( Baba dha shpirt më 13 maj 1999, tre ushtarë e vranë në kopsht )

Baba gjithmonë
zgjohej herët
ushtarët e zi e gjetën
duke  kositur bar
për qingjat

Nëna thotë ta ketë parë
kur e kanë çua në kopsht …

Më kujtohet
vetë e kam pas thyer
dheun e kopshtit
ku i ka pasë mbjellë
dhjetë trupa mollësh
dhe nje ftua

Para se të biem me fjetë
natën e fundit
“Hejo”- më  tha:
“S’ ka  shteg vere këtë verë”

” Hejo ” ka qenë emri i nënës
” Hejo ” edhe i babait
ata kurrë njëri-tjetrin
nuk e kanë thirrë në emër

Tre ushtarët e zinj
e kanë çua ne kopsht
” Pse nuk je rrua” e kanë pyet
Babai ka qenë natyrë e butë
dhe ka qeshur
e di pse ka qeshur
gjithmonë kur nuk i pëlqenin pyetjet
qeshte
thoshte ” ani, ani ” …

Në Ballkon kam qenë
thotë nëna
kur e kanë vrarë

Babai kishte dhjetë fëmijë
një më pak se kopshtin
që e pati mbjellë …
Dhe asnjëri nuk kemi qenë
kur ka dhënë shpirtë

Krejt ditën i kthyer
përmbys mbi barin e kositur

Vonë pas mesnate
dy ushtarë zbritur nga mali
e kanë varrosur afër dritares
nga e cila
çdo mëngjes shikonte
a është shkrirë bora
në bjeshkë