Nga Kujtim M. Shala

  1. Rugova meditans
    Poradeci e quante Gj. Fishtën poet meditans dhe militans, për ta karakterizuar dyfish, në dy fusha: të mendimit e të veprimit.
    Në këtë frymë, sintagma Rugova meditans, titull i tekstit tim, veēon I. Rugovën mendimtar, në fushë të letrave shqipe, duke ditur se karakterizimi i dikurshëm i Lasgushit për Fishtën, vlen po aq për Rugovën, për mendimtarin e për prijësin e shqiptarëve të Kosovës.
    Me përjashtim të vjershave të shkruara herët, e gjithë vepra e Rugovës është diskursive. Prapa Rugovës meditans radhiten gjashtë tituj: Prekje lirike (1971), Kah teoria (1978), Strategjia e kuptimit (1980), Vepra e Bogdanit 1675-1685 (1982), Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983 (1986), Refuzimi estetik (1987).

Libri i parë, Prekje lirike, krejt i veēantë, është ndërtuar nga tekste kritike që rikrijojnë tekstet e interpretuara, për të identifikuar, në shumë pika, kritikën letrare me letërsinë. Këtu, mendimi ka ikur nga retorika e vet, për te retorika e figurës dhe e diskursit poetik përgjithësisht. Sa për të eksplikuar më tej: Rugova, kur shkruan për Lorkën, bën të vetin diskursin e Lorkës dhe e kryqëzon atë me emocionin e vet të leximit; kur shkruan për Lasgushin, diskursin e Lasgushit e kështu me radhë.
Diskursi i Rugovës te ky libër provon kritikën letrare si vepër letrare, si krijuese të kuptimeve. Këtu Rugova është thellësisht subjektiv dhe subjektivizmi/subjektiviteti, i shpallur, i prekshëm, veti statutare/përcaktuese e diskursit të tij.

Te Kah teoria, Rugova, tash mendimtar me retorikën e mendimtarit, definon e karakterizon kritikën letrare dhe mendimin për letërsinë, pasi ka definuar e karakterizuar letërsinë. Duke qenë letërsia një differentia specifica, krijim, edhe kritika letrare, si disiplinë me objekt letërsinë, është krijim, që mban përbrenda kritikën si kategori (mjet shqyrtimi).
Objekti i dyfishtë: teoria e letërsisë / teoria e kritikës, Kah teoria e bën libër teorik/metakritik. Vetë titulli (Kah teoria) jep orientimin e autorit e të diskursit: Teoria.

Strategjia e kuptimit është libër eseistik, kritik e teorizues. Duke iu referuar natyrës së trefishtë të kërkimit, autori ka strukturuar librin në tri pjesë: I. Ese, II. Kritikë, III. Teori e poezisë shqipe. Objekt i përbashkët i librit është Kuptimi, ndërsa strukturimi teksteve shenjon dominimin e tipit të kërkimit në secilën nga pjesët: së pari diskursi eseistik, në të cilin hapet e problematizohet ēështja; së dyti leximet kritike, vlerësuese; së treti vështrimi teorik, në të cilin problemi preket/vështrohet nga disa anë, si fenomen, dhe insistohet në argumentime më konkrete.
Vetë objekti themelor, Kuptimi, përpos që krijon boshtin që mban pjesët e librit e tekstet që bëjnë pjesët, ka imponuar interpretimin semantik; një produkt i “përkthimit” të modelit gjuhësor të N. Ēomskit në model për kërkimet letrare.

