(Nga kujtesa politike në program politik për konsolidim të kombit)

Nga Vehbi Miftari

“Rugova-kujtesa politike” i heton paradigmat e mëdha mbi të cilat dr. Rugova e krijonte mendimin e veprimin politik. Teksti i trajton këto paradigma si shenja të kujtesës politike të cilat kujtesohen (memorizohen), për t’i shërbyer më vonë si substrat për artikulim të qëndrimeve politike. Teksti i heton pesë kujtesat e mëdha, mbi të cilat Rugova e ka ndërtuar një sistem mendimi e veprimi. Për secilën sosh do të ndiqet udha: nga kujtesa në përbrendësim të saj brenda dijes filozofike për shoqëritë dhe, më tej, në shndërrim të tyre në shtyllë programi e veprimi politik. Synimi i tekstit: të dëshmojë se si dr. Rugova, në një program të papërsëritshëm politik, e kultivonte trashëgiminë kujtesore, kulturore, historike, morale e politike, si dhe se si e përdorte atë për ta artikuluar idenë e tij për për konsolidim te kombit.

Kujtesa e parë: Programi mesjetar i Skënderbeut

Si intelektual me formim nacional, Rugova besonte se përparimin e kombeve e bënte të mundur vetëm përbashkimi (integrimi) i brendshëm i tyre. Me të ai nënkuptonte disa trajta integrimi, nga ai kulturor e mendor tek ai politik. Për këtë arsye, shembujt e integrimit të brendshëm të shqiptarëve i kërkonte në histori. Figura e Skënderbeut paraqet njërën nga premisat mbi të cilat mbështetet koncepti politik integrues i dr. Rugovës. Rugova e kishte njohur mitin e kujtuem të Skënderbeut, mit i cili, sikundër dihet, erdhi përmes letrave, si mit i rrëfyem dhe jo si dëshmi historike. Përtej heorizmavbe e dëshmive, i ardhur përmes letrave, miti i Skënderbeut u trajtua për dëshminë integruese e brendsçliruese në veprimin politik e ushtarak. Mbi këto premisa u quajt program përbashkues (integrues) evropian. Skënderbeu në pikëvështrimin filozofik shfaqet ideator e programues i një orientimi të ri për shqiptarët dhe krejt europianët jugorë, i orientimit drejt perëndimit”. Ai, sikur dëshmon historia, kishte arritur që t’i bënte bashkë princat shqiptarë, në Lidhjen e Lezhës, dhe të krijonte një lidhje jo vetëm për t’u mbrojtur kundruall osmanëve, por për ta sendërtuar një synim të tyre për liri. Lidhja i kishte konsoliduar aleancat (e heshtura a zyrtare) me perëndimin për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta europiane. Rrjedhimisht, ajo kishte ndërtuar karakter të fuqishëm përbashkues, përmes promovimit të kodit të lirisë universale.
Rugova e kishte gjetur këtë model si të përkryer për synimin e tij: integrimin e brendshëm të shqiptarëve, si dhe krijimin e urave të miqësisë (aleancave politike) me perëndimin. Sipas modelit integrues mesjetar ai synonte t’i solidarizonte qytetarët shqiptarë me vlerat e përbashkëta europiane dhe me parimet universale të lirisë; t’i çlironte ata shpirtërisht, pra t’u ndihmonte atyre që ta fitonin lirinë e brendshme, si parakusht për fitimin e lirisë fizike. Ideali i tij ishte krijimi i besimit në vlerat e përbashkëta, përmes orakullit, i cili do të mbështetet në dije e besim. Refleksion i kësaj mënyre të të sjellit është toleranca personale, e ndërlidhur me tolerancën religjioze e nacionale. Ai qe i vetëdijshëm për peshën e krijimit të një lëvizjeje, e cila duhej të mbështetej në lirinë e brendshme, si premisë e parakusht për ta fituar lirinë fizike dhe atë kolektive. Rugova e theksonte qartë: liria e brendshme është parakusht për lirinë kolektive, prandaj nuk pranonte që LDK-në ta quante parti të mirëfilltë politike, por lëvizje politike, e cila funksionon falë vetorganizimit të popullit shqiptar.
