Ismail Kadare: “Lulet e ftohta të marsit” (roman), botuar nga “Onufri”, Tiranë

Në 82 vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë

Nga Ahmet Selmani

 a) Aventura e rrëfimit

Në pikëpamje zhanrore romanin më tepër e karakterizon rrëfimi si një aventurë e pashmangshme. Nga secili këndvështrim aty na shfaqet një zë që flet për të gjitha ato që ndodhin, duke i artikuluar botëkuptimet nga një pozitë e caktuar. Ky është rrëfimtari që shfaqet drejtpërdrejt ose tërthorazi, i veshur me petkun e autorit ose me atë të heroit. Dhe, si një përfaqësues apo zëdhënës i realitetit, po të gjykojmë sipas thënies së teoricienit të njohur Mihail Bahtin, ai në një mënyrë gjithnjë shfaqet si një ideolog, ndërsa fjalët e tij gjithnjë shfaqen si ideologjema. Kur e marrim parasysh këtë gjë, sipas gjasash, as romani “Lulet e ftohta të marsit” i Ismail Kadaresë nuk bën ndonjë përjashtim, ngase zëri i rrëfimtarit të tij na del si një shqiptim i theksuar artistik, nëpërmjet të cilit fokusohen ngjarje dhe veprime që kanë të bëjnë me një periudhë të caktuar kohore. Në të vërtetë, edhe më parë kemi mundur të vërejmë se ky autor udhëhiqet nga një motivim jashtëzakonisht i fuqishëm krijues, prandaj edhe këtu na jep mundësi të kuptojmë se rrëfimtari i tij paraqitet si një vëzhgues dhe shpalues i mprehtë i të gjitha fenomeneve shoqërore dhe shpirtërore, pra pikërisht si një ideolog psikologjik i cili gjithmonë udhëhiqet nga një arsye konkrete, si dhe nga një intuitë e përsosur. Rrjedhimisht, edhe fjalët e tij, të cilat dalin nga një shtytje e brendshme, strukturalisht shfaqen si ideologjema të veçanta, sepse si të tilla e shenjojnë kohën përkatëse, qenien njerëzore, mendësinë, psikologjinë etj., kuptohet në rrethana të shprishura. Sido që ta shohim, rrëfimtari i kësaj vepre të I. Kadaresë e bart letërnjoftimin e autorit, natyrisht duke ndjekur një aventurë të ndërlikuar në rrafshin e shtjellimit të ngjarjeve, për arsye se në njërën anë ai flet për atë që duket, ose për atë që e përjetojnë personazhet e ndryshme, kurse nga ana tjetër flet edhe me forcën e intuitës krijuese, duke bërë komentime dhe përsitatje të shumta. Kjo do të thotë se aventura e rrëfimtarit në romanin “Lulet e ftohta të marsit” merr përmasa të gjera, duke kaluar nëpër shumë rrafshe reale dhe mitike, si një amplitudë nga e cila ngrihet edhe struktura e përgjithshme e romanit. Synim