeni thellësisht i cekët” dhe e treta: “Anonim i shquar”….

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Më në fund kam mësuar të pranoj se keqardhja nuk ia vlen dhe se në jetë nuk ka asgjë me “sikur”, por ka vetëm një version: ai që ka ndodhur. Kjo logjikë më duket shpëtuese, përveçse e drejtë. Megjithatë unë isha dhe jam një nga njerëzit që nuk shpëtoj dot nga keqardhja.

Së pari një nga tipet e keqardhjeve të mia (sepse kam jo pak të tilla) është pamundësia e një komunikimi të plotë. Më vjen keq për çastet kur ndjeshmëria, dëshira dhe artikulimi im nuk kanë qenë në harmoni dhe kur kam mbetur e pakuptuar, pikërisht sepse kam dështuar me fjalën. Gjithmonë kam besuar se njerëzit mund të komunikojnë në një masë të madhe jo domosdoshmërisht përmes fjalës, por në fakt kjo më është përmbysur dhe kam kuptuar se gjërat duhen thënë patjetër edhe me fjalë, pa i lënë të kthehen në pengje. Në njëfarë mënyre, duke qenë një “njeri i fjalës” së shkruar, e kam gjetur veten edhe si një “dështake të fjalës” së folur.

Një tip tjetër keqardhjeje është pamundësia e harmonisë në të vepruar: Kam pasur çaste kur logjika dhe arsyetimi im nuk kanë qenë në të njëjtin nivel me aksionin nga ana ime. Nuk ka gjë më të keqe, sesa të kuptosh situatën, të dish si të veprosh dhe pastaj, papritur, të kthehesh në një spektator dembel dhe kontemplativ, sepse të mungon energjia në atë moment, ose sepse shpërqendrohesh pa kuptim. Keqardhja më e madhe në jetë është të shohësh veten nga këndvështrimi i një spektatori të çinteresuar, gjë që më ka ndodhur jo rrallë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Familja, sidomos Tadeni, nipi im 7-vjeçar, një fëmijë i mrekullueshëm, shumë inteligjent dhe i ndjeshëm, që prej dy vjetësh jeton në Kanada…. Kam një afinitet të madh për kafshët (maçoku im, Billi, që nuk mbijetoi dot para dy muajsh, më ka bërë të hidhërohem në një mënyrë që nuk e mendoja dhe as nuk do ta besoja po ta ma thoshte dikush, para se të më ndodhte vetë).