Në programin politik të dr. Rugovës përbashkimi është artikuluar politikisht në synimin për ndërtimin e një sistemi paralel për organizimin e jetës sociale gjatë viteve ’90. E dyta, ndërkaq, ndërlidhet me aspektin solidar të lëvizjes së viteve ’90 në Kosovë, e që nënkupton artikulimin e vullnetit politik të shumicës dërmuese të popullit të Kosovës për të jetuar të lirë. Përmes saj u krijua një lidhje organike mes politikës dhe vlerave qytetare:
Ne shpresojmë ta krijojmë një kulturë solidaritet / Paradoksalisht, kujtoj se e kemi arritur atë që nuk e kishim arritur gjatë kohë: një liri të e brendshme.
Arritjen e lirisë së brendshme Rugova e shihte si premisë për veprim dhe ia atribuonte asaj cilësitë e realizimit të asaj që ishte synim dhe pashmangshmëri për të: arritjen me çdo kusht të një lirie fizike, e cila do t’i paraprinte lirisë kolektive. Ky solidaritet u shndërrua në parim programor që në kuvendin e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai nënkuptonte bashkimin e njerëzve vullnetmirë rreth një ideje, idesë së lirisë. Kuvendi i parë i LDK-së i këto synime, mbi të gjitha parimin e lirisë, e shndërroi në parim të programit politik.

Kujtesa e dytë: Vepra e Pjetër Bogdanit

Përbashkimi i parë në kulturën perëndimore u përket bashkësive religjioze. Autorët filobiblikë, Buzuku, Budi, Bogdani etj., përmes përkthimit të teksteve liturgjike e përplotësuan kriterin e parë të përbashkësimit religjioz: krijimin e një substrati për bashkimin e njerëzve, të cilët jo vetëm e flasin të njëjtën gjuhë, por edhe besojnë në të njëjtat vlera. Së dyti, duke i përkthyer tekstet fetare në gjuhën e besimtarëve të veriut (parimi regjional a lokal është po kështu kriter i përbashkësisë), ata i mbajtën besimtarët “të lidhur për kishe”. Bogdani, autor përfaqësues, e ndërtoi një paradigmë kulturore, krahas asaj teologjike: ta përjetësonte çetën si përbashkësi, pra si shoqëri e cila priret nga disa ideve të përbashkëta dhe shërben si një strukturë homogjene. Kësisoj, Ceta e profetëve, sidomos pjesa e parë e saj, është vepër e cila mbi substratin biblik ndërton paradigma kulturore të cilat i shërbejnë homogjenizimit kulturor të bashkëlexuesve dhe, rrjedhimisht, krijimit të një komuniteti i cili është i përbashkuar së paku në tri elemente të fuqishme: në besim (parimi religjioz), në gjuhë (parimi i gjuhëve “periferike” përtej latinishtes) dhe në ideologji/teologji (përmes doktrinës filozofike të teogonisë). Vetë Bogdani ia parashkruante funksionin veprës së tij, si libër të shkruar “për popull e dobi të fesë”.
Vepra e Bogdanit, për Rugovën, qe përbashkuese, ngaqë i zhvillonte disa lloje besimesh: besimin në krijuesin e botës (aspekti teogonik); besimin në shkathtësitë njohëse (aspekti gnoseologjik), besimin në dijen e në urtitë; si dhe besimin në gjuhën. Pra, Bogdani shkruante tekst filozofik-letrar dhe synonte që t’i ripërtërinte dijet, që “dheu i Arbnit” (populli që i përkiste një territori dhe e fliste një gjuhë) të “ndriçohej nga drita hyjnore” dhe kësisoj të shndërrohej në bashkësi të vetëdijshme për vlerat e përbashkëta. Pra, ai synonte të ndërtonte kurorë letrash, e cila do t’u shërbente bashkëlexuesve të tij, anëtarëve të bashkësisë a të komunitetit religjioz, që t’i thellonin dijet teologjike e filozofike, por edhe ta kultivonin gjuhën e tyre.