kryesor i tij është që si e si ta tipizojë realitetin me të gjitha tronditjet e brendshme dhe të jashtme, prandaj shfrytëzon elemente sa më të përafërta dhe sa më autentike, me ngjyrime e nuanca të holla, por njëkohësisht duke shfrytëzuar edhe elemente të natyrës mitike, historike, fantastike etj. Shpalimin e realitetit përkatës e nis nga një pikë e caktuar, thjesht duke marrë si shkas një gjarpër, të cilin e kanë nxjerrë nga vrima disa fëmijë, por që ka shkaktuar çudi te njerëzit, ngaqë është trazuar në një stinë të papërshtatshme. Mbase ky është motivi, shtysa e rrëfimtarit për ta përshkruar në radhë të parë ashtu siç mund të duket, por më pastaj edhe për ta komentuar dhe krahasuar me ndihmën e forcës intuitive. Në shikim të parë gjarpri është një qenie shtazore, por më tej ai merr shtrirje simbolike dhe alegorike. Në këtë mënyrë rrëfimtari e tërheq atë me një lehtësi, duke e paraqitur herë si qenie reale e herë si qenie mitike, gjithnjë duke e vënë në kontekste të reja kuptimore e artistike. Gjarpri si qenie reale e trazon kujtesën e rrëfimtarit, e bën ta përfytyrojë realitetin totalitar, të gjejë ekuivalente të ngjashme, të sjellë ndër mend ankthin e një kohe të kobshme etj. Por edhe si qenie mitike, pra duke e inkorporuar edhe martesën e vajzës me një gjarpër, sërish kujtesa e rrëfimtarit varakatet në të njëjtin realitet, domethënë duke krijuar një analogji psikologjike, si dhe duke zbuluar një fatalitet që përsëritet në një formë tjetër. Në këtë aspekt ky realitet duket edhe fantastik, por njëherzi edhe vetë fantazia duket si realitet. Mbase kishte të drejtë edhe Dostojevski kur thoshte se s’ka më fantastik se realiteti. E rrëfimtari gjithnjë kalon nëpër këtë vijë, me një bagazh shpirtëror, për ta ballafaquar njeriun me fatalitetin që e ndjek. Kështu del se ai e çrëndomtëson atë, e zhvesh nga aureolat e shpeshta, e shpëton nga njëra gjendje, por e sakrifikon në një gjendje tjetër, fizikisht e shmang nga një kohë brutale, por shpirtërisht e lë përherë aty etj. Me këtë krijon një shpërputhje midis qenies fizike dhe asaj shpirtërore të njeriut. Pikërisht këtë dysi rrëfimtari e koncepton gjatë tërë vazhdës së tij, natyrisht si një ideologjemë artistike, nëse mund ta quajmë kështu, ku personazhet i fut në një rrugë pa kthim, si bartës të një fataliteti misterioz, nga i cili pothuajse kanë krijuar një varësi të pashmangshme.