Ndërkaq, Vepra e Bogdanit 1675-1685 është monografi. Projekti themelor i Rugovës në kërkimet letrare. Aty, zbulohet e lexohet teksti i Bogdanit, duke u fshirë distanca kohore: teksti i djeshëm ringjallet në leximin e sotëm.
Nga paraqitja e nga kërkimi i gjenezës së veprës së Bogdanit, Rugova kalon te struktura e saj e tek interpetimi.
Në planin e metodës, Vepra e Bogdanit 1675-1685, në esencë, është një kërkim struktural/semiotik: lexim i tekstit si sistem kodesh/shenjash të mbushura mesazhe/kuptime. Rugova analizon strukturat. Hap kodet, për t’i hapur kuptimet. Lexon shenjat, për ta hapur universin e librit.
Në fjalën e mbajtur me rastin e shpalljes Doktor nderi (Honoris Causa) i Universitetit Parisi VIII, Sorbonë, Francë, më 1996, Rugova e quante veten Nxënës të vogël të Bartit të madh. Në aventurën semiologjike te Vepra e Bogdanit 1675-1685 ai është Trashëgimtar i madh i Bartit të madh.

Te Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983 Rugova rishtas ka për objekt kritikën letrare. Këtu, teoria kthehet në praktikë kërkimi. Kahe dhe premisa… është një tipologji teorike/historike, esencialisht përshkruese e komentuese, e kritikës shqiptare; përshkrimet/komentet bëjnë që tipologjia të mos sforcohet.
Duke qenë i përbërë edhe nga një Bibliografi e gjerë, e komentuar, e teksteve kritike, libri merr edhe status udhëzuesi në fushën e metakritikës. Ndërsa, metodiciteti i kërkimit e bën shumë të përdorshëm.

Edhe pse ndërmjet janë dy librat monografikë (Vepra e Bogdanit… e Kahe dhe premisa…), Refuzimi estetik vijon Strategjinë e kuptimit, qoftë në planin e fushës së interpetimit, qoftë në atë të strukturimit. Refuzimi estetik përbëhet nga shkrime të viteve 1980-1986 dhe për referencë/objekt themelor ka letërsinë bashkëkohëse. Të shkruara në kohën e botimit të veprave që kanë për objekt, tekstet e këtij libri i dominon vlerësimi. Rugova komunikon gjallë me veprat e me fenomenet dhe vlerëson në tipin e avangardës estetike, siē e përcakton vetë.
Duke lexuar veprat e kohës nën vetëdijen mbi refuzimin estetik, Rugova provon vlerën dhe funksonin e veēantë të letërsisë (si qenësi përballë idesë e kërkesës për letërsi në funksion social: ideologjik, politik etj.).
Rugova vlerëson autorët bashkëkohorë dhe bashkëkohësinë, gjithnjë duke patur vetëdijen për vështirësitë e vlerësimit të parë, në distancë të vogël ose në mungesë distance. Procesualiteti është veti themelore e Strategjisë së kuptimit dhe e Refuzimit estetik. Duke shmangur kurthet e procesualitetit, edhe pse vlerësues i parë, Rugova është vlerësues i thellë. Në shumë kuptime, koha i dha të drejtë, duke i bërë vlerësimet e tij pjesë të rëndësishme të traditës së leximit dhe orientuese/determinuese të kërkimeve letrare. Vlerësimet e tij tashmë jetojnë edhe në vlerësimet e të tjerëve për librat e njëjtë.

  1. Teoria: Letërsia / Kërkimet

Shkrimin diskursiv të Rugovës përherë e shoqëron vetëdija mbi letërsinë si differentia specifica (aktivitet krijues i veēantë). Në përputhje me objektin (letërsia), edhe kërkimi bëhet i veēantë, i brendshëm, me burim vetë letërsinë. Rugova, edhe kur pranon ndihmën e disiplinave të tjera për studimin e letërsisë, njeh për themelore shkencën letrare.
Leximi i letërsisë si model i veēantë, i vetes, kur zbresim nga teoria tek empiria letrare shqipe, problematizohet vetiu, duke qenë e njohur natyra e thellë ideologjike e një pjese të madhe të saj, prandaj marria e funksioneve të jashtme, vënia në shërbim të ideologemave. Rugova kërkon e zbulon daljen relative nga kjo skemë te moderniteti shqiptar e, përfundimisht, te letërsia bashkëkohore e Kosovës. Letërsia në Shqipëri vijon të jetë fytyrë e ideologjisë, prandaj në funksion të saj.