Rugova e hetoi këtë nyjë etnizimi përmes gjuhës në veprën e “patriarkut të kelmendit (Patriarcha Clementinorum), duke e cilësuar librin e Bogdanit si tekst i cili përmes gjuhës shënjon bërthamën nacionale (etnike), në njërën anë, si dhe ate ekzistenciale, në anën tjetër, të dyja elemente të rëndësihme, thelbësore, për krijimin e bashkësisë nacionale.
(Bogdani) faktor me rëndësi e merr gjuhën, gjuhën si shenjim nacional e ekzistencial, si element të parë dhe më të rëndësishëm të një bashkësie nacionale, të bashkësisë dhe të kolektivitetit të vet.
Rugova ndërlidh prirjet kulturore të tij me tekstin e Bogdanit, duke e nënvizuar ndoshta më shumë nga sa është i pranishëm dimensionin human të saj. Sido që të jetë, ky dimension i veprës, por mbi të gjitha figura e Bogdanit, përfaqësojnë një dimension të rëndësishëm në programin kulturor e politik të Rugovës. Duke e shndërruar figurën e Bogdanit në udhërrëfyes human e intelektual, ai e krijoi një pozicion të fuqishëm intelektual dhe kulturor, i cili synonte përdorimin e vlerave kulturore e nacionale si parabazë për krijimin e një platforme politike.
Arqipeshkvi i Shkodrës, prandaj, është figura mishëruese e mendësisë kulturore e intelektuale, letrare po se po, të dr. Rugovës. Identifikimi me një kulturë e cila i kërkon rrënjët e veta në kodet e hershme i ka shërbyer si substrat filozofisë politike të dr. Rugovës. Në të është mbrujtur modeli i përfaqësimit, brenda sistemit filozofik të cilin e synonte dr. Rugova. Ky model përfaqësimi kishte gjenezën në formulën bogdaniane: nga antikiteti (si zanafillë e mendimit racional), përmes mendimit teologjik, në një filozofi racionaliste dhe humaniste.
Sipas kujtesës bogdaniane, Rugova i gjurmoi vlerat nacional-kulturore, të cilat i përqasi (krahasoi) në nivel vlerash të përbotshme. Ai i kishte studiuar gjatë kahet e zhvillimit politik në Kosovë, si dhe aspiratat e popullit të tij. Orientimet nacionale i kishte shndërruar në orientime programore, të cilat theksonin identitetin, trashëgiminë dhe besimin në vlera. Kësisoj, teksa fliste për lëvizjen për pavarësi, dymbëdhjetë vjet pas formimit të LDK-së i përcaktonte tri shtylla themelore në të cilat e kishte përqendruar programin nacional:
• LDK-ja ndikoi që qytetari i Kosovës t’u kthehej vlerave të veta shpirtërore;
• Lëvizja artikuloi kërkesa politike dhe e dha sprovën e jetësimit të tyre, mbështetur në parime të fuqishme morale dhe humane;
• LDK-ja e orientoi politikën shqiptare drejt dimensionit nacional, duke i theksuar shenjat e këtij identiteti:
Vetë dr. Rugova i kërkonte dhe i kultivonte me pasion arketipat e kulturës dhe të identitetit shqiptar. Njohja dhe identifikimi me figurat e mëdha të kulturës e të historisë kombëtare i shërbyen atij si premisa për ta ndërtuar një model të veçantë të kërkimit të identitetit personal në arealin e madh të kulturës e të dijeve nacionale.

