Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Petrit Palushi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Nuk ka lumturi të përkryer. Njeriu është vazhdimisht në përpjekje gjatë krejt jetës së vet. Gjithsaherë para të papriturave. Në jetën e vet ai ka stinë të mira e të këqija dhe ndoshta, bash atëherë kur mendon se ka mbërritë lumturinë, i ndodh diçka që ia rrudh e ia tkurr lumturinë e deriatëhershme dhe i përshtatet një gjendje të re, të vrazhdë për të. Prandaj shpesh thuhet se jeta çfarë s’ka. Edhe personazhet e kryeveprave të letërsisë botërore janë larg happy – end (it). Ana Karenina e Tolstoit, psh., por plot e përplot personazhe të tjera. Ndoshta i lumtur është ai njeri që arrin me jetue gjatë, me qenë lakmitar me i marrë Zotit sa më shumë ditë e vite. Dmth., të ketë një plotni jete fizike. Tjetërgjë si i kalon vitet e jetës.

Cila është frika juaj më e madhe?
Humbja e njerëzve t’afërt, por edhe e miqve gjithashtu. Veçanërisht, kur ikin në moshën e palejueshme, të papërshtatshme me vdekë, dmth në moshë të re, kur ata nuk kanë mundësi me e jetue jetën të plotë. Sepse ka edhe kohë të përshtatshme me vdekë, siç është mosha e thyer, etj. Psh., në 10-vjetëshin e fundit a ma tepër, më kanë ikë njerëz t’afërt, por dhe shumë miq e shokë të moshave të ndryshme. Nuk kam guxue me ua heqë numrat e telefonave, më dukej se po u bëja padrejtësi, sikur i kisha nxjerrë prej mendje. Megjithatë, një ditë i shlyeva numrat e tyre prej telefonit tim. Qe një lloj tmerri. Emrat që nisin me shkronjën V përgjithësisht janë të paktë. Mbas një dite a dy pashë emrat te kjo shkronjë. Aty gjendej edhe emri i shkrimtarit Vath Koreshi, që e kisha patur përnjimend mik. Por ai kish vdekë me 3 shkurt të 2006-s. E hoqa edhe numrin e tij që e përdorte dikur e dikur. Për një çast u lëndova, por ndërkohë mora dhe rilexova romanin e tij “Ulku dhe Uilli”.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Nuk admiroj kënd. Secili që vjen në këtë jetë duhet të kryejë detyrat e veta.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Me asnjërin. Tepër e mundimshme ta mendoj një gjë të tillë.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Shpesh i bëj punët ngadalë. Mundohem kah e përsosmja, anipse e di se punë të përsosme nuk ka. Kjo gjë më sjell shpesh vonesa. Ndërsa ndonjëherë pendohem, ditët e tjera prap futem në të njëjtin ritual.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Gënjeshtra dhe mosmirënjohja. Sidomos kjo e fundit. Mosmirënjohja është shëmtia më e skajme e natyrës së njerëzimit. Më tepër se cinike, tallëse. Është pjesë e ferrit. Ndoshta botës letrare do i shfaqet një tjetër Dante Alighier me e përshkru në plotësi këtë shëmti. Mosmirënjohja edhe si fjalë është e shëmtuar estetikisht. Unë e parandjej se dokurdo një tjetër Dante Alighier do shfaqet.

Në cilat gjëra e teproni?