  1. b) Realiteti si paradoks

Kur e lexojmë këtë roman, që në fillim të tij, pra në moton e vendosur aty: “Qenë lule ato vërtet, por ndoshta s’ishte mars, a ishte mars gjithkund, veç lulet qenë të rreme”, autori na e paralajmëron një paradoks të thellë të realitetit të cilin e ka konceptuar me anë të ligjërimit të stërholluar artistik. Deshëm apo s’deshëm, kjo a priori na bëhet ngarkesë, preokupim, kureshtje. Në qoftë se e marrim si një çelës metaforik, atëherë aq më tepër përqëndrohemi aty, për të kundruar atë si një dinamikë kundërthënëse, e cila e aktivizon edhe intuitën e lexuesit. Prandaj, edhe gjatë rrjedhës së mëtejme realiteti merr karakter paradoksal. Sado që i afërt, ai bëhet i pakapshëm. Pra, i afërt në kuptimin se atij i përket individi, por i pakapshëm ngase nuk arrin të shpëtojë nga kthetrat e një mendësie të rrezikshme. Siç thoshte edhe vetë Rolan Barti, realiteti nuk është as misterioz, as absurd; ai është i qartë, gati familjar; krijuesi e mba tërësisht në dorë në çdo moment; realiteti e pëson shtypjen ingjenioze të lirisë së tij. Meqë mund ta pandehim si të këtillë, atëherë kjo gjendje bëhet më e mprehtë, pra duke qenë dhe duke mos qenë njëherësh ashtu siç duket në shikim të parë. Midis kësaj, në njërën anë koha kërkon që të flaket një mendësi e vjetër dhe, në anën tjetër të përqafohet një mendësi e re, të kalohet nga një vetëdije iracionale në një vetëdije racionale etj. Autori përpiqet t’i gjejë shkaqet dhe pasojat e kaosit që mbretëron, kuptohet duke e zhveshur lakuriq edhe njeriun, edhe shoqërinë, si një dysi standarde e kësaj ekzistence. Në këtë rast edhe shoqëria bëhet viktimë e individit, por edhe individi bëhet viktimë e shoqërisë. Kështu duket qartë se lënda tematike e shtjelluar brenda romanit “Lulet e fohta të marsit” të Ismail Kadaresë në tërësi paraqet një strukturë antitetike. Themi kështu për arsye se në rrafshin e tërësishëm ajo i nënshtrohet një ritmi të veçantë. Derisa një pjesë e ngjarjeve zhvillohen brenda një kreu, pjesa tjetër e tyre zhvillohen brenda një kundërkreu. Në të vërtetë, kjo është një antitezë e madhe e cila e përshkon gjithë romanin. Dhe si e tillë nuk është e rastësishme, por e konceptuar me një logjikë polarizuese. Gjersa në suaza të një kreu vijëzohet një fenomen njerëzor dhe shoqëror, në suaza të kundërkreut ai merr një formë të kundërt. Pra lëvizjet janë pohuese dhe mohuese. Në këtë kontekst, përplasjet e realitetit dhe mitin, të jetës me vdekjen, të njeriut me kohën etj., shfaqen në mënyrë të njëpasnjëshme, gjë që e shpejtojnë dinamikën e ngjarjeve dhe të veprimeve. Prandaj, edhe vetë shthurja e nyjave të shumta vjen si rezultat i këtyre polarizimeve të cilat janë pasojë e mendësisë së individit në rrethana kaotike. Në fund të fundit, çdo gjë fillon nga individi, nga mendësia e tij. Brenda këtij realiteti, siç shprehet Zhan Pol Sartri, zhvillimi i lirë dhe anarkik i individit mund të mos jetë i rrezikshëm për vetë mendjen e tij, por mund të jetë i rrezikshëm për shoqërinë. Në rastin konkret, anarkia që sjell individi, i kalon përmasat normale. Por kjo është pasojë e mendësisë së tij, e cila është krijuar prej kohësh dhe nuk çrrënjoset aq lehtë. Mendësia e tillë kalon nga njëri fatalitet i kobshëm në fatalitetin tjetër edhe më të kobshëm. Thjesht, individi është i robëruar nga vetvetja, nga iracionaliteti i skajshëm. Dhe, sipas Çeslav Milloshit, kjo do të ishte një mendje e robëruar. As individi nuk çlirohet dot nga mekanizmat anarkikë të shoqërisë, por as shoqëria nuk çlirohet dot nga mekanizmat anarkikë të individit. Midis tyre ekziston një kushtëzim fatal i ndërsjellë.