Kujtesa e tretë: Programi i Lidhjes së Prizrenit

Konsolidimi i kombeve nënkupton krijim të subjektivitetit. Lidhja e Prizrenit është ndërmarrja e parë politike shqiptare e cila ka hartuar program të qartë për krijim subjektiviteti, si premisë për legjtimim politik. Sipas parimeve etno-simboliste për formimin e kombeve, përtej shenjave të identifikueshme, gjuhës, gjakut, kulturës e territorit, kombet, së paku në pasqyrimin që letërsia ua bën atyre) janë edhe kujtesë, mit e histori. Lidhja e Pirzrenit hartoi program për dëshmim subjektiviteti ndërkombëtar dhe për mbrojtje të tij. Ajo dëshmoi se Kosova është territor me subjektivitet të njohur (duke qenë njëri nga katër vilajetet e banuara me shqiptarë); përbashkuoi krerët shqiptarë të vilajeteve për ta kundërshtuar traktatin e paqes roso-turke (duke nxjerrë një memorandum me të cilin i drejtoheshin Kongresit të Berlinit, i cili duhej t’i rishqyrtonte vendimet e këtij traktati); i orientoi politikat nacionale drejt promovimit të së drejtës së pakundërshtueshme për të vetëvendosur për fatin politik të shqiptarëve (duke e afirmuar ekzistencën e popullit shqiptar, si dhe duke e kërkuar njohjen e së drejtës për përbashkim territorial të të gjitha vilajeteve shqiptare), deri në artikulim të kërkesës politike për mëvetësi (duke e proklamuar njohjen e shtetit autonom shqiptar në Ballkan). Kësisoj, Lidhja e Prizrenit u shndërrua në artikuluese të fuqishme të politikave nacionale. Ajo e promovoi përbashkësinë si element për dëshmim subjektiviteti dhe e promovoi parimin e vetëvendosjes së popujve mbi praninë e subjektivitetit politik, etnik e territorial.
Lidhja e Prizrenit, në filozfinë rugoviane përben institucionin e parë të krijimit të një tradite politike e cila e mbështetet në identitetin kolektiv dhe e synon subjektivitetin ndërkombëtar. Ajo që e bën të përbashkët lëvizjen për pavarësi të udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lidhjen e Prizrenit është vetëdija shtetformuese e shqiptarëve, e cila mbështetet në vlerat tradicionale, si dhe koncepti i barazisë mes popujve. Kjo vetëdije për shtetin, e artikuluar në frymën e Lidhjes së Prizrenit, në fillimvitet ’90 u përcoll me një organizim praktik të fuqishëm, i cili mblodhi forcën vepruese dhe atë kreative në një program i cili më vonë u trajtua si program nacional i shqiptarëve. Ai e artikulonte kërkesën për barazi si kërkesë objektive, pragmatike dhe të realizueshme.
Rrjedhimisht, mbështetja në platformën e Lidhjes së Prizrenit nënkupton, prandaj, kultivimin e vazhdimësisë, duke mundësuar ripërtëritjen e programit, të ideve dhe të platformave nacionale.
Mbështetur në këto parime, Rugova u thellua në dëshmim të subjektivitetit të Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare. Njohjen e pavarësisë së Kosovës si të drejtë morale, politike e historike, e argumentoi duke marrë si pikëmbështetje pikërisht programin e Lidhjes së Prizrenit. Ai dëshmoi se njohja e subjektivitetit të Kosovës është e dyfishte: së brendshmi e krijon frymën solidare, ndërsa së jashtmi e dëshmon frymën njohëse dhe pakontestueshmërinë e së drejtës politike. Vetë Rugova, që më 1990 e bënte të qartë orientimin politik të lëvizjes për promovimin e subjektivitetit si parakusht për platformë politike nacionale:
Të gjithë po angazhohemi e do të angazhohemi për subjektivtet politik
Dëshmimi i këtij subjektiviteti i referohet vazhdimësisë së programit dëshmues të Lidhjes së Prizrenit: subjektiviteti i Kosovës kishte lëvizur disa herë: nga vilajeti në njësi kushtetuese brenda ish-federatës jugosllave. Në anën tjetër, subjektiviteti juridik, sikur dëshmonte historia, ishte nëpërkëmbur në disa raste: me ripushtimet osmane pas vitit 1881, nga pushtimet serbo-malazeze të pas 1912-ës, pas Traktatit të Versajës e sidomos pas vitit 1945, kur statusi i Kosovës dhe subjektiviteti i saj nuk u përfill nga sajesa artificiale politike e quajtur Jugosllavi. Parimet e Lidhjes së Prizrenit, prandaj, duhej të ribëheshin.
Njohja e statusit të Kosovës në ish-Jugosllavi qe çelësi të cilin lëvizja e përdori për ta promovuar subjektivitetin ndërkombëtar. Përfshirja e shqiptarëve në proceset integruese europiane, ndërkaq, përbënte “korrektim të historisë” dhe jo shpërblesë.
Ky subjektivitet politik u institucionalizua edhe në programin nacional të LDK-së.