Deri para 3 muajsh e kam tepruar me duhanin. Tani s’e përdor më, sa shpesh them vetmeveti: “Ç’dreqin më shtyu të pija duhan?”.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Zakonisht nuk gënjej. Kur isha nxënës shkolle, gënjeja ndonjëherë, psh, kur nuk mësoja ndonjë mësim. Ia këputja ndonjë rrenë të hijshme mësueses dhe ajo më besonte. Anipse e dija fort mirë postulatin: Rrena i ka kambët e shkurta. Unë kënaqesha që ajo e hante rrenën time dhe e merrte si të përnjimendtë. Me gënjy, dmth., mos me qenë i sinqertë me vetin. Tjetër gjë me letërsinë. Letërsia është trill. Është një lloj mashtrimi që të jetë sa më i besueshëm te lexuesi. Një mashtrim kryekreje i bukur. Aty shkrimtari i gjen fjalët dhe i ve natyrshëm te personazhet. Kur vepra del e mirë, shkrimtari kënaqet me punën e vet, e lexuesi gjithashtu.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Zakonisht në vende të panjohura.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
“Ej, a je n’veti?”. Por nuk e përdor shpesh. Me miqtë e mi më t’afërt po.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që s’mu dha mundësia ose nuk gjeta modelin të ndiqja shkollimin për mjekësi. Letërsinë e kisha të brendshme, ndoshta mjekësia do më ndihte më tepër. Brenga tjetër, që nuk u largova përfundimisht nga Shqipëria në ’90-n. Megjithatë, le të mbeten punë të mijat të pakryeme. E para nuk varej prej meje, e dyta po.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Dy djemtë e mi, Milosao dhe Maliani.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
E mirë.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Nëse…  Nuk e di.

Çfarë konsideroni arritjen tuaj më të madhe?
Familja natyrisht, por dhe romanet e mi si dhe eseja “Frederik Rreshpja, që s’e kuptuam kurrë”.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Asgjë. Do t’isha prap vetvetja, me të mirat e këqijat. Ndrysha do tjetërsohesha.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Nëse… Ah, kjo fjala “Nëse”… Atëherë – pilot, por jo pilot me shku në luftë e me hedhë bomba.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Vullneti i jashtëzakonshëm dhe me korrektesë gjermane me çdokënd. Familja, tashmë një term rutinë me e përdorë, sepse pa familje zhvendosesh në skaj të jetës. Më gëzon edhe fakti që kam një bibliotekë shumë të pasur. Me mijëra e mijëra tituj librash. Shumë studentë apo gjimnazistë vijnë e marrin libra tek unë. Nganjiherë edhe s’i kthejnë librat, sidomos ato libra që u pëlqejnë më tepër. Por dhe i qarkëllojnë ndërmjet tyre. Unë s’mërzitem, përkundrazi gëzohem që ato libra kanë gjetë vend dikund. Psh., “Tragjedinë amerikane” të T. Drajzerit, dikush ma kishte marrë qysh kur isha student dhe ma ktheu para dy javësh. Por më kanë kthyer edhe shumë libra të tjerë.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Mashtrimin, sidomos atë që vjen prej politikanëve. Vërej se politikanët në Shqipëri dhe Kosovë mashtrojnë si tepër, nuk janë korrektë me vetvetin dhe me zgjedhësit e tyre. Me sa duket mashtrimin e kanë kod të veçantë mbijetese. Pastaj, krejt-e-krejt kur mendon se në Parlament futen edhe idiota që s’kanë lexue një libër jashtë klase. Politikanë të tillë kujtojnë se njerëzit s’e dallojnë mashtrimin e tyre. Por ka ardhë një gjendje e tillë surreale që njerëzit s’kanë çfarë me ba. Një vend në një zonë të Kukësit quhet Guri i Mëngjesit. Aty rrezet e diellit shfaqen më heret se kudo dhe banorët atypari e dallojnë se doli drita. Dikund, një vend quhet Maja e Shiut. Më së pari, n’atë kodër mblidhet një furtunë resh dhe banorët e shohin se pas pak do bjerë shi.
