Ka një moment në jetë, kur zgjedh të bësh atë që ke thënë e je betuar që s’do ta bësh kurrë. Edhe pse mund të urresh të të thonë njerëzit “kurrë mos thuaj kurrë”, apo “po ti sikur kishe thënë që s’do e bëje asnjëherë”, ja ku në rrethana krejtësisht të paqarta, bën pikërisht atë që s’ta kishte marrë mendja se do ta bëje. Jo se del me djem më të vegjël në moshë, kurrsesi jo (një tjetër gjë që je betuar të mos e bësh kurrë, sidomos pas një farë moshe, kur thuhet se e bëjnë të gjitha). As nuk merr vendimin që të lësh shtëpinë tënde për të shkuar e të jetosh në shtëpinë e të dashurit dhe të prindërve të tij (kjo edhe ca më keq se ajo e djemve më të vegjël)… Por ja që një ditë të bukur se si të mbushet mendja edhe ty, që ke qenë gjithë jetën një brune e betuar, flokëzezë hera- herës, ezmerkë e lezeçme për disa ose arixhofkë për ndonjë teze që s’të sheh dot me sy dhe për ndonjë mik të vjetër që të përkëdhel kështu gjithë dashuri, del nga parukeria me fokë të verdhë.

Kjo nuk ka ndodhur në një moment krize, sepse kështu do ishte shumë e kuptueshme. Nuk ka ndodhur as edhe në ndonjë ditë me shi nga ato të vjeshtës, ku çdo gjë rreth e rrotull të duket e shëmtuar dhe pa kuptim. Nuk ka ndodhur në ndonjë çast lumturie, kur bota të duket aq e bukur dhe ti ndihesh aq plot, sa kërkon të bëhesh më e bukura mbi tokë. Ndodh në një ditë normale jave, kur ti ke shkuar për të bërë lyerjen e zakonshme të flokëve, në të cilat kohët e fundit kështu si për mode, janë shfaqur tek- tuk majave ca fije të verdha, si në faqet e revistave. Ja pra, në një ditë të tillë të parëndësishme të jetës, ti bën atë ndryshimin e madh, nga brune në biode. Eshtë kaq e zakonshme dita, sa ti nuk mban mend as sesi parukierja jote e besuar ta propozoi një herezi të tillë dhe se si ti the “PO”, sikur kjo të kishte qenë gjëja më e thjeshtë në jetë dhe jo ajo që nuk do e bëje kurrë. Gjatë gjithë procesit të zbardhjes të flokut meraku i vetëm është nëse do arrijë të dekolorohet lehtë dhe sigurisht kurioziteti se si do dukesh.

Gjithë filmat komedi dhe batutat me bionde që ke gjithë jetën që i përdor harrohen menjëherë: në fund të fundit nuk kemi pse i ndajmë femrat në kategori, në bionde e në brune. Ej, është ngjyrë foku dhe aq! Je e njëjta, me ngjyrë tjetër flokësh. Paske qenë budallaqe që ia paske mbushur mendjen vetes që femrat na u ndakan në brune dhe në bionde, edhe përtej ngjyrës!

Ja kështu mendon me vete, ndërsa halli i vetëm që ke në këto momente nuk është si t’u mbushësh mendjen njerëzve se ti nuk ke ndonjë hall apo krizë, që ke bërë ndryshim kaq të madh, por se si t’i kombinosh veshjet dhe aksesorët me pamjen tënde të re. Normal që e mira fare është të bësh ca blerje të reja me këtë rast, ndonjë fustan alla Brigitte Bardot apo një mori me fustane alla Carrie Bradshaw (treçereku i veshjeve që ke blerë ndër vite duke pasur në mend imazhin e Jacqueline Kennedy-t apo Audrey Hepburn-it, natyrisht që rezultojnë komplet të papërshtatshme për flokët e reja). Ndërsa me njerëzit zgjedh të mos merresh fare. Në fillim u thua se kishe nevojë për ndryshim, pastaj se doje t’i bëje qejfin parukieres që ngulmoi, pastaj nis e acarohesh kur të thonë që kështu dukesh e bukura e dheut dhe se kishe humbur kot për një palë flokë të çelur, pastaj do t’u ulërasësh “qepeeeeniiii gojën!!!!” kur të këshillojnë e pastaj urdhërojnë të mos guxosh më kurrë t’i errësosh…

