Faton Mehmetaj

Sot në Muzeun Kombëtar të Kosovës, në Prishtinë, e vizitova fotoekspozitën e përgatitur nga Shoqata Shqiptare e Muhaxhirëve Mbarëkombëtar, me titull: “140 vjet nga dëbimi i shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit”, mbështetur nga Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Ministria e Kulturës.
Posa hyra në ekspozitë m’u kujtua George Freed Williamsi, amerikan, i cili e kishte shkruar librin “Shqiptarët”, i cili ndër të tjera thotë:

“Shqipëria ishte shteti më i madh në Mesdhe, nga se kishte 92.000 km2. Fuqitë e Mëdha duke e përkrahur Perandorinë Osmane dhe shtetet fqinje ekspansioniste, e cunguan, ia shkëputën, e qethën dhe e sakatuan territorin e Shqipërisë duke ia marrë dy të tretat, d.m.th 64.000 km2 dhe e lanë me 28.500 km2”.

Aty e pashë një hartë të katër vilajeteve shqiptare, ku Nishi e shumë vende të tjera ishin pjesë e Vilajetit të Kosovës. Pranë saj ishte një hartë tjetër e Shqipërisë që paraqet një shembull unikat në botë, shtetin që në të gjitha anët kufizohet me popullin e vet.

Sanxhaku i Nishit, siç theksohet edhe në dokumentet e shkrimet e vjetra të historianëve e shkrimtarëve të vjetër bizantinë, grekë, romakë, etj., banohej prej mijëra vjetësh me shqiptarë, përkatësisht paraardhësit e tyre iliro-dardanë, që e përbënin 90 % të popullatës së këtij territori. Popullata shqiptare aty u rezistoi mijëvjeçarëve, por në vitet 1877/1878 iu dha një goditje vdekjeprurëse, nga ushtria dhe xhandarmëria serbo-ruse, të cilët me dhunë, vranë dhe dëbuan masovikisht popullsinë autoktone shqiptare të 746 fshatrave, që e përbënin popullsinë shumicë të Nishit, Prokuples, Leskovcit, Toplicës, Vrajës, etj., që e përfshinte një sipërfaqe prej rreth 11.000 km2.

Shqiptarët e dëbuar nga Sanxhaku i Nishit ngado që kanë shkuar e ruajtën autoktoninë, doket, zakonet dhe traditën e tyre. Ata janë shpërndarë në trojet shqiptare dhe njihen në popull si muhaxhirë, por Sanxhakun e Nishit dhe Nishin s’e kanë harruar kurrë, emrat e fshatrave që i lanë pasë, i mbajnë si mbiemra dhe herdokur mendojnë për t’u kthyer në trojet e veta. Për këtë ata i kanë tapitë dhe dokumentacionet e shumta që i ruajtën si sytë e ballit ndër shekuj, një pjesë prej tyre të paraqitura edhe në këtë fotoekspozitë.

Dokumentet dhe materialet tjera në këtë fotoekspozitë tregojnë qartë për autoktoninë e këtyre banorëve shqiptarë, por edhe dëshmojnë me dokumente origjinale të kohës dëbimin masiv, vrasjet në masë, djegiet, shkatërrimet, grabitjet dhe uzurpimet e pronave dhe pasurisë së tyre nga ana e ushtrisë dhe pushtetit serbo-rus të asaj kohe, të cilën pasuri ata po e shfrytëzojnë edhe sot. Dokumentacioni i paraqitur në këtë fotoekspozitë shtron qartë kërkesën e inicimit të proceseve ndërkombëtare për fillimin e trajtimit të këtij problemi për rikthimin dhe risistemimin e banorëve të territorit të Sanxhakut të Nishit në hapësirat e veta, në tokat e veta, për të cilat i posedojnë tapitë origjinale të asaj kohe. Kësaj fotoekspozite disi mu duk se i mungonte diçka, portreti dhe biografia e Konstandinit të Parë, i lindur në Naissus (Nish), i cili pos tjerash e themeloi në vitin 330 qytetin Konstandinopolis (Konstandinopojën) Stambollin e sotëm, që është edhe një tregues tjetër se parardhësit tanë e kanë udhëhequr botën e civilizuar, kur të tjetër ishin përtej karpateve.
Këto nisma kërkojnë edhe iniciativa tjera dhe mbështetje të vazhdueshme nga klasa intelektuale e politike. E drejta e shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit për t’u kthyer në trojet e veta është e patjetërsueshme. Ajo do të ndodh nëse ata kanë vetëm pak vullnet për t’u kthyer dhe për t’i populluar prapë ato treva të boshatisura me dhunë prej vitit 1877/1878.

Fotografia e Faton Mehmetaj