  1. c) Gjakmarrja si antikod

Të gjitha ngjarjet që zhvillohen brenda romanit “Lulet e ftohta të marsit” të I. Kadaresë duket qartë se përshkohen nga një inerci e vjetër. Në qoftë se përgjithësisht ndihet atmosfera e ndryshimeve të mëdha shoqërore, kjo nuk do të thotë se e kaluara do të flaket me aq lehtësi, por as e tashmja nuk do të përqafohet aq lehtë. Në këtë kapërcyell shfaqet individi i cili ec si ndonjë somnambul i çuditshëm. Derisa heroi Mark Gurabardhi në të kaluarën nuk e ka pëlqyer uniformën e oficerit, e cila i ngjan si lëkurë gjarpri, por ka zgjedhur pikturën e cila do t’i sjellë kënaqësi shpirtërore, që si e si të jetë larg krimit, më vonë ai refuzim i kthehet në një bumerang, për arsye se prapë futet në vallen e krimit. Ky është një fatalitet që përsëritet në mënyrë reale dhe mitike, që do të thotë se nuk varet nga vullneti individual, por nga ligjësitë kaotike që janë krijuar. Mark Gurabardhi, ky piktor me qenie të ndijshme, që futet në atelienë e tij, duke e pikturuar nudo të dashurën e tij, njëlloj si Rafaeli gruan e tij, assesi të lirohet nga një fatalitet i çuditshëm. Realisht ai i ka ikur uniformës, por atë e ndjek hija e saj. Edhe gjarpri ia përfytyron atë, edhe makina e policisë që kalon para tij, edhe kujtimet e hidhura për burgosjet e shumta, edhe denoncimet që u janë bërë miqve të tij etj. Por, edhe brenda kohës në të cilën jeton, ai nuk shkoqet dot nga ai bagazh. Atë e ndjek hija e krimit, si një fantazmë shekspiriane, sado që kurrë s’e ka kryer atë. Si të shpëtojë nga ky fatalitet i mistershëm Mark Gurabardhi, kur atë e fut drejt tij familja e së dashurës së tij e cila kryen një gjakmarrje? Ndonëse ajo gjithnjë i rri afër, duke i sjellë lajme të reja për ndarjen e pasurisë shtetërore, për vjedhjen e bankës, për ndjekjen e vjedhësve, për tregtimin e prostitutave në Itali etj., prapëseprapë nuk mbaron sinqeriteti i saj. Zhveshja e vashës para Mark Gurabardhit korrespondon me lajmet që ia sjell ajo. Kjo është një zhveshje reale dhe simbolike njëherësh. Në të vërtetë ajo është gremçi i tij. Dhe s’ka si të shpëtojë prej saj. Pikërisht ajo e fut në lojën e vdekjes. E keqja më e madhe është se kemi të bëjmë me një gjakmarrje të ringjallur pas shumë vitesh, kur të gjitha kodet kanunore janë topitur e gjymtuar rëndë. Asgjë nuk zhvillohet sipas rregullave tradicionale të kanunit, por sipas një lirie tepër absurde. Në qoftë se në të kaluarën gjakmarrja kanunore është kryer sipas të gjitha rregullave të ashpra, tani ajo kryhet në mënyrë shumë qyqare, më tepër si një modë anarkike, në emër të rikthimit të gjërave të ndaluara nga komunizmi, sesa si rezultat i ndonjë nevojë reale. Në qoftë se dikur kishte vepruar sindromi i gjarprit, madje kishte arritur të vepronte deri edhe në jetën bashkëshortore, edhe tani ky sindrom rishfaqet fatalisht, përsëri në jetën e Mark Gurabardhit me të dashurën e tij. Atëherë sindromi i gjarprit mund të jetë manifestuar nga policia, tani ai manifestohet nga gjakmarrja që e kryen vëllai i së dashurës së tij. Kështu gjakmarrja shndërrohet në një antikod të vrazhdë. Në të kaluarën krimin e bënte individi në emër të shtetit, edhe tani krimin e bën individi, prapë duke u përpjekur përgjegjësinë t’ia lërë shtetit. Rrjedhimisht, ky refleks i vjetër, mbase përcillet edhe në këtë kohë. Por tani shteti refuzon të jetë bashkëpjesëmarrës në gjakmarrje. Sindromi i këtillë, thjesht mbetet pasojë e mendësisë së individit. Shteti synon të arrijë diçka tjetër, kuptohet në harmoni me qytetërimin evropian, prandaj edhe bën refuzimin e tij, distancimin nga krimi, nga kanuni i gjymtuar. Gjykuar sipas parimit të ajsbergut, sic e quante E. Hemingueji, nga kjo nënkuptohet se për herë të parë përgjegjësia bie mbi atë që e ka kryer krimin. Pastrimi bëhet vetëm me anë të mekanizmave ligjorë. Edhe gjakmarrja kanunore, bëhej sipas rregullave të përpikta. Tani ajo mungon, kanuni na del i gjymtuar rëndë, prandaj duhet të ndërhyjë shteti, të funksionojë mekanizmi i drejtësisë për t’u pastruar çdo gjë. Në fund të fundit, krimi është i njëjtë, qoftë me kanun, qoftë pa kanun, ndaj si i tillë duhet të ndëshkohet. Të paktën një jehonë e këtillë mund të ndihet në ndërdijen e lexuesit.

