Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet publicisiti dhe profesori i gjuhësisë Rrahman Paçarizi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Paqja me vetveten, të cilën njeriu asnjëherë nuk e gjen. Jeta është e hirtë dhe duhet të pajtohemi me këtë fakt, të tjerat janë shfryrje kompleksesh. Lumturia eternale është e paarritshme në këtë jetë – unë besoj se arrihet në jetën tjetër. Në këtë jetë kemi momente lumturie të përkohshme, ashtu siç kemi edhe hidhërime të përkohshme. Unë besoj që njeriu vdes i balancuar – për secilin hidhërim shpërblehesh me një sasi kënaqësie e lumturie, ashtu siç për secilin moment lumturie ndëshkohesh me një sasi hidhërimi. Pra, çdo gjë e ka çmimin e vet.

Cila është frika juaj më e madhe?
Kam një frikë të pashpjegueshme nga qeni. Unë jam rritur në fshat, që domethënë nuk do të duhej të kisha frikë nga kafshët. Asnjëherë  nuk ka arritur të më kafshojë qeni, prandaj s’arrij ta shpjegoj frikën time nga qeni. Po ashtu, si të gjithë njerëzit (që nuk gënjejnë) unë kam frikë nga vdekja në vetmi dhe nga lëngimi. Kam frikë nga takimi me botën tjetër, e cila besoj se ekziston, frikë nga e panjohura, nga Krijuesi. Nuk e shoh veten frikacak, pasi edhe pse e pranoj frikën asnjëherë nuk kam bërë asgjë që t’u shmangem gjërave nga të cilat kam frikë. Përkundrazi, dua ta provoj atë frikë, me të tërë pasionin.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Të gjallët nuk adhurohen, pasi mund të shihen e preken, janë konkretë, janë si të gjithë ne mëkatarët, të vdekshmit. Adhurohen ata që nuk shihen, ose që nuk shihen më. Nënën time e kam dashur tej mase sa ka qenë gjallë. Tash e adhuroj, është njëfarë lidhjeje kozmike – në momentin kur ka dhënë shpirt, diçka e flladitshme ma ka prekur ballin. E njëjta më ka ndodhur në momentin kur e kemi lëshuar në varr. Nëse i duam njerëzit mjaftueshëm, unë besoj që pas vdekjes shndërrohen në lidhje mes nesh dhe universit. Të gjallët gabojnë dhe mund të na dëshpërojnë – të vdekurit s’kanë fuqi për të na dëshpëruar.  

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Nga të huajt Saussure – nga shqiptarët De Rada ose Sami Frashëri.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Pasioni im i tepruar për gjithçka. Gjithë jetën i kam vuajtur pasojat e pasionit. Unë ha me pasion, pi me pasion, ec me pasion, fle me pasion. Është ngarkesë e madhe që hakmerret, prodhon njëfarë energjie të çuditshme e cila prish drejtpeshime në botën ku ka fare pak njerëz pasionantë.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Nuk di të them me saktësi, cka nuk më pëlqen te të tjerët, pasi pikërisht ato që s’më pëlqejnë bëjnë që të jemi të ndryshëm. Megjithatë, më së shumti më pengojnë ata që e dinë që nuk dijnë dhe nuk duan të mësojnë. Mund të mos dish diçka herën e parë, por kur nuk di herën e dytë, nuk falet. Atëherë je debil që jeton kot dhe harxhon ushqimin e të tjerëve në tokë.

Në cilat gjëra e teproni?
E teproj në saktësi. Më kushton shumë saktësia dhe dashuria që përpiqem të jap e nuk di se si e jap. I ngulfas të tjerët me saktësinë, dashurinë dhe pasionin – bëhem i bëzdisshëm. Pastaj, nëse përpiqem ta kontrolloj veten cilësohem mendjemadh dhe shpërfillës.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Ata që shkruajnë gënjejnë. Kur shkruajmë motivohemi nga diçka, pastaj nisim e gënjejmë. Letërsia është gënjeshtër, në një kuptim. Nëse është fiksion, patjetër që është gënjeshtër. Prandaj, gjithmonë ka motive për të gënjyer. Dashuria të shtyn të gënjesh, urrejtja të shtyn të gënjesh. Nuk di çka do të bënim sikur të mos ekzistonte gënjeshtra. Tekefundit si do ta dinim të vërtetën, nëse asaj nuk do t’i kundërvihej gënjeshtra. Për mua është me rëndësi të mos gënjej në jetën reale e sidomos pa motiv të fortë.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Nuk e di saktë për çka e keni fjalën. Nëse flitet për rrugëtim konkret, unë kam udhëtuar shumë dhe po nuk udhëtova ngulfatem. Më pëlqen të udhëtoj dhe të shkruaj për vendet ku udhëtoj. Nëse flitet për rrugëtim tjetër, mendoj se njeriu udhëton gjithë jetën – kush më shumë e kush më pak, gjithnjë në raport me caqet që i vë vetes.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Debil! Hajvan!

