Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poetja Rita Petro (Filipi).

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia që ka ardhur pas një përpjekje e sakrifice të madhe.

Cila është frika juaj më e madhe?
Kur të kanë në dorë injorantët.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Një person të veçantë në rrethin familjar që është 97 vjeç dhe që nuk ndalet së jetuari jetën.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Diana, princesha e Uellsit.

Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni te vetja?
Shpërqendrimi.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Të qenit i kompleksuar.

Në cilat gjëra e teproni?
Duke dhuruar apo falur.

Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?
Mendjengushtësia nga krahu tjetër.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rruga në të cilën rrallë shkohet … ajo e ngritjes shpirtërore.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
“Punë dreqi” ose “Yll fare”.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që nuk kam bërë një fëmijë tjetër.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Të jem e dashuruar.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
E eksituar nga arti.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do ishte ajo?
Të jem më e organizuar.

Çfarë konsideroni arritjen tuaj më të madhe?
Te qenit e pavarur materialisht, mendërisht dhe shpirtërisht.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Pothuaj asgjë… thjesht do të doja të ripërsëritja gjithçka që kam bërë mirë apo keq edhe njëherë.

Nëse do të vdisnit dhe të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Ta provoja veten mashkull.

Cila është gjëja më e shtrenjtë që e posedoni?
Shtëpia botuese ALBAS.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Ata që nuk dinë t’i gëzohen as fitores së tyre dhe merren me ata që kanë humbur.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në një vend të qytetëruar.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Paqja me veten.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Guximin për t’i dalë zot ideve dhe mëkateve të veta.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Feminitetin e kombinuar me kurajën.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Lloji i shkrimtarit ose poetit i shpallur “i rrezikshëm” apo “satanik” si: Charles Baudelaire, Albert Camus, Fjodor Dostojevskij, Allen Ginsberg, Jim Morrison.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Heronjtë e Rock-ut; ata që bënë revolucion njëkohësisht në art dhe në jetë, pa pyetur për rrezikun në jetën e tyre.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të merresha me muzikë.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Në lëvizje.

Cila është motoja juaj?
Trazoje ujin kur shkon gjatë ndenjur./ Gazeta Observer