Koncepti për letërsinë si differentia specifica, në diskurs teorik, është shtruar, trajtuar e provuar te Letërisa si differentia specifica. Koncepti i tillë, me një pikëprerje me estetikën ontologjike/fenomenologjike, me pikëpamjen e Hegelit mbi statusin/funksionin e artit e me teorinë e J. Lotmanit mbi artin si informacion artistik, ndërtohet duke njohur empirikisht ndërrimin e statusit të letërsisë e të arteve nga misionare, nëpërmjet procesit të transformimit/diferencimit, në veprimtari krijuese. Duke gjykuar përbrenda letërsisë shqipe, diferencimi i tillë nënkupton fundin e letërsisë së mitit nacional dhe lindjen e letërsisë për vete. Ky transformim, në fushë të studimit, kërkon leximin e letërsisë si medium që nuk pasqyron, por që krijon botën e vet. Kjo shpie te kërkimi i modeleve letrare/tekstore, duke i njohur si të veēanta; si struktura që prodhojnë e mbajnë botën e veprës. Diferencimi i letërsisë dhe i arteve kushtëzohet e shoqërohet nga natyra e hapur e tyre. Duke pasur referencë të deklaruar teorinë estetike e semiotike të U. Ekos (Vepra e hapur), Rugova afrimon leximin/receptimin si zgjedhje të lirë të receptuesit. Vepra e hapur është produkt i poetikave të avangardës ose i poetikave personale jonormative; receptimi i saj esencializon receptuesin përkrah autorit/krijuesit. Vepra e hapur ndërton recepientin, duke e aktivizuar atë në principin e apertativitetit.
Duke pranuar e afirmuar artin e recepientin e tillë, Rugova pranon e afirmon Individin, mendimin individual, përballë kolektivitetit. Kjo është shenjë e madhe, e përhershme, e modernitetit.

Kritika letrare, në përgjithësimin teorik të Rugovës, është aktivitet që vë komunikimin e parë me veprën letrare. Ajo është tjetër nga Teoria, Historia e letërsisë dhe Estetika. Kritika rri ndërmjet Teorisë e Praktikës, Shkencës e Artit, dhe, së pari, ka karakter vlerësues. Realisht, ky është një tip i kritikës. Autori ynë niset nga etimologjia e fjalës kritikë, skicon historinë e konceptit kritikë, paraqet, komenton e vlerëson metodat e kërkimit, për të arritur përgjithësimet për kritikën letrare si disiplinë. Duke përgjithësuar lidhur me metodat e kërkimit, Rugova nënvizon ”dy baza metodologjike nga të cilat niset kritika letrare”: 1. vepra letrare produkt i jashtësisë dhe 2. vepra letrare produkt absolut artistik, d.m.th. vepra letrare si mimesis, vepra letrare si poiesis.

Te teksti me titullin Mjeti kritikë Rugova diferencon pikëpamjen e vet mbi kritikën letrare (disiplinë), duke e definuar atë si krijm që aplikon kategorinë kritikë, e cila është formë e njohjes, proces/mjet. Aplikimi i drejtë i kategorisë, prodhon kritikën shkencore, mendon teoricieni ynë.
Rugova mbron natyrën dyfishe të kritikës letrare: statusi njohës (gnoseologjik) dhe vlerësues (aksiologjik). Principi kritik përmbushet duke kaluar nga njohja te vlerësimi.