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
E ekuilibruar, them.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Të mësoja t’u thosha pak më shpesh “JO”, sidomos njerëzve që nuk e meritojnë vëmendjen time, aq më pak ndihmën dhe kohën time. Por jam në progres, sidoqoftë.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Nuk e di qartë, në kuptimin nuk di sa objektive jam, sepse nuk kam statistika, por e di se kam bërë disa gjëra që kanë mbetur. Ekzistojnë disa lexues të letërsisë, shumë seriozë, që i vlerësojnë poezitë të mia dhe që ma kanë shprehur këtë. Ekzistojnë disa lexues gazetash, të cilëve u kanë bërë përshtypje shkrimet e mia në dy dekadat si reportere, sepse më ka ndodhur të më identifikojnë, pa më njohur fytyrën. Gjithashtu ekzistojnë mjaft sudentë që janë inspiruar diku dikur në ndonjërën nga orët e mësimit ku kam ligjëruar dhe që ma kanë thënë këtë, pasi i kanë kryer studimet….Unë vetë veçoj dhe vlerësoj më së shumti disa nga poezitë që kam shkruar. Jam në borxh të madh me veten për sa u përket arritjeve, por nuk dëshpërohem, sepse çdo gjë që bëj, e bëj seriozisht dhe shterueshëm. Nëse do të jetoj aq sa jeton mesatarisht një shqiptar, nuk besoj se do të mbetem në borxh me veten.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Do të ndryshoja indiferencën me të cilën i kam jetuar disa nga periudhat e jetës sime, duke i parë si tranzit, si periudha pune dhe vetëm pune e perfeksioni, duke u fiksuar pas cilësisë, pa balancën e përgjithshme dhe pa qenë e ndërgjegjshme se jeta nuk është shumë e shëndetshme pa ekuilibrin e gjërave të mëdha me të voglat dhe se jetohet vetëm në të tashmen, jo në pengjet e së shkuarës, as në ëndrrat për nesër….Do  të kisha dashur të mësoja më herët të kuptoja kohën dhe startin, duke modifikuar harxhimin e energjisë dhe finishin. Kur isha shumë e re kisha iluzionin se arsimimi serioz dhe puna cilësore do më çonin drejt një jete më të mirë dhe relativisht të qetë në moshën e mesme, por kam qenë krejtësisht idealiste, sepse isha jashtë historisë dhe jashtë logjikës së kohës. Nuk kisha kuptuar se në jetë më të rëndësishme se talenti e zotësia janë njohjet, përshtatja dhe marketingu i vetes…..Do kisha dashur të mos kisha frikë nga pasiguritë financiare dhe të vendosja një raport më moskokëçarës me paratë, që me kohë të kushtëzojnë jetën, sidomos kur je femër në një shoqëri si kjo e jona, kur nuk trashëgon asnjë pasuri, përveç integritetit dhe edukatës së punës, kur nuk denjon të arrish asgjë pa meritë dhe kur nuk pranon “klishetë e suksesit” që janë në modë për kohën.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësin të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Do të doja të isha ajri që bartet midis vendeve dhe njerëzve që i desha.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Vetëmjaftueshmërinë. Nuk shoh mjerim më të madh sesa mjerimin e të qenit i vetëmjaftueshëm. Po aq sa e dua pavarësinë dhe lirinë, po aq e konsideroj si një gjë shumë destruktive egoizmin, mizantropinë dhe vetëmjaftueshmërinë, të qenit vetëm i vetes dhe për vete, duke i rrëshqitur ndërveprimit, në të gjitha kuptimet.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Nuk e kam menduar ketë, po Tirana më duket e mirë, sidoqoftë.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Mënyra pozitive për të parë diçka të bukur, jo të përçumeshme dhe jo vulgare edhe te gjërat më banale dhe një mënyrë e lehtë dyshuese (jo negative, por kureshtare) për të parë diçka përtej skemës, edhe te klishetë e zakonshme të jetës, që i marrim të mirëqena. Gjithmonë mendoj se gjërat nuk janë siç duken dhe në mënyrë “argëtuese” e hetoj çdo gjë, duke përmbysur skemat rutinë të perceptimit. Kjo është edhe forma ime e mbijetesës shpirtërore, që me kohë më është kthyer në mundësi krijimi.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Integritetin, fisnikërinë, përgjegjshmërinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Natyrshmërinë, ekuilibrin, të qenit dinjitoze. Nuk më pëlqejnë fare femrat që ndryshojnë zërin kur flasin me meshkujt, ose që kinse shtiren si të dobëta, në kërkim të vëmendjes dhe ndihmës së meshkujve…..Në përgjithësi ajo që vlerësoj te një femër është tipari i mëmësisë, që, për fat e keq e shoh se mund të mungojë te femra që mund të kenë fëmijë dhe që mund të mos mungojë te femra që nuk kanë fëmijë. Gjëja që më duket më e patolerueshme te një femër është papërgjegjshmëria ndaj fëmijëve, egoizmi dhe vendosja e vetes para gjithçkaje, ndonjëherë të përdorurit e mëmësisë si mekanizëm dominimi dhe justifikimi. Respektoj shumë më tepër ato femra që zgjedhin të mos bëhen nëna, për lloj-lloj rrethanash, sesa ato femra që lindin fëmijë vetëm për hir të “natyrës” dhe që i kthejnë pastaj ata fëmijë në njerëz të stresuar, të çekuilibruar, pa dashuri dhe pa besim te vetja.  Problemet sociale nisin pikërisht te riprodhimi për hir të riprodhimit dhe nuk është çudi që në botë sot ka shoqëri që testojnë femrat e meshkujt, nëse janë të aftë për t’u bërë prindër, pavarësisht aftësisë riprodhuese. Sidoqoftë, edhe femrat, edhe meshkujt janë individë, në fund të fundit. Ndarja gjinore është relative, sipas meje. Mund të ketë baballarë shumë më të kujdesshëm se nënat, sikurse mund të ketë meshkuj shumë më ndjeshëm se femrat.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Borgesi , sidomos për poezinë, Moriaku për prozën. Sidoqoftë, nuk i kam lexuar kurrë në origjinal, dua ta nënvizoj këtë hollësi.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Janë ato gra e ata burra që nuk e ulin kokën përpara askujt, edhe pse kjo mund t’ua bëjë jetën shumë të vështirë. Janë njerëzit që e nxjerrin bukën me djersë dhe që nuk i gëzohen mirëqenies kriminale. Për mua janë heronj ata prindër që me përpjekje u mësojnë fëmijëve se nuk ka asnjë mënyrë të pandershme që të të bëjë të respektueshëm, sado lart të ngjitesh, sado makinacione të përdorësh. Në kohën tonë është heroizëm të qëndrosh normal. E di që tingëllon absurde, por vërtet kemi arritur në këtë pikë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të kompozoja muzikë të mirë. Ekzistenca e kompozitorëve virtuozë më duket gjëja më e magjishme në botë.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Në gjumë, mundësisht në fund të ndonjë ëndrre ku e shoh veten duke fluturuar.

Cila është motoja juaj?
Mos paragjyko askënd, sidomos kur nuk e njeh dhe kur nuk e di si ka qenë jeta e tij! Nëse mundesh, ndihmoji njerëzit, nëse nuk mundesh, leri në rrugën e tyre, por kurrë mos i pengo dhe mos u bëj keq! Më duket shumë djallëzore të harxhoj qoftë edhe një minutë të ditës sime duke u bërë dëm të tjerëve. Është antihumane, sipas meje dhe vetëm mjeranët mund të merren me gjëra të tilla. Kërkoj që në fund të çdo dite të kem një bilanc pozitiv midis kohës që ka kaluar dhe gjërave që kam bërë. Nëse ia kam dalë të shkruaj diçka për të qenë, të lexoj diçka që më fut në mendime, të kënaqem vetë dhe të kënaq të tjerët nga diçka që kam gatuar, ose pastruar e rregulluar, atëherë ia ka vlejtur në planin personal e familjar. Por, po aq me rëndësi është edhe ndërveprimi: nëse ia kam dalë të inspiroj dikë, të ndihmoj dikë, apo ta bëj të ndjehet mirë, them me vete: kjo ditë nuk shkoi kot./Gazeta Observer