Vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të shërbyesve civil prej katër për qind nga fillimi i këtij viti po kundërshtohet fuqishëm nga sindikalistët e arsimit në vend.

Kryesindikalisti i Arsimit, Rrahman Jashari, ka deklaruar se mësimdhënësit nuk e pranojnë vendimin e ekzekutivit për rritjen e pagave prej 4 për qind, madje ai nuk e përjashton mundësinë e fillimit të grevave nga punonjësit e këtij sektori.

‘Besoj që do të ketë edhe greva, nëse nuk merren parasysh kërkesat tona’, ka thënë Jashari për ‘zëri’.

Ai sqaron se të gjitha federatat, që janë pjesë e Bashkimit të Pavarur të Sindikatave të Kosovës (BSPK), janë pajtuar se do të ndërmarrin veprime të përbashkëta, në mënyrë që të jenë zë më i fuqishëm për plotësimin e kërkesave të punëtorëve kosovarë.

Mësohet se për shkak të mosplotësimit të kërkesave të mësimdhënësve, përfaqësuesit e këtyre të fundit janë pajtuar që fillimisht të organizohet një grevë një orëshe në arsim dhe nëse nuk u plotësohen kërkesat, atëherë të vazhdohet me grevë një javore.