Kritika letrare atribuon kuptimet. Ēdo interpretim është një mundësi interpretimi. Kuptimi i prodhuar (vepra) dhe kuptimi i atribuuar (interpretimi) s´kanë si të përputhen në të gjitha pikat. Vepra hesht, Intereptimi bëhet zë i saj. Kritika moderne, duke njohur fiaskon e kritikës tradicionale në kërkimin ekskluziv të kuptimit të implikuar, bëhet atribuuese. Argumentimi i referohet atribuimit e jo kuptimit të implikuar. Argumentimi shpie te konceptet “që përfaqësojnë përvojën interpretuese dhe përvojën krijuese”. Pra, përvoja interpretuese del nga përvoja krijuese në procesin e atribuimit të argumentuar të kuptimeve. Atribuimi, në esencë, është produkt i leximit të gjuhës në planin e dytë (si konotacion) dhe i aktivizimit të strukturës së thellë të tekstit, i mbushjes së kësaj strukture me kuptime. Kritika, e kryqëzuar me semantikën, kërkon e interpreton fushën e konotimit tekstor.

Jeta e kritikës është e barabartë me lirinë e kritikut, me shumësinë e kërkimeve. Rugova gjykon monizmin në kërkimet letrare, si skematizim që pamundëson individualitetin.
Mjeti kritikë përgjithëson dijen mbi kritikën në e përtej kritikës letrare. Kritika (kategori) është karakterizuesja themelore e kërkimit letrar dhe e kërkimit të shkencave humane përgjithësisht. Të kritikosh, do të thotë të vësh në krizë. Vënia në krizë prodhon debatin. Debati siguron thyerjen e skemave, përjashton normativitetin final, shtyn dijet përpara. “Është e vërtetë shikuar në aspektin sociokulturor se kritika është treguesi më i mirë për stabilitetin e një shoqërie. Pra aty ku ka liri, ka edhe kritikë, e ku ka kritikë ka edhe liri. Dhe, shoqëritë e meset e ndryshme që janë të ndieshme ndaj kritikës, dëshmojnë se ende nuk janë të zhvilluara në frymën e tolerancës dhe kufizojnë me dogmatizmin. Prandaj duhet kuptuar njëherë e përgjithmonë se gjërat dhe ēështjet e ndryshme duhet të shikohen në mënyrë më demokratike. Për ta përforcuar këtë po shprehemi me një mendim paradoksal të Roman Jaboksonit se, uniteti i shkencës, me këtë rast edhe i kritikës, qëndron në diversitet, e jo në pajtimësi siē qëndron uniteti politik, ēfarë do të thotë se fusha e parë hulumton e kërkon, kurse fusha e dytë gjendet në veprim aktual, ku pajtimësia është e domosdoshme. Rezulton: nuk duhet të frikohemi nga mospajtimet e argumentuara në fushën e mendimit, sepse na pasurojnë, po të frikohemi nga pajtimet servile, që sjellin inkuadrimin e të paaftëve në fushën letrare e kulturore.”, konkludon Rugova te Strategjia e kuptimit.

  1. Kritika / Metakritika

Kritika letrare e I. Rugovës, në pikat themelore, është aplikim i teorisë së tij për kritikën. Përgjithnjë, kritika e tij njeh objektin e vet si një differentia specifica.
Duke shkruar, në pjesën më të madhe, për vepra të bashkëkohësisë, Rugova leximin e sotëm (kritikën) e mat me kohën sot. Leximi i parë (kritika) është hyrje e konditë në procesin e formulimit të teorive, ndaj kapërcimi i përhershëm i Rugovës te teorizimet, del krejt i natyrshëm: mbi rrjetin e kritikave për veprat e caktuara, fitohet diskursi që përgjithëson këtë rrjet. Domethënë, kritika, në një nivel të caktuar, aplikon teorinë, ndërsa vetë hap rrugë për teorizime/përgjithësime mbi korpusin e teksteve të vlerësuara, për të synuar të bëhet instrument edhe vetë. Kërkesa e Rugovës për një kritikë argumentuese, përkon me kërkesën për bashkëjetesë ndërmjet Kritikës e Poetikës; relacion në të cilin kritika aplikon principet e poetikës, bëhet diskurs argumentues.

