Refet Abazi është personalitet shumëdimensional arti, që krahas roleve të veçanta në teatër dhe film, ka bërë emër të shquar edhe si regjizor, romansier e dramaturg.

Nga Fatmir Sulejmani

Kariera e tij ka nisur me suksese që në kohën kur, si sdudent i vitit të dytë, shkëlqeu në serialin televiziv “Trieste via Shkup”, ku luajti njërin prej roleve kryesore; që në kohën kur fitoi çmimin e studentit më të mirë të gjeneratës në Fakultetin e artit dramatik të Universitetit Shën”Kirili dhe Metodij” në Shkup; që në kohën kur iu besuan role të rëndësishme, në projekte teatrale e filmike, si: “BAAL”i B. Brehtit, “Jeta” e N. Mustafës, “Varrezat e Automobilave” i F. Araballit, “Korbi mes egërsirave” i L. Reidonisit, “Gabimi Verior” i B. Damovskit, “HI-FI” i V. Bllazhevskit…

Më vonë, si aktor i Teatrit të kombësive – Drama Shqiptare, bëhet i njohur edhe përtej trojeve shqiptare me rolet kyçe në shfaqjet: “Furka e Mistershme” nga Nikolla Shopi në regji të Branko Brezovcit (në rolin e SUTONKOS); “Teatri Obskur”nga Agim Mala në regji të Ahmet Jakupit (në rolin e ARTISTIT);  “Pranvera e librave” nga Teki Dervishi në regji të Agim Sopit (në rolin e Arben Tetovës);  “BAAL” nga Bertold Brehti në regji të Branko Brezovcit (në rolin e EKARTIT); “Dielli perëndon” nga Mickhael de Helderode në regji të Vlladimir Millçinit (në rolin e të PANJOHURIT); “Vojceku” nga Teki Dervishi në regji të Branko Brezovec-it (në rolin e DAIR TOGERIT);  “Dashuria e Kapitenit” nga Resul  Shabani në regji të A. Borës (në rolin e KAPITENIT); “Mbreti Lir” nga W. Shekspir në regji të Vlladimir Millçinit (në rolin e  EDGARIT); “Kishte dy pistoleta me sytë bardh e zi” nga Dario Fo në regji të Dimitar Stankovskit (në rolin e XHOVANIT); “Eshtrat  që vijnë vonë” nga Teki Dervishi në regji të Vlladimir Millçinit (në rolin MARK ALEMIT); “Nesër nisemi për në parajsë” nga Teki Dervishi në regji të Dritëro Kasapit (në rolin e USHTARIT)…

Krahas roleve të realizuara me sukses në skenën amë, Refet Abazi ka realizuar një sërë rolesh, shqip e maqedonisht, edhe jashtë saj, si në: projektin e pavarur “Ariu Martohet” nga A. P. Çehov në regji të V. Millçinit (në rolet LLOMOV dhe SMIRNOV); në projektin e pavarur “Të menduarit pozitiv” nga Sashko Nasev në regji të Dimitar Stankovskit (në rolin e CANES); “Vdekja e Dantonit” nga Georg Byhner në regji të Vlladimir Millçin (në rolin e KAMY DEYLENIT); “Arka sllovene” nga Venko Andonovski në regji të D. Stankovskit (në rolin ee KUKLLËS); “Roberto Zucco” nga Bernar Mari – Koltez në regji të Dritëro Kasapit (në rolin e ROBERTO ZUCOS); “Pllatonov” nga A. P. Çehov në regji të Dimitar Stankovskit (në rolin e OSIPIT); “Matësi i tokës” nga Nikollaj Koljada në regji të V. Millçinit (në rolin e ALEKSEJIT); “Demonët” nga F. M. Dostojevski në regji të V. Millçinit (në rolin e KIRILLOVIT); “Stacioni i ardhshëm ATLANIDA” nga Mari Pershon Hedenius në regji të Dritëro Kasapit (në rolin e ËNDËRRIMTARIT); “Dervishi dhe Vdekja” nga Mesha Selimoviq në regji të Vlladimir Milçinit (në rolin e AHMED NURUDINIT), “RIKARDI III” nga Ë. Shekspiri në regji  të Ilir Bokshit (në rolin e RIKARDIT III)…