Ne, si Lidhje Demokratike, në programin tonë kemi paraparë subjektivitetin e Kosovës… Ne do ta përkrahim formën e subjektivitetit për të cilin janë deklaruar e do të deklarohet populli i Kosovës dhe këtu nuk do të lejojmë kurrfarë kompromisi.

Kujtesa e katërt: Tradita letrare-kulturore e viteve ‘30

Vitet ’30 të shekullit XX sollën paltformën e parë idealogjikë (jo: ideologjike) në letrat e në kulturën shqiptare. Autorë të shumtë shkruan tekste eseistike, letrare e traktate filozofike me të cilët synonin ta ndërtonin një platformë kulturore për zhvillimin e kombit. Atë Anton Harapi, ta zëmë, synonte “njisimin kombtar”. Ai e shihte atë të realizueshëm vetëm nëse do të përmbusheshin dy premisa të mëdha: ideja dhe vlerat shpirtërore. Sipas tij, ideja, e cila e përfshin humanitetin, vlerat morale dhe kulturore të shumicës së qytetarëve, përbën në vetvete vlerë përbashkuese, e cila ndikon, më tej, në përbashkimin politik të qytetarëve, krahas atij kulturor.
Duke e ditur se elitat politike jo gjithmonë i përmbushin pritjet e elitave kulturore, këto të dytat shndërrohen në veprues politikë nga gjykues kulturorë. Vetë atë Harapi e pranonte pjesëmarrjen e letrarëve e të intelektualëve në jetën politike, si mjet për realizimin e ideve kulturore: dhe këtë, sikur u theksua, e arsyetonte me mungesën e politikanëve. Historia, sikur na mëson vetë ajo, madje si për ironi të jetës, jo rrallë përsëdytet. Fati i atë Harapit dhe i një klase të gjerë të intelektualëve të fillimshekullit XX do të përsëritet në fund të po atij shekulli, në vitet ’90, kur elitat letrare e kulturore, edhe duke iu referuar projektit për formimiin e kombit të viteve ’30, hartoi një program kombëtar-kulturor, i cili u shndërrua në program për konsolidimin e kombit. Vetë prijësi i asaj lëvizjeje, dr. Ibrahim Rugova, teoricien dhe kritik par excellence, duke ia njohur karakterin kombëtar-kulturor lëvizjes, theksonte: “unë atje (në politikë, v.j) do të shkoj si intelektual”. Pikëprekjet mes këtyre dy projekteve, të dyja me bazë humanitetin, na dëshmojnë se letërsia shpesh shërben si fushë në të cilën krijohet ideali për formimin e kombeve, sikur i pëlqente Benedict Andersonit, ose për konsolidimin e tyre, ngaqë e bartin shenjën e idesë kombëtare, të cilën, jo rrallë, e ngrenë në nivel të mitit, sikur e njihte Smithi.
Rugova i zgjeroi kërkimet për kodet nacionale të shqiptarëve, të nisura në vitet ’30 të shekullit të kaluar, duke u shndërruar vetë në riartikulues e riprovues të tyre në fund të shekullit, ashtu sikur at Harapi e të tjerët në fillim të tij. Kësisoj, në kulturën nacionale Rugova krijoi urë ndërlidhjeje mes filimit e mbarimit të shekullit XX, duke ndikuar në rishfaqjen e një platforme të tipit nacional-kulturor. Ai u angazhua në politikë si intelektual, për t’ia ofruar asaj si vlerë dimensionin human, por e bënte edhe në përmbyllje të procesit të pavarësimit të vendit të tij, në kapërcyell të shekullit XX. Ai dëshironte që të trajtohej si intelektual dhe jo si politikan.
Emri im prej intelektuali, kjo do të mbetet nga unë, po të mbetet diç në historinë kombëtare.
Rugova e zhvilloi dimensionin politik të shqiptarëve në një program nacional, i cili synonte lirinë për vete dhe për të tjerët, jetën në paqe dhe në harmoni. Jo rastësisht parimet e tij politike i mbështeste në stabilitetin politik rajonal dhe në perspektivën integruese.
Kosova e pavarur do ta qetësonte rajonin – thoshte ai.