ç) Dysia e personazhit

Krahas shumë gjërave të tjera, në romanin “Lulet e ftohta të marsit” një vëmendje të veçantë meriton edhe personazhi si element kryesor i ndërtimit. Gjatë tërë rrjedhës së trajtimit ai i nënshtrohet një metamorfizimi të vazhdueshëm. Vetë fakti se kemi të bëjmë me shndërrimin e realitetit në mit dhe të mitit në realitet, na fut në një kontekst të theksuar dysie, ku personazhi i nënshtrohet ndryshimit të qenies së vet fizike. Pra, ai na shfaqet herë si njeri e herë si gjarpër, herë i përket kohës së kaluar e herë kohës së tashme, herë synon drejt jetës e herë drejt vdekjes, herë është i çiltër e herë misterioz, herë është racional e herë iracional etj. Me një fjalë, ai në të njëjtën kohë bën dyjetësi dhe dykohësi. Legjenda e martesës së vajzës me një gjarpër është elementi më i përshtatshëm për të manipuluar me këtë dysi. Personazhi, duke qenë një krijesë njerëzore, çuditërisht i ngjan një krijese shtazore. Në shikim të parë duket sikur dallojnë shumë njeriu nga gjarpri, por në thelb ata nuk dallojnë fare. Analogjitë janë aq të mëdha, sa mund të kuptohen vetëm kur të shikohen në rrafshin psikologjik. Pothuajse është një gjë e zakonshme kur personazhi njeri u ngjan qenieve shtazore, siç është gjarpri. Në fund të fundit, siç shprehet teoricieni Cvetan Todorov, ngjashmëria është çmimi i personazhit. Në letërsi, ai s’ka punë tjetër, përveçqë t’u ngjajë qenieve të ndryshme, me qëllim që të fitojë peshë më të madhe kuptimore. Te “Lulet e ftohta të marsit” ai aq më tepër e forcon këtë ngjashmëri, sepse kjo është edhe tendencë e autorit, që si e si ta krijojë një ekuivalent poetik prej të cilit do të rrezatojë një domethënie e caktuar. Kjo dysi kaq e theksuar pothuajse i thyen të gjithë kufijtë e mundshëm brenda romanit, sepse edhe njeriu i ka fijet te gjarpri, por edhe gjarpri i ka fijet te njeriu. Sido që të jetë, autori na jep të kuptojmë fare qartë se në këtë dysi kufiri midis personazhit real dhe atij mitik është shumë i rrëshqitshëm, madje ndoshta edhe i pahetueshëm. E gjithë kjo realizohet me një dinamikë të natyrshme, si një rrjedhojë e intuitës dhe imagjinatës krijuesi të autorit. Dysia nuk shihet vetëm te njeriu dhe shtaza, por edhe te jeta dhe vdekja, të cilat bëhen modus vivendi për të. Andaj, duke mos gjetur forca të shmanget nga kjo e keqe, detyrohet t’i nënshtrohet fatalitetit të llahtarshëm. Pa dyshim shtylla e kësaj dysie është Mark Gurabardhi i cili e bart me vete edhe ankthin e uniformës të cilën e ka refuzuar në mënyrë kategorike, por edhe ankthin që ia krijon e dashura e tij kur e fut në rrjetin e tradhtisë dhe të gjakmarrjes. Dhe fijet e këtij fataliteti jashtëzakonisht misterioz janë aq të thella dhe aq të padukshme, sa vështirë e ka të shmanget prej tyre, prandaj ec dhe vepron sipas spontanitetit të rrezikshëm, në njërën anë duke dalë nga njëri hon, e në anën tjetër duke u përplasur në honin tjetër.

  1. d) Çlirimi i individit

Edhe me këtë vepër Ismail Kadareja dëshmon qartë se është një shkrimtar që jeton me realitetin në kuptimin më të ngushtë dhe më të gjerë të fjalës. Para së gjithash këtu e hulumton njeriun si një mikrokozmos, siç do ta quante Leonardo da Vinçi. I vetëdijshëm se problemet para se të jenë të jashtme, janë të brendshme, autori gjithnjë ndjek një vijë psikologjike, që si e si ta përcaktojë mendësinë fatale të individit i cili është zhvendosur nga një realitet normal dhe është ngulitur në një realitet anarkik, pa mundur të konsolidohet me anë të arsyes vetanake, pa krijuar ndonjë tejqyrë reale për jetën dhe ekzistencën etj. Duke patur si synim që ta krijojë një vetëdije të re, një realizëm të ri, siç shprehet Bruno Fogelmani, ai i bën një autopsi artistike individit, por edhe shoqërisë, me të vetmin qëllim që të hapë një shteg të ri të kuptimit të jetës dhe ekzistencës njerëzore. Qoftë me temën, qoftë me rrëfimin, qoftë me psikologjizmin, ai ka arritur që realitetin ta zbërthejë përmes gjuhës artistike, e cila romanin e bën me peshë të veçantë. Me përjashtim të disa shpjegimeve dhe komentimeve të tepërta që i bën aty­këtu, si dhe herë pas herë të disa sforcimeve për të ndërlidhur shumë ngjarje në të njëjtën vijë, gjë që e dëmtojnë artistikisht romanin, mund të thuhet se “Lulet e ftohta të marsit” i Ismail Kadaresë ndriçon artistikisht një kohë të freskët, siç është ajo paskomuniste, kur pasojat e një mendësie të vjetër ndihen dhe përsëriten në mënyrë fatale. Autori angazhohet që ta çlirojë individin nga këto shtrëngesa absurde, natyrisht duke u përpjekur që me anë të romanit të tij të krijojë një ndërgjegjësim racional./Gazeta Observer