Kështu edhe me zgjedhësit. Ata i pikasin lehtas mashtrimet e politikanëve që i kanë votuar, me hir a me pahir dhe herdokur do gjejnë forcë t’i anashkalojnë.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Aty ku më ka ra fati. Fati është fat, i mirë apo i keq qoftë. Ndërkohë, në provincë, po ta shohësh me vëmendje edhe nata sikur vjen ma heret se tjetërkund dhe unë, kam mundësi me u mshelë në shpi e me u marrë qetë-qetë me letërsi. Banoj në një qytet ku pothuajse i kam baraslarg dy kryeqendrat, Tiranën dhe Prishtinën. Miqtë e mi krijues që lëvizin prej Tirane në Prishtinë dhe anasjelltas tashmë e dinë zakonin e hershëm: Me u ndalë në Kukës e me pi kafe me mua. At’here, a ka kënaqësi më të madhe? Mua më zbukurohet dita, më bëhet më e plotë. Në kësi rastesh, më ngjan se kodi i hershëm: “Shpija asht e Zotit dhe e mikut”, zëvendësohet me kodin e pangjashëm në botë: “Me miqtë e mi, tavolina asht e Zotit dhe e mikut”.
Shkoj shpesh nëpër botë, i kisha mundësitë të jetoja aty ku mund të kisha dëshirë, por vazhdoj jetën nën atë copë qiell që ma solli fati, mu aty ku përdorim fjalët: Nana, baba, hana, kanga, katundi, tamël, etj., etj…
Para do vjetëve kam qortue vetin pse nuk u largova prej Shqipërie në ’90-n. Ndoshta letërsija ime do kish tjetër fat. Por tashmë jam mësuar me ngushëllimin: Ik unë, ik tjetri e tjetri, at’herë në Shqipërinë tonë që po na mbush me pezm do mbeten vetëm rrugët e shkretueme dhe politikanët. Dmth., s’më bën asgjë përshtypje. Dy djemtë e mi, sa të rriten edhe pak, le të shkollohen ku të duan. I madhi, Milosao, e shoh se ia ka qejfi Gjermaninë, i vogli Maliani, sytë i ka kah Zvicra. Punë e tyre. Bota sot është fort e vogël. Shëndoshë, tjerat ndreqen krejt!

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Përveç vullnetit të jashtëzakonshëm në punët që kryej, qoftë edhe në letërsi, kujtesën e shoh si cilësi.
Kujtoj shumë gjëra edhe më imtisht. Kjo gjë më frikëson nganjëherë, sepse nuk duhet të kujtoj disa gjëra që më vetojnë befas në mendje. Mund të jenë edhe ngjarje qyshprej fëmijënisë.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Mashkulli të jetë përnjimend mashkull, jo qaraman.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Të hijshmen edhe në mendje. Ndërkohë, partnerin ta shohë baras dhe kurrnjëherë të mos gjunjëzohet para tij.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Kur isha gjimnazist mendoja se D. Aligieri (për ato pjesë nga “Komedia hyjnore” që kisha lexuar), Shekspiri (sidomos me “Hamletin”), Tolstoi me “Ana Kareninën” dhe Heminguei me “Plaku dhe deti”, do t’ishin për mua gjatë gjithë jetës autorët më të preferuar. Por jo. Me kohë, nuk më mbeti asnjë autor më i preferuar se të tjerët, sepse ndeshja vazhdimisht në autorë të çuditshëm. Letërsia më futi në të panjohura të thella me lloj-lloj veprash, sa ngurroj të them se cila prej tyre mbeti në mendjen time më shkëlqimtarja. Vitin që shkoi lexova romanin “Vdekja nga uji”, të nobelistit japonez Kenzaburo Oe. Një rrëfim dramatik për fatin e njeriut. Aq mbresa më la ky roman, sa do kohë jetova me përjetimet nga leximi i veprës. Njëjtë më kish ndodhë edhe me përmbledhjen poetike me poezi të zgjedhuna të nobelistes polake Shimborska. Por edhe me shumë libra të tjerë. Nuk e di, madje as mund ta marr me mend sa libra kam lexue prej klasës së tretë të shkollës fillore. Kjo histori e librave më ngjan me atë se, sikur para syve kam një lëndinë me lule plot të bukura, njëra më e bukur se tjetra. As kam kohë t’i kundroj. Kur e ndjej të nevojshme t’i kthehem pas një libri që e kam lexue dikur, sikur ngazëllehem, por njikohësisht sikur u bëj padrejtësi librave të tjerë.