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Nuk kam bërë asgjë për të cilën do të pendohesha. Pastaj, a vlen pendimi, a ndryshon gjë? Mendoj se gjërat nuk kthehen, por nëse pendohem për diçka, definitivisht nuk e përsëris më.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Duket klishe, por është pikërisht puna që bëj.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Mendoj se po e jetoj një moment qetësie shpirtërore. Megjithatë, dilemat e moshës dhe të punëve që kam përgjysmë më trazojnë vazhdimisht. Tash, kur kam hequr dorë nga besimi se mund ta ndryshoj botën, më kanë ngelur plot punë pa i bërë. Ky është shqetësimi i vetëm që kam, bashkë me idenë për t’iu kthyer letërsisë, për çka më duhet pak më shumë motivim.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Më pak temperament ose për me qenë më i saktë, do të kisha dashur ta kuptoja moshën dhe temperamenti im të ishte në raport me moshën. Unë harroj që po plakem. Nëse ka exhel, e kam te ngutia, herdokur.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Mendoj se kam qenë i suksesshëm në të gjitha punët që kam bërë. Konsideroj që kam pasur karrierë të suksesshme në gazetari dhe rreth saj. Konsideroj se kam pasur karrierë të suksesshme në gjuhësi dhe këtu e arritura më e madhe është libri Konversioni në gjuhën shqipe. Të arritur timen e konsideroj futjen në universitet të disa lëndëve si Psikolinguistika, Fjalëformimi, Radiogazetaria, Konvergjenca e medies. Letërsinë e kam lënë në fillimet e saj dhe më duhet t’i kthehem – pa thënë se çka kam me thënë në letërsi nuk guxoj as me mendu me vdekë nga pleqëria. Gjithashtu, më nxit politika, por nuk e kam guximin e garës me vota.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Do të kisha dashur më shumë. Dashuria kurrë nuk është e mjaftueshme. Unë, duke qenë pasionant, natyrisht se dua dhe kam dashur, por asnjëherë nuk kam arritë me e shprehë dashurinë në masën që njerëzit e mi e kanë meritu.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Vetëm ky që jam. Vërtet asgjë s’më ka penguar për të qenë ndryshe. Vetë kam dashur të jem ky që jam dhe kështu si jam.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Fëmijët e mi.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Të mjerë i konsideroj ata që duke mos pasur guxim ta ndryshojnë veten esencialisht, bëjnë ndryshime formale. Ata janë të mjerë vërtet dhe më dhimbsen në shpirt.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Më pëlqen Prishtina. Do të mund të jetoja edhe në Lubjanë ose në Pragë.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Saktësia dhe artikulimi i qartë i ideve, thonë të tjerët. Unë mendoj se përveç të tjerash jam edhe mjaft korrekt.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Nuk di. Kurrë s’kam menduar për këtë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Të qenit femër.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Camus, Grass, Coelho, Rrahmani, Basha, Podrimja, Kadare…

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Nëna ime është heroina ime, për mendjen e kthjellët, për kokëfortësinë për dashurinë e pakursyer. Babi im është heroi im për energjinë për t’u marrë me gjithçka. Definitivisht ai është ndër njerëzit më gjenialë dhe më të vullnetshëm për gjithçka.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Mendoj se Zoti m’i ka dhënë të gjitha talentet. Disa i kam kultivuar e disa të tjera jo. Kur kam qenë fëmijë kam pasur dëshirë me qenë më sportist. Talenti im për sport ka qenë në disproporcion me fuqinë. Sikur të kisha qenë i talentuar sa kam qenë i fuqishëm, do të kisha bërë mrekulli.

Si do të dëshironit të vdisnit?
I rrethuar nga njerëzit e mi, duke e ditur se po vdes. Natyrisht mjaft plak sa ta kem shtrydhur jetën.

Cila është motoja juaj?
Bëj mirë – vetëm ashtu takon paqen dhe Zotin./Gazeta Observer