Te Strategjia e kuptimit dhe te Refuzimi estetik procesi që përshkruam përmbushet duke qenë objekt kërkimi një korpus tekstesh; te Vepra e Bogdanit 1675-1685 objekt është një vepër. Te kjo e fundit aplikohet/provohet teoria, ndërsa rezultatet e kërkimit përgjithësohen, për t’u parë të vlershme për letërsinë e tipit të veprës së Bogdanit.
E thënë më ndryshe, Rugova aplikon e provon teorinë dhe nga praktika e kërkimit formulon përgjithësime teorike. Vepra letrare bëhet objekt i teorisë e burim i përgjithësimeve/formulimeve të reja teorike. Pjesën e dytë të librit Strategjia e kuptimit e përbëjnë kritikat recensioniste për poetët: A. Podrimja, Rr. Dedaj, B. Musliu, E. Basha, S. Hamiti etj. Kritika e tillë esencializon vlerësimin.
Po ky tip kritike përbën edhe pjesën e dytë të librit Refuzimi estetik; vetëm se tash bëhen referencë edhe autorë të tjerë dhe, përpos poetë, edhe prozatorë.
Vepra e Bogdanit 1675-1685 hyn në tipin e kritikës që kërkon provën; procedurë që karakterizon diskurset akademike. Zhanri përputhet me diskursin; kemi përpara një studim monografik. Por, Rugova provon se diskurset akademike s’jetojnë pa pasionin e kërkimit. Diskursi i Rugovës te Vepra e Bogdanit… është diskurs i dashuruar (R. Bart). Në këtë diskurs, Bogdani i ngjan Rugovës sa ky Bogdanit.
Rugova rigjen kohën dhe modelin kulturor të veprës së Bogdanit, në shembullin e Kurtiusit, jep gjenetikën e veprës, duke paraqitur, përshkruar e duke sjellë informacione; analizon e interpreton tekstin në principin srukturalist/semiotik të R. Bartit.
Vepra e Bogdanit analizohet si shfaqje e retorikës së Mesjetës, nëpërmjet një Retorike të strukturës. Ndërsa, interpretohet në principin e Semiologjisë së diskurstit. Lënda e Retorikës së vjetër është bërë objekt i Retorikës së re.

Përfundimisht, format e kritikës letrare të I. Rugovës janë: recensioni e kritika introduktore, kritika procesuale, kritika eseistike e kritika akademike. Në varësi me formën, merr ngjyrë edhe diskursi i tij: forcohet ose reduktohet statusi vlerësues.

Titulli Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983 përcakton objektin themelor dhe shtrirjen e kërkimit. Rugova ka përpara gjithë kritikën shqipe dhe bën objekt kahe e premisa të saj. Kahe ka kuptimin e orientimit, interesimit, ndërsa premisat janë pikënisjet teorike dhe rezultatet e kritikës. Duke gjykuar se ta interpretosh kritikën, do të thotë ta interpretosh letërsinë me ndërmjetësim, Rugova aplikon periodizimin e letërsisë shqipe tash në fushën e kritikës. Kështu, kahet themelore të kritikës vihen në kohë, ndërsa premisat kushtëzohen nga kahet.
Koha e shpie kërkimin te kontekstet sociokulturore; kahet te fenomenet; premisat te shtrati teorik i fenomeneve.
Përballë distinksionit, të pranuar, ndërmjet historisë së kritikës e teorisë së kritikës, Rugova kryqëzon këto principe e domene. Te studimi i tij, kërkimi diakronik identifikohet me sistematikën: leximi i teksteve sipas rendit kohor të shfaqjes.
Te Kahe dhe premisa…, Rugova paraqet, përshkruan, karakterizon e komenton, d.m.th. pozicionohet, prandaj edhe vlerëson. Pozicionimet e tij, në rend të parë, janë karakterizime të mëtejme të objektit dhe rrallë shqiptohen mospranime, meqë ai lexon kritikën duke pasur parasysh modelin kulturor e sociokulturor të shfaqjes së saj. Që të eksplikohet më tej: Rugova nuk e gjykon kritikën e djeshme nga sot, ndërsa kur ka përpara kritikën bashkëkohore, redukton maksimalisht vlerësimin dhe përshkruan e karakterizon. Proceduralisht, kërkimi metakritik i Rugovës: paraqet, përshkruan, komenton, vlerëson dhe argumenton, gjithnjë duke pasur për burim tekstet-objekt dhe teorinë e kritikës (instrument).
Kahe dhe premisa… është sprova më e gjerë e I. Rugovës dhe sprova më e gjerë metakritike në kërkimet shqipe. Ky libër është bërë referencë themelore në këtë fushë kërkimesh. Është një libër-model.

