Këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora, ka konfirmuar se me 17 shkurt për nder të Pavarësisë së Kosovës do ta mbajë një koncert në Kosovë pa asnjë pagesë.

Deklarimet e organizatorëve të shënimit të 10 vjetorit të Pavarësisë se Rita Ora do të vijë në Kosovë për të mbajtur koncert me 17 shkurt, pa asnjë pagesë, duket se kanë shtyrë Rita Orën që së paku të bëjë ca biznes me këtë festë, raporton Insajderi.

Rita Ora bashkë me konfirmimin e ardhjes së saj në Kosovë, ka bërë publike se ka krijuar edhe një dizajn të duksave me logo të Kosovës.

Duksat e dizajnuar nga Rita Ora për nder të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe ardhjes së saj në vendlindje do të kushtojnë 50 funte apo në euro 56 euro e 30 cent.

Ora përmes Instagramit ku ka konfirmuar ardhjen në Kosovë ka bashkangjitur vezën ku mund të blihen online duksat e dizajnuar nga Ora.

“Përshëndetje të gjithëve! Jam shumë e lumtur që do të jem me ju në 10-vjetorin e Pavarësisë se Kosovës në Prishtinë. Kjo është një bluzë të cilën e kam dizajnuar për ketë rast dhe shpresoj të mbetet një kujtim i mirë për të gjithë ne. Ju dua, Rita”, ka shkruar Rita Ora në Instagram.

Në ueb sajtin Rokiconcert janë vendosur dy lloje të duksave njëri është i bardh dhe tjetri i zi me çmim të njëjtë 56 euro.

Por pavarësisht shpenzimit prej 56 eurove të të gjithë atyre që vendosin ta blejnë produktin e dizajnuar nga Ora nuk do të munden ta festojnë 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në ueb faqen ku mund të porositet produkti është treguar se produkti nuk mund të vijë para 26 shkurtit./Insajderi.com