Vetëm katër ditë më parë Rexhep Çelikut do ta shihnim në hollin e institucionit të Presidencës, teksa Ilir Meta do t’i jepte dekoratën e lartë të “Nderit të Kombit”, por mesa duket krijuesi e ka kërkuar lart, pasi mjeshtri i valleve ka humbur këtë të premte jetën.

Rexhep Çeliku vdiq në moshën 63 vjeçare pas betejës me një sëmundje të rëndë. Zemra e tij pushoi në orën 02:30 të orëve të para të kësaj dite.

Ai ishte solist i parë i Ansamblit të këngëve dhe valleve. Meta e dekorioi katër ditë më parë me motivacionin “Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”.