  1. Estetikë dhe Ideologji

Diskursi eseistik/teorik i Rugovës përherë prek ēështje aktuale, të ndieshme. Rugova ballafaqon pikëpamjet e kundërta dhe vlerëson ato. Pozicionimet e tij përcillen nga argumente, të cilat vetiu përfaqësojnë pikëpamje autoriale, prandaj propozojnë zgjidhje. Pikëpamjet autoriale të Rugovës artikulohen duke u matur me referencat, me dijen mbi ēështjen e diskutuar.
Në këtë pikë, do t’u referohemi dy teksteve të tij: Një korrektor estetikoteorik (Kah teoria) dhe Refuzimi estetik (nga libri me po këtë titull), në të cilët Rugova rivë, mbron e afirmon distinksionin ndërmjet Estetikës e Ideologjisë/Politikës. Ky është një problem i moēëm e i ri, me fillesë te filozofia e Platonit dhe ajo e Aristotelit. Prapa emrit të Platonit vihet estetika ideologjike, e artikuluar fuqishëm te Republika, ndërsa prapa emrit të Aristotelit estetika ontologjike. Estetika ideologjike e zhvendos objektin estetik në fushë të sociales dhe të ideologjisë; studimet sociologjike/sociologjizuese e ideologjike/ideologjizuese të artit.
Estetikën ideologjike Rugova e sheh të shtrirë nga Antika te shek. XX, te Sartri e Lukaēi. Kërkesë e përhershme e saj është vënia e artit/letërsisë në funksion social/ideologjik/politik. Kjo është kërkesa për art/letërsi të angazhuar, e skematizuar fundësisht te letërsia e realizmit socialist. Letërsia e realizmit socialist, si teoria/kanoni i saj, është produkt i ideologjisë, ndaj vihet në funksion të ideologjisë. Letërsia e tillë e humbet funksionin estetik.
Estetika ideologjike e realizmit socialist, duke e thjeshtëzuar skemën fundësisht, kanonizoi tipologjinë bardh e zi: në një anë “letërsia përparimtare”, në tjetrën “letërsia reaksionare”. Rugova vihet përballë skemës së tillë, duke njohur autonominë e qenësisë e të objektit estetik. Kështu ai shtyhet tek estetika ontologjike.
Konturat e estetikës ontologjike i dha Aristoteli, duke ndarë të bukurën (estetika, arti) nga e mira (etika). Estetika ontologjike njeh objektin estetik, aktin estetik dhe efektin estetik (si produkt të tyre). Atributi i përsëritur (estetik) pas objektit, aktit e efektit shenjon domenin (estetika), natyrën/funksionin e artit dhe refuzon ideologjinë. Refuzimi i tillë është shtruar e trajtuar sërish, më gjerësisht e më thellë, tek eseja e njohur Refuzimi estetik.

