Nisu nga vetvetja
Përbirohu unazës së fatit
Shtegto mbi rrezen e shpresës
Me energjinë valore të fjalës
Këndoje këngën që s’këndohet
Fol me një fije bari
Lejo që ajri të marrë frymë prej teje
Pastaj falu me diell
Përshëndetu edhe me hënë
Le të të marrë vrulli i jetës
Ndonëse nuk di ndonjë rreng
Udhëto me këngë

Kërkoje vetveten brenda vetvetes
Rinjohu me vetveten që t’ka udhëhequr
Dhe me prushin që t’ka rreshkur
E me ëndrrat e bardha që t’kanë përpjekur

Dili vetes në pritë si një altruist
Edhe kur t’quajnë të marrë
Edhe – egoist

Takohu me veten
Me krijesën e panjohur
Me krijesën mitike
Me udhëtarin e palodhur
Dhe rrëfe
Si përballohet e pa përballuara
Rrëfe si pushtohet e pa pushtuara
Dhe si jetohet jeta e pa jetuar

E më në fund
Kur të të marrë fort etja
Kthehu te vetvetja

(27. XI. 2017)