Njeriu të cilit Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ia besoj fatin e liberalizimit të vizave për 1.8 milionë banorë, Shpejtim Bulliqi edhe ligjërisht është shpallur uzurpator i pronës publike.

Gazeta Fjala ka siguruar dëshmi se Drejtoria për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Podujevës dhe Agjencioni Kadastral i Kosovës, kanë dëshmuar me prova se kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi ka uzurpuar parcelën e tokës në sipërfaqe prej 985 metër katror.

Në këtë parcelë, profesori, siç i referohet kryeministri Haradinaj, ka ndërtuar edhe shtëpi.

Edhe më shqetësuese në gjithë këtë histori të personazhit tashmë më të njohur në Kosovës, Bulliqi, është se edhe shtëpia e tij dyshohet që nuk ka leje ndërtimi.

Për këtë të fundit nuk është arritur të sigurohet dëshmi, por burime brenda komunës kanë thënë se nuk ka mundësi të pajiset me leje ndërtimi askush derisa prona është në kontest ose dyshohet se është pronë e paligjshme.

Se prona ku ka ndërtuar shtëpinë Bulliqi dhe toka afër saj janë ne pronësi të komunës dhe se ai po vazhdon t’i shfrytëzojë pa ndonjë marrëveshje me komunën, këtë e ka konfirmuar  drejtori i Drejtorisë për Prone, Kadastër dhe Gjeodezi në Podujevë, Abaz Llugaliu.

“Me aktvendim të Drejtorisë për Pronë Kadastër dhe Gjeodezi (DPKGJ), Bulliqi është shpallur uzurpues i një pjese në sipërfaqe prej 985m2, të njësisë kadastrale parcelës P-71712047-00579-1, në sipërfaqe prej 15,660m2 me kulturë bujqësor- kullosë”, ka thënë Llugaliu.

Kundrejt këtij vendimi të kësaj drejtorie, Llugaliu ka thënë se Bulliqi është ankuar në Agjencionin Kadastral të Kosovës, por se kjo ankesë i është refuzuar.

“Pala ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës në shkallë të dytë në Agjencionin Kadastral të Kosovës, ku në afatin ligjor i është refuzuar ankesa dhe është vërtetuar aktvendim i shkallës së parë të DPKGJ-së”.

Por, se a e ka kundërshtuar edhe aktvendimin e Agjencionit Kadastral të Kosovës, për këtë nuk janë në dijeni as në Komunën e Podujevës. Madje në këtë institucion thonë se kjo është arsyeja se pse ende nuk është ngritur ndonjë proces gjyqësor kundrejt Bulliqit.

“Nuk kemi të dhëna nëse pala e ka shfrytëzuar të drejtën e kundërshtimit të Aktvendimit të AKK-së në Gjykatën themelore në Prishtinë Departamenti për konflikte administrative. Nuk do të ngrisim proces gjyqësor, derisa të vërtetojmë nëse pala e ka shfrytëzuar të drejtën e kundërshtimit të aktvendimit të DPKGJ në Gjykatën Themelore për konflikte administrative”, ka deklaruar Llugaliu.

Gazeta Fjala ka kontaktuar me kryesuesin e komisionit ndërshtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi që të marrë deklarimin e tij lidhur me këtë rast, mirëpo Bulliqi sa herë që është kontaktuar në momentin që ka marrë vesh arsyen e telefonatës, ka thënë se është në takim zyrtar dhe më pas nuk ka qenë i qasshëm.

Përveç kësaj, ai nuk është përgjigjur as në pyetjet e dërguara në adresë elektronike.
Këtë pronë të komunës, Bulliqi e kishte llogaritur si të veten edhe në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, në kohën sa ishte deputet. Aty ai ka treguar se ka mbi vete shtëpi 120.00 m2 vlera e të cilës është 20,000.00 euro.

Para një viti është raportuar fillimisht se Bulliqi del të ketë 21 ari tokë në shfrytëzim, pronë të shtetit dhe se pikërisht në këtë pronë ai ka ndërtuar edhe shtëpinë, ku banon së bashku me familje.