“Refuzim do të thotë të mos pranosh, të mos pranosh atë që të imponohet, e kjo varet nga qëndrimi personal dhe nga ia i përgjithshëm”. Kjo është fjalia e parë e esesë Refuzimi estetik; një përkufizim/konkluzion dhe një ēelës për ta lexuar tekstin. Refuzimi është alternativë e pranimit, vënë përballë imponimit, i cili prek të gjitha sferat e jetës së njeriut.
Letërsia, si artet, është sistem autonom. Autonomia e tillë sigurohet nga refuzimi estetik, i cili buron nga vetë kjo autonomi. Ndërsa, autonomia bëhet e mundur nga qenësia estetike e veprës letrare. Refuzimi estetik, tradicionalisht, realizohet me kategori të brendshme, si: satira, sarkazma, grotesku etj. Kategoritë e tilla konstituojnë atë që do ta quaja Estetikë të refuzimit.
Qenësia estetike mban letërsinë gjallë, funksionale dhe me ndikim jetëgjatë përballë politikës, shtetit e pushtetit. Refuzimi estetik është manifestim i brendshëm i kësaj qenësie, përballë jashtësisë përplot imponime.
Rugova skicon raportin politika – letërsia në kohë të ndryshme, për të arritur te konkluza se ato përherë janë “dy fusha të kundërta, të ndara”. Politika do ta kufizojë e ta kontrollojë letërsinë, ndërsa kjo e refuzon, për të jetuar më gjatë se politika. Politika lidhet me një kohë; letërsia shkon përtej kohës së shfaqjes dhe jeton e ndikon në përputhje me mjaftueshmërinë/manifestimin e qenësisë estetike. Politika është veprimtari pragmatike. Letërsia është qenie estetike.
Politika mund të zhvillojë diskurs represiv në relacion me letërsinë. Letërsia mbrohet e ekziston në vete nëpërmjet refuzimit estetik.

  1. Shekulli i Ibrahim Rugovë
    Rugova është një nga themeluesit e kritikës letrare moderne në Kosovë. Megjithatë, Rugova mbetet figurë me të cilën, më shumë se një shkollë e kritikës, identifikohet një mënyrë e të menduarit, një model/qark kulturor: Prishtina e viteve ’70-të të shek. XX. Qarku kulturor i Prishtinës ka modelin e vet letrar, të përfaqësuar fuqishëm nga A. Pashku, A. Podrimja, Z. Rrahmani etj.; modelin kritik, me autoritet themelor S. Hamitin. Rugova bën bashkë e përfaqëson këto modele, në cilësinë e mendimtarit, ndaj fjala për Rugovën është fjalë për ikonën e qarkut.
    Ky qark tashmë ka krijuar trashëgiminë e vet në fushë të krijimit e të mendimit.

Brezi i Rugovës, përballë ideologjisë mbi literaturën, krijoi ideologjinë e literaturës; mendimin që buron nga literatura e që provë e ka vetë atë.
Ēelësi për ta lexuar Rugovën përballë kritikës së kohës është libri Prekje lirike. Ky libër refuzon leximin e jashtëm/sociologjizues/ideologjizues, dominant në kulturën letrare shqipe, dhe provon fuqishëm kritikën si rikrijim të veprës letrare. Aty, normën e leximit e përcakton estetika e tekstit letrar e jo skemat sociale. Veprën e prodhon diskursi letrar; ajo përmbush këtë diskurs, duke qenë një shfaqje konkrete e tij, dhe asnjë strukturë tjetër.
Prekje lirike, një titull figurë në ballë të një libri diskursiv. Prekja është figura e komunikimit; lirike është atributi që shenjon komunikimin subjektiv, të butë (lirik) me tekstin letrar. Për të dalë nga paradoksi, këtë titull do të duhej ta lexonim si shenjues të diskursivitetit të relativizuar, të kryqëzuar me diskursin letrar e shpesh të tretur në këtë diskurs. Prekje lirike është figura e komunikimit me tekstin në mungesë distance. Subjektivizmi shpallet “ideologji” e interpretimit.
E përbërë nga lexime krejt personale, Prekje lirike është kritikë letrare e një poeti. Subjekti është hapur plotësisht përpara teksteve, për t’i hapur ato. Ēdo shenjë e tekstit, qoftë emocioni, qoftë retorika, qoftë interpretimi, ruan e reflekton natyrën e subjektit.
Diskursi i Rugovës, duke relativizuar kufirin ndërmjet tekstit letrar e tekstit diskursiv, provon diskursin letrar si amëz të metadiskurseve.
Prekje lirike mban tekstet me të cilat Rugova hyri në botën e komunikimeve letrare, duke qenë krejt i hapur. U bë sistematik te Kah teoria e tutje. Ai nisi jetën në letërsi si Krijues, e vijoi si Rikrijues dhe e mbylli si Klasifikues/Sistematizues.

