Romani i Ridvan Dibrës “Legjenda e vetmisë” është mes pesë autorëve shqiptarë që u përzgjodhën nga Ministria e Kulturës për t’u mbështetur financiarisht për t’u përkthyer në gjuhë të huaj. Dje, shkrimtari shkodran lajmëron kalimin e kufirit, përkthimin e veprës së tij nga Evelyne Noygues në gjuhën frënge, të botuar nga “La Ver a Soie”, Paris.

Veprat e Ridvanit duken të thjeshta, dhe ndoshta ashtu janë. Për këtë ai shkruan꞉ “Arti nuk është i thjeshtë sepse dëshiron të jetë i thjeshtë, por sepse dëshiron të jetë art”. Me këtë përsiatje të huazuar mund të vështrohet një nga romanet më të vlerësuar të Ridvan Dibrës, “Legjenda e vetmisë”, botuar më 2012, nga “Onufri”, me një çmim kombëtar në Kosovë, “Rexhai Surroi” 2012. Në këtë linjë duket se ka shkuar edhe Ministria e Kulturës, kur e përzgjodhi mes pesë autorëve shqiptarë, për t’u përkthyer në gjuhë të huaj. Ky është i pari projekt që vjen zyrtarisht, si një interes shtetëror, për ta njohur letërsinë shqipe jashtë kufijve, në një kohë kur mjaft vende të tjera, “njohjen” e kanë proces natyral të financimit në një kulturë tjetër.

Megjithatë, ja ku jemi në një realitet tjetër. Dje, shkrimtari shkodran ka lajmëruar kalimin e kufirit dhe se vepra e tij tani është në duart e lexuesve francezë.

Romani “Legjenda e vetmisë” është përkthyer në frëngjisht nga Evelyne Noygues dhe është marrë përsipër nga shtëpia botuese “La Ver a Soie”, Paris.

“Një libër që t’i shpërfillë qëllimshëm nihilizmin e dyshimin e tejkaluar modern, por edhe ironinë e lojnat e shumë – përsëritura postmoderne. Një libër, në dallim prej të tjerëve para tij, sa më “jashtë meje”, sa më impersonal e objektiv. Një libër që, qëllimshëm, t’i lërë mënjanë “artificet kompozicionale”, duke respektuar deri në adhurim burimin e parë, domethënë legjendën.

Një libër që t’i kundërvihet postulatit të Xh. Kallerit se “epika rrëfen ngjarje, kurse lirika tenton të jetë vetë ngjarje”, duke synuar një “epikë” që të rrëfejë ngjarje e, njëkohësisht, të jetë vetë ngjarje”, është shënuar në libër.

Ndërsa poetja Ledia Dushi, në ciklin kritik në “profile pas ’90-ës”, në Mapo Letrare, ka shënuar ndër të tjera për këtë autor, dhe veçanërisht për romanin se: “E përpunuar dhe e përzgjedhur më së miri, gjuha e Dibrës është fort poetike. Te “Legjenda e Vetmisë” veçanërisht, por edhe te “Gjumi mbi borë” ajo i mundëson një mënyrë të shkruari të kthjellët, edhe pse të kursyer në dukje, dhe e prerë deri në krijimin e një imazhi të kjartë. Dibra ka aftësinë ta shndërrojë personalen në universale nëpërmjet episodesh, detajesh, momentesh, sugjerimesh, intertekstualiteti, të cilat na shtyjnë drejt pjesëmarrjes së pakushtëzuar në tekst, duke na bërë të pësojmë një metamorfozë të çuditshme”. Është konsideruar një lloj sfide romani i tij “Legjenda e vetmisë”, duke marrë zanafillën nga dy vargje të një legjende popullore: “Nana djalin ka qorrue, me gjaks t’burrit m’u martue…”, distik që e ka vendosur si një alibi, por dhe në hyrje të rrëfimit të tij.

Në një intervistë për procesin e shkrimit, Dibra është shprehur: “Vazhdoj të kem aq shumë pikëpyetje brenda vetes, aq shumë dilema e pyetje pa përgjigje. Nëse ato do të reshtin një ditë (çka s’ka logjikë të ndodhë), nuk besoj se do të shkruaj më. Kuptohet, shtysë “frymëzimi” është edhe shumëçka tjetër që në një mënyrë a në një tjetër, lidhet me ato që thashë në fillim, domethënë me grindjet e mia të brendshme. Kjo ndodh edhe në ato vepra që lexuesit mund t’i duken krejt “larg meje”, si për shembull te romani im i fundit, “Legjenda e vetmisë”. Një konceptim i tillë i krijimit, bën që proza ime të jetë e varfër me personazhe; në romanet e mia ndesh jo më shumë një apo dy-tri karaktere. Në një kuptim, jam rrekur të bëj një prozë sa më vertikale: drejt thellësive e mistereve të qenies. Sa ia kam arritur, e gjykojnë të tjerët”.

Prej vitit 1995, që nis shkrimin me romanin e parë “Nudo”, jeta letrare e Dibrës ka qenë intensive duke vazhduar me tregimet “Prostituta e virgjër”, “Stina e ujkut”, 2000, romanet “Triumfi i Gjergj Elez Alisë”, “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë”, 2003, “Kanuni i Lekës së vogël” – 2011, “Gjumi mbi borë”, 2016, dhe së fundi “Treni i muzgut” – 2017 etj., duke u bërë një nga zërat më modernë në letërsisë shqipe. /mapo