Kështu, edhe me futbollin. Dikur Maradona ishte futbollisti më shkëlqyes në botë. I erdh koha ta linte futbollin. Po të jetonim vetëm me imazhin e lojës së Maradonës, at’herë s’do kishim më dëshirë me pa futboll. Njëjtë edhe me Mesin sot. Më ngjan si jashtëtokësor me lojën e vet. Por, herdokur ai do largohet prej lojës së futbollit. E natyrisht, do shfaqen futbollistë të tjerë, ndoshta më shkëlqyes se ai. Kështu edhe me librat. Nganjiherë lexon ndonjë libër që s’do të shkonte mendja se mund të shkruhej n’at formë tërheqëse. Se edhe librat kanë magjinë e tyre, si në shumë gjëra në jetën tonë, apo dhe në natyrë.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
S’kam heronj. Çdokush është hero i vetvetes.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të merresha me pikturë. Në shkollën fillore dhe atë 8-vjeçare jam marrë shumë me pikturë. Mësuesi i vizatimit më thoshte se kisha shumë talent. Edhe sot nuk e kuptoj se, mbasi e mbarova tetëvjeçaren, pse nuk ndoqa shkollën në Liceun artistik në Tiranë. Mendja ma thotë se do të kisha tepër shkëlqim në pikturë. Nuk mund të them se në ç’raport do t’ish shkëlqimi me krijimtarinë time letrare, por prap them se edhe në pikturë do kisha shkëlqim. Edhe sot, para se të shkruaj romanin hedh shumë skica në copa letrash, i vizatoj fytyrat e personazheve. Disa herë vizatoj shkallë, ku dëshiroj të ecë personazhi nëpër to, të pushojë e prap të ecë. Para se të shkruaja romanin “Përroi i Andrrës”, kam realizue rreth 20 skica; njëfarësoj mundohesha ta përfytyroja një përrua tepër t’ashpër, ku dielli binte rrallë atypari dhe njeriun po ta zinte gjumi pranë atij përroi shihte vetëm ëndrra të liga.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Një fjalë e urtë në Kukës thotë: “Me e ditë se kur vdes e hapi vorrin vetë”. Por njeriu s’e di ditën e vdekjes së vet, sepse ai gjithmonë është në shtjellën e së panjohurës. Unë, për veti, s’e kam menduar vdekjen ndonjëherë, ndoshta pse mendoj se për mua është një rrugë ende e gjatë deri atje. Megjithatë, nuk do kisha dëshirë ta ndjeja se po m’avitet vdekja. Të më merrte në gjumë do t’ish bukur. Zakonisht zgjohem heret prej gjumi. Nëse dikush aty kah ora 8 apo 9 e mëngjesit do vinte re mos-zgjimin tim, do të thoshte: “Po ky ç’pati që s’është zgjuar ende?”, e të vinte e të trokiste me plot butësi në derën e dhomës time, pa e ditë se po ledhatonte njëfarësoj vdekjen matanë derës. Natyrisht, mbas një ndërdyshje do e hapte derën pa i dhënë leje kush, pa i thënë ndërkohë: “Hyr”.
Nga ana tjetër, në mos në gjumë, do doja që vdekja të më merrte tek notoja bash në thellësi të detit. Pak rëndësi, nëse do më gjendej trupi apo jo. Pas atij çasti, asgjë s’më përkiste më mua. Tek romani “Shtrati 13” kam një fragment të tillë:Vdekja është si gjethja, bie në tokë, verdhet e më në fund kalbet aq fort sa s’i mbetet gjë prej gjëje. Më vonë vijnë gjethe të tjera; edhe ato kalben e zhduken si të përparshmet”.

Cila është motoja juaj?
Me i dashtë njerëzit e vetëm me i dashtë me sinqeritet. Të njohur e të panjohur. Kësisoj, jam në gjendje të bëj vetëm punë të mira, nga ato që i quajmë punë të dobishme për njerëzit./Gazeta Observer