Alma Mile

Një dëshmi shekullore, si ajo e At Zef Pllumit, “Rrno për me tregue”, nuk e ka pasur fare të lehtë në Shqipëri. Kur kanë dalë tri vëllimet e saj, bashkë me Mark Markun kemi parë që libri nuk depërtonte, madje u është nënshtruar diversioneve të ndryshme. Ne e kemi vërtetuar në librari që librat bliheshin të gjithë njëherësh dhe zhdukeshin.

Kjo nuk është aspak e çuditshme në një vend që në instancat e larta gjallojnë ish-agjentët dhe operativët e Sigurimit. Gjithsesi jemi përpjekur të gjejmë një mënyrë për të përhapur veprën e At Zef Pllumit në forumet që ekzistonin, në gazeta, televizione, shkolla, dhe dalëngadalë e kthyem atë në një pjesë të misionit.

Sapo na jepej rasti, i kemi thënë këto dhe ajo është shtrirë në publik, sidomos në shtresat elitare, sidomos me botimin e vitit 2005. Vetëm atëherë filloi të flitej për të dhe të merrej në konsideratë, pasi pati një mënyrë më të organizuar të përhapjes së saj… – u shpreh Agron Tufa.

Sipas tij, fshehja e veprës së At Zefit ka arritur deri aty sa të zhdukeshin edhe intervistat e tij. “E kam ftuar një herë në emisionin që drejtoja vetë, “Shën libri”. Erdhi në studio me zhgun, me konop dhe nallane, si ishte modeli i priftërinjve françeskanë. Ishte momenti kur të përndjekurit politikë kishin rrethuar parlamentin dhe pamjet na vinin si insert. Ishin fytyra të përgjakura nga konfrontimi me policinë.

Në një moment i them: “At Zef, si e gjykoni ju, pse diktatura shqiptare ka qenë më e egra, më mizore se ato të ish-demokracive lindore? Ndoshta edhe cilësia e individit ka qenë shumë më e keqe dhe kjo është befasuese, sepse në ’44-n ishin po këta shqiptarë që kryen aktin më madhështor në gjithë Europën, mbrojtën hebrenjtë nga përndjekja naziste dhe menjëherë kemi masakrat komuniste!

At Zefi tha: “Padre ti më ke bërë një pyetje për të cilën unë jam menduar 28 vjet në burg dhe 12 vjet të tjera në liri dhe kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjemi vetëm pjesërisht, jo në mënyrë shteruese: Ignorancia, padre, ignorancia! Ajo është përgjegjëse”. Siç veproja me çdo të ftuar, të nesërmen ose të pasnesërmen u jepja emisionin e regjistruar, meqë nuk kishim honorare.

Kur shkova ta marr, edhe me dëshirën për ta ritakuar At Zefin, në televizion m’u përgjigjën: “Është djegur”. Në tërë atë histori emisionesh, mes gjithë atyre emisioneve me intervista të shkrimtarëve dhe studiuesve nga Kosova, Maqedonia etj., ekziston vetëm një emision i djegur dhe ai është i At Zef Pllumit.

Nuk ekziston më. Sigurisht që ka qenë e qëllimshme dhe nuk di se çfarë ka pasur aq të veçantë ai emision”, tha Tufa. Ndërsa Mark Marku, duke treguar përmes njohjes personale, qasjes me veprën e At Zefit, do të thoshte: “Rrno për me tregue” është një vepër themelore për raportin e njeriut me diktaturën, degradimin e njeriut.

Dhe ne sot, që nuk kemi qenë të përfshirë në atë që ndodhi, i bëjmë pyetje vetes: “A jemi njerëz?”. Këtë duhet të mendojë çdokush që lexon veprën e At Zefit, pavarësisht se është shumë e refuzuar dhe e sulmuar në mënyrë sistematike: “A jemi në nivelin elementar të të qenurit njeri?”