Duke karakterizuar përfundimisht:
Rugova teorizon e propozon studimin e specializuar të letërsisë.
Diskurin e tij e shoqëron përherë një fill përgjithësues, prandaj universalizues.
Të gjitha trajtat e kritikës letrare vihen në funksion të njohjes e të vlerësimit të veprës letrare. Rezultatet e kërkimit, nga këtu, mundësojnë diskursin teorik/përgjithësues. Kjo ilustron kërkesën e përhershme të Rugovës për t’u marrë me fenomenet.
Në diskursin e pastër kritik, Rugova kërkon stukturat, pastaj interpreton, në fund vlerëson.

Vepra e I. Rugovës është një nga trashëgimitë e mëdha të modernitetit shqiptar. Duke reflektuar veten përtej kohës së shfaqjes, vazhdon të jetë një determinuese e gjallë e kërkimeve letrare te ne. Ajo ruan e reflekton frymën e mendimtarit e të njeriut Ibrahim Rugova. Reflekton natyrën e hapur të Njeriut dhe asketizmin e thellë të Mendimtarit.
Vepra është shenjë ideale e identitetit. Një idealitet i obejktivuar. Ajo mban gjallë Autorin; pse jo edhe Njeriun.
Vepra e Rugovës tashmë po bëhet objekt studimi. Kjo është edhe një shenjë se ajo po shndërrohet në vepër klasike. Vetëm veprat e tilla mbeten gjallë.
Një vepër klasike më s’mund quhet Zbulim, por Vlerë, Identitet.
Unë, sot, vetëmsa po tërheq vëmendjen: Jetojmë në Shekullin e Ibrahim Rugovës.

Duke karakterizuar përfundimisht:
Rugova teorizon e propozon studimin e specializuar të letërsisë.
Diskurin e tij e shoqëron përherë një fill përgjithësues, prandaj universalizues.
Të gjitha trajtat e kritikës letrare vihen në funksion të njohjes e të vlerësimit të veprës letrare. Rezultatet e kërkimit, nga këtu, mundësojnë diskursin teorik/përgjithësues. Kjo ilustron kërkesën e përhershme të Rugovës për t’u marrë me fenomenet.
Në diskursin e pastër kritik, Rugova kërkon stukturat, pastaj interpreton, në fund vlerëson.

Vepra e I. Rugovës është një nga trashëgimitë e mëdha të modernitetit shqiptar. Duke reflektuar veten përtej kohës së shfaqjes, vazhdon të jetë një determinuese e gjallë e kërkimeve letrare te ne. Ajo ruan e reflekton frymën e mendimtarit e të njeriut Ibrahim Rugova. Reflekton natyrën e hapur të Njeriut dhe asketizmin e thellë të Mendimtarit.
Vepra është shenjë ideale e identitetit. Një idealitet i obejktivuar. Ajo mban gjallë Autorin; pse jo edhe Njeriun.
Vepra e Rugovës tashmë po bëhet objekt studimi. Kjo është edhe një shenjë se ajo po shndërrohet në vepër klasike. Vetëm veprat e tilla mbeten gjallë.
Një vepër klasike më s’mund quhet Zbulim, por Vlerë, Identitet.
Unë, sot, vetëmsa po tërheq vëmendjen: Jetojmë në Shekullin e Ibrahim Rugovës./Gazeta Observer