Po kështu, e synonte integrimin si premisë për qëndrueshmëri afatgjate të paqes në rajon. Ai i kishte studiuar gjatë dhe i njihte mirë konceptet politike europiane, por edhe modelin kulturor dhe historik të popullit të tij, prandaj mbështetej fort në vlerat identitare, në autoktoninë shqiptare dhe vetëm në fund provonte që atë ta shihte brenda sistemit universal të vlerave. Duke e synuar ruajtjen e ekzistencës përballë ideologjive politike, ai synonte ruajtjen e substancës etnike në raport me ideologjitë, sidomos përballë ideologjisë rrafshuese komuniste. Mbështetur në urti, kujdesej që dhuna të mos prodhonte dhunë, por rezistencë. Pra, dhunës kërkonte t’i kundërvihej me mosbindje, refuzim, por duke u kujdesur që kërkesat të mos shndërroheshin në furi vetëvrasëse. Jo rastësisht, mendojmë ne, ai e hartoi një program politik i cili e kultivonte dhe e ruante me çdo kusht substancën etnike, sepse sojesh mund të ndërtohej një platformë e mirëfilltë për zhvillim dhe integrim të saj në familjen perëndimore dhe në të njëjtën kohë mund të krijohej baraspesha etnike në rajon. Ai përdorte fraza të shkurtra për ta shpjeguar rolin e popujve dhe raportet etnike në Ballkan.
Të gjithë popujt në Europën Juglindore jemi të vegjël – thoshte ai më tej.
Duke e theksuar këtë baraspeshë, ai e nxiste krijimin e drejtpeshimit etnik në rajon, por po kështu synonte rol të shtuar të perëndimit në krijimin e një perspektive të përbashkët për rajonin, i cili do të mbështetej në njohjen e alteritetit dhe të diversitetit kulturor si vlerë dhe jo si premisë për hakmarrje.
Këtë aksiomë e zhvillonte në kohën e trysnive të mëdha ideologjike nacionaliste, derisa në rajon po shtrihej dhunshëm hegjemonia serbe. Në këtë kohë Rugova kërkonte me ngulm zhvillimin e perspektivës integruese.

Kujtesa e pestë: Vepra e Nënë Terezës

Një lloj parabaze morale e ka dominuar filozofinë politike të shqiptarëve. Përcaktimi për parimet morale duhet të ketë edhe shëmbëllimin në figura po kaq të mëdha të moralitetit dhe shembulli i Nënë Terezës është pakrahasimisht më i vyeri. Me figurën e saj identifikohet një lëvizje morale, e cila parimin e shëlbimit e institucionalizon në vetëdijen kolektive, duke e “institucionalizuar” gatishmërinë për të shërbyer si shembull moraliteti njerëzor.
Vepra dhe filozofia e Nënë Terezës, sikur dhe e popullit tonë dhe qytetarëve të Kosovës, ishte simbol i bashkimit, i tolerancës dhe i mirëkuptimit.
Nënë Tereza, “emblemë që tinëzisht të largon nga vuajtjet”, qe nxitëse për ta tejkaluar mospëlqimin ose kundërshtinë. Këtu moraliteti përfshihet në konceptin politik dhe njohja e thelbit të tyre, sikur ngjet te dr. Rugova, sjell një frymë aktive mbi baza të moralitetit.
Nëna Terezë është një shembull tipik i nënës shqiptare, që me virtytet e dashurisë dhe të mirësisë, që e karakterizojnë historikisht nënën tonë, u bë shembull i nënës, i njerëzimit, nënë universale, e dashur dhe e nderuar nga e gjithë bota.
Është po ky moralitet që e shpie Rugovën në lexim të shenjave të religjiozitetit ndër shqiptarë. Sipas tij, toleranca në histori është edhe rezultat i kulturës religjioze, e cila burimin e ka në idenë europiane. Megjithëse thoshte se i përkiste besimit islam dhe se besimi i tij ishte islami simbolik, i papërfshirë nga rituali, ai besonte se islami ndër shqiptarë është tradicionalisht islam europian, i cili mbështetet në kode kulturore po aq sa në kodet e religjiozitetit.