Refeti ka shkëlqyer në të gjitha skenat ku ka luajtur, përfshirë këtu dhe festivalet prestigjioze ndërkombëtare, si: “Eurokaz”(Zagreb, Kroaci), “TEATER DER VELT” (Essen, Gjermani), “Sant Arkanxhelo dei teatri” (Santarkanxhelo, Itali), “Ngjyrime kulturore” (Breda, Amsterdam, Rozendal dhe Ajnthoven – Holandë), “Kulturetage – Prisma 2” (Oldenburg, Gjermani), “Pranvera Slovene” (Lublanë, Slloveni), “Brouhaha international” (Liverpool, Angli),  “Mittelfest ‘97” (Cividale del friuli, Itali), “Vera e Pullës ‘97”(Pullë, Kroaci), “Ditët kulturore” (Tiranë, Shqipëri), “MESS Intenational theater festival” (Sarajevë, BH), “Takimet teatrore” (Lubjanë, Slloveni),  “Tri Nora presin Baalin”(kompilacion dramaturgjik nga Brehti, Ibzeni, Çehovi dhe Beketi – Bergen, Norvegji), “Landscape X” (Stockholm, Suedi),  “Mittelfest” (Cividale del friuli, Itali), “HOMO NOVUS’99” (Riga, Letoni), ”Albanian traces ‘99” (Stokholm, Suedi), “BONNER BIENALE ‘2000” (Bonn, Gjermani), “East goes West 2001” (Londër, Angli) etj.

Krahas roleve në skena të shumta teatrore, Refeti ka shkëlqyer edhe me rolet në projektet filmike, si: “Hakmarrja” (sipas skenarit të Sllobodan Despotovskit në regji të Jan Hintjens, në rolin e MITRES), “J.a.c.e.” (sipas skenarit të Menelaos Karamaghiolis në regji të Menelaos Karamaghiolis, në rolin e KULLURXHIUT), “Falja e gjakut” (sipas skenarit të Joshua Marstonit dhe Andamion Muratajt, në regji të Joshua Marstonit, në rolin e  MARK LINDANIT), “Berlin Project” (me skenar dhe regji të Ivo Trajkovit, në rolin e PRODUCENTIT), “Gone back” (me skenar dhe regji të Ernest Mehollit, rolin e PLAKUT), “HIT” (me skenar dhe regji të Nikolai Müllerschön, në rolin e KATZ), “THE WITNESS”  (me skenar të Mitko Panovit dhe Vladyslav Pasikovski, në regji të Mitko Panov, në rolin e PANTIC)…

Për rolet e tij Refet Abazi ka fituar shumë shpërblime brenda dhe jashtë arealit kultror shqiptar. Ai është shpallur shumë herë aktor më i mirë i festivaleve prestigjioze tetrore brenda dhe jashtë vendit dhe ka realizuar role antologjike, të denja për kolosët e skenës evropiane, si ai i Ahmed Nurudinit në shfaqjen “Dervishi dhe Vdekja”, Ekartit në “BAAL”,  Edgarit në “Mbreti Lir”, Mark Alemit në “Eshtrat  që vijnë vonë”…

Viteve të fundit Refet Abazi ka bërë emër të shquar edhe si romansier e dramaturg. Ai ka botuar romanet: ”I kujt ishte Joni”dhe  ”Duke kërkuar dritën”; dramat:

”Akuariumi”, “Heshtje”, “Darka e thërrimeve”, “Jetë me qira”, “Ikja”, Nyjat” dhe komedinë “Dashuri, Teatër dhe marrëzi të tjera”në bashkautorësi  me Salajdin Saliun.

Bashkë me regjizorin Dritëro Kasapi dhe aktorin Bajrush Mjaku, Refeti është themelues i “Qendrës teatrore për fëmijë” në Shkup, kurse prej vitit 2000 punon edhe si profesor i lëndës Mjeshtri Aktrimi dhe udhëheq klasën e studentëve për aktorë me mësim në gjuhën shqipe. Kontributin e tij si profesor Refeti e ka dhënë edhe në Universitetin e Tetovës.

Refeti është punëtor i madh që bën gjithçka me përkushtim dhe profesionalizëm shembullor. Për mua, pa më të voglin dyshim, Refeti është njëri prej aktorëve më të mëdhenj të teatrit shqiptar dhe jo vetëm. Ai është vullkan i gjallë në skenë, që shquhet me gjuhën e pastër, me diksionin perfekt, me pantomimën unikate, me transformimet e befta në karaktere të vështira, me zhbirimet e thella në shpirtërat e roleve që luan, me fytyrën markante dhe fizikun që mbush skenën.

Thjesht: Refet Abazi është aktor i madh, që i ka munguar një kohë skenës shqiptare, ndaj premtimi për t’iu kthyer asaj na gëzon të gjithëve.