Ndonjëherë, kur je vetëm, harron që ke bërë këtë ndryshimin dhe ndihesh aq mirë kur i kalon afër dikujt që e njeh prej vitesh dhe s’ke pikën e qejfit as ta takosh e as t’i flasësh me gojë dhe kupton që e fshehur pas syzeve të diellit dhe flokëve të verdha mund të rrëshkasësh rehat-rehat pa e përshëndetur. Ose ndodh të çuditesh se përse një ditë që ulesh dhe pret shoqen tënde, që si gjithmonë vjen gjysmë ore me vonesë, në kafen e hollit të një hoteli ku hyjnë shumë njerëz njëri pas tjetrit në një konferencë, të gjithë kthejnë kokën nga ty… Për një moment të zë paniku, se mos je bërë pis gjëkundi, që po tërheq të tillë vëmendje dhe nxiton në tualet që të kontrollohesh në pasqyrë. E teksa bën atë slatën vajtje – ardhje drejt tualetit e kupton që nuk ka asgjë që nuk shkon në pamjen tënde, nuk është as fustani i shkurtër që e ke veshur me dhjetëra herë në vitet e fundit, por janë pikërisht flokët e verdha ato që kanë tërhequr gjithë këtë vëmendje. Pikërisht këtu e kupton që ke pasur gjithmonë të drejtë, që bota qenka vërtetë e përbërë nga biondet dhe brunet, ku të parat qenkan vërtet ashtu siç ke dëgjuar “të preferuarat e burrave”. Ia thua këtë mikeshës tënde, që prej disa vitesh s’e ndryshon të verdhën e platintë, duke i shtuar dhe pjesën tjetër të klishesë “Duan biondet, por martohen me brunet” dhe ajo ta kthen qetë-qetë: “E ke gabim zemra, unë dy herë që jam martuar, në të dyja rastet kam qenë bionde”. Ia tregon pastaj një tjetër mikeshe këtë, asaj që është bionde prej vërteti, nga ato me sy bojëqielli. I tregon se si ai flok i verdhë ta bëka jetën më të shkujdesur dhe shkakton buzëqeshje admirimi gjithandej dhe i ankohesh “sa të lehtë e paskeni jetën ju biondet dhe nuk na e paskeni treguar këtë sekret!” dhe ajo ta kthen: “ta kemi thënë gjithmonë, por ju veç nxirrni barsoleta për ne”. Nën lëkurën e biondes betohesh që nuk do bësh më kurrë të tilla shaka. Sepse floku dhe inteligjenca nuk kanë pikën e lidhjes me njëra-tjetrën. Pastaj në të parin sherr që bën poshtë pallatit për parkimin e makinës i bërtet atij tjetrit “mos më thuaj si ta pres timonin, se nuk jam bionde” (kur sheh në pasqyrë majën e verdhë të kokës, mund të vrasësh mendjen se sa inteligjente i je dukur atij tjetrit). Dhe mbi të gjitha betohesh se nuk do t’u thuash atyre që ke inat “biba pendëverdha”, sepse mund të të shkrepë një ditë që të bëhesh dhe ti një ndër to. Se në fund të fundit ia vlen ta provosh një herë në jetë të bësh atë që je betuar se s’do e bësh kurrë. Ia vlen ta provosh të ndryshosh qoftë edhe për të ndjerë kënaqësinë e kthimit tek vetvetja (në këtë rast gjithë ata që të kanë pëlqyer flokët e verdhë do të thonë sa mirë bëre që u ktheve sërish tek ngjyra jote dhe me radhë, derisa të arrijnë tek kërcënimet që s’duhet të guxosh më…). Ia vlen sidomos një përvojë e tillë që të mos i bësh kurrë sherr atij që ke në krah, se përse kthen pak kokën kur pranë kalon një flok i verdhë. Le ta kthejë sa të dojë! Në fund të fundit i ke provuar të tilla shikime mbi veten dikur… Nuk janë asgjë./ Iva Tiço