Ti, nuk mund të jesh imja, e gjitha,
Ndryshe do ishe një grua, si të tjerat.
Që kafshojnë pa zë, germa të trishta,
-Jam e tij!-dhe i harrojnë dhe emrat.

Ti s’mund të jesh imja në çdo detaj,
Ndryshe bëhesh hartë me hieroglife.
Ku do firmosja në fund:-Burri i saj,
E pastaj do të mbyllja në një shishe.

Ti s’mund të jesh imja në çdo pjesë,
Ndryshe si barbarët që nisen në luftë.
Do t’i vringëllija armët mes për mes,
Të pushtoj një pllajë, kodër, a skutë.

Ti, nuk mund të jesh imja, e gjitha,
Ndryshe ti do ishe veç një gënjeshtër.
Vërtet s’mund të jesh imja në grimca,
Po asnjë grimcë jotja, s’ka zot tjetër!