Rugova, prandaj, shfaqet si nacionalist (bashkëkohor) i cili krahas shtetndërtimit (nisur edhe nga parime elitare intelektuale) e synonte ngritjen a ringritjen e kombit dhe vetë mbështetej fuqishëm në parimet morale e në shembëlltyrën humane të Nënë Terezës. Kjo është mbase arsyeja pse ai ngulmon në krijimin e elitave kulturore, të cilat ndikojnë në shpërfaqjen e një force vepruese në shoqëri. Kjo forcë do ta rrisë pjesëmarrjen qytetare në themelimin e institucionit të solidaritetit ndërnjerëzor dhe të besimit si vlerë.
Gjatë studimeve në Paris, ta zëmë, Rugova i qartësoi parimet themelore të pjesëmarrjes së intelektualit në shoqëri: cilësitë morale, të cilat do ta ndihmojnë atë më vonë që ta krijojë një model përfaqësimi. Krijimi i “cilësive morale” prek dy sfera: atë ndijimore dhe atë etike:
Njeriu ekziston për t’u përmirësuar gjithnjë e më shumë nga pikëpamja morale dhe për t’i bërë më të mira gjërat që e rrethojnë: si në sferën ndijimore, ashtu edhe, nëse e shohim atë në kuadrin e rrethit shoqëror, nga pikëpamja etike.
Ky qëndrim ndaj moralit në politikë përkon me teorinë e Millit për karakterin e përkryer, e cila në karakterin moral-politik të dr. Rugovës i shpërfaq dy nga tri cilësitë shpirtërore: forcën intelektuale, si dhe pjekurinë morale, ose aftësinë për ta vlerësuar veten si njeri i cili vetëkuptueshëm kujdeset për të tjerët. Sprovës për të ndërmarrë veprime më rrënjësore në fund të viteve ’90 të shekullit të kaluar, megjithë organizimin e hershëm të strukturave alternative, ai ua vuri përballë kodin moral: ruajtjen e substancës etnike. Për të, pjekuria morale e nënkupton gjithnjë edhe pjesëmarrjen aktive dhe, rrjedhimisht, veprimi politik është i vetë- kuptueshëm. Ai e kishte të qartë se veprimi politik nuk shkon gjithnjë përkrah mendimit politik, sepse ky i dyti mund t’i përkasë edhe fushës shkencore e publicistike. Në veprim kërkonte maturi, por shumësinë e ideve e shihte si mundësi për krijim pikëpamjesh të pavarura. Sikur e thotë vetë ai, intelektuali është mbështetja e fundit e popullit dhe ai po hynte në politikë “për të mbrojtur”:
Pozita e intelektualit inspiron një lloj koncepti të punës politike: duhet të jetë i rregullt, për ta favorizuar shansin, por nuk duhet të rrijë e të presë që të bëhen ndryshime me mrekulli.
Ibrahim Rugova ia dha politikës dimensionin më të çmueshëm të saj, dimensionin human. E, dimensioni human, sikur thoshte Arshi Pipa, është shenjë e formimit të thellë kulturor, intelektual e nacional. LDK-ja shërbeu si një lëvizje e gjerë qytetare, veprimi i së cilës buronte nga një lloj solidariteti i gjerë qytetar dhe nga parime të fuqishme humane. Kjo, mbase, është arsyeja pse edhe lëvizja e viteve ’90 për pavarësi u mbështet fort në kujdesin qytetar e në solidaritetin ndërnjerëzor për mbrojtjen e parimeve të përgjithshme të lirisë, ëprfshirë edhe parimin e vetëvendosjes. E tërë lëvizja e njohu dimension moral të vendimmarrjes dhe i dha shtysë organizimit të brendshëm që i njeh dhe i përfill këto kode. “Solidaritetin” politik të qytetarëve të Kosovës, vetëdijen e dijen e tyre për shtetin, si dhe organizimin politik të karakterit popullor, LDK-ja e artikuloi si vetëdije politike e cila mbështetet fort në traditën kulturore dhe historike të vendit. LDK-ja e ruajti këtë karakter popullor. Mjafton ta rikujtojmë për një çast modelin e kujdesit shëndetësor, klinikën “Nënë Tereza”./Gazeta Observer