Jetëgjatësia e të tilla veprave është e lidhur ngushtë me popullaritetin e subjektit, domethënë, kur ky popullaritet të ketë rënë, në këtë rënie merr me vete edhe veprën. Një rast tipik në këtë drejtim janë edhe romanet e Dan Brown-it, që ndjekin njëri-tjetrin në një cikël të rregullt joshës, si një skemë e kopsitur marketingu. Romanet e tij kanë në qendër një të ashtuquajtur “sekret” (botëror, natyrisht), ose konspiracionin (një zhanër i llojit të vet), ku ndjeshmëria është shumë e lartë.

Nga Edison Çeraj

Subjekti i një vepre arti mund të kthehet kollaj në një kurth kur ai gëzon ndjeshmëri të madhe publike dhe autori pëson një joshje të menjëhershme, e cila përkthehet shpejt në vepër, pa kaluar më parë filtrin e përjetimi burimor, pra pa e ndarë fillimisht me veten.

Në veçanti gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX e në vazhdim ka shumë autorë të cilët zgjedhin një subjekt të kësaj natyre, që, siç thuhet, e ka të garantuar suksesin; apo një subjekt që përbën lajm, njësoj si ajo çudia që – sado e madhe të jetë – zgjat vetëm tre ditë.

Jetëgjatësia e të tilla veprave është e lidhur ngushtë me popullaritetin e subjektit, domethënë, kur ky popullaritet të ketë rënë, në këtë rënie merr me vete edhe veprën.

Një rast tipik në këtë drejtim janë edhe romanet e Dan Brown-it, që ndjekin njëri-tjetrin në një cikël të rregullt joshës, si një skemë e kopsitur marketingu. Romanet e tij kanë në qendër një të ashtuquajtur “sekret” (botëror, natyrisht), ose konspiracionin (një zhanër i llojit të vet), ku ndjeshmëria është shumë e lartë. Një vepër e tij bën “xhiron e botës” (i përkthyer në afro 60 gjuhë) ose “skandal” për rreth një muaj, dhe më pas është njësoj sikur të mos kishte ekzistuar kurrë.

Pra, Dan Brown-i është i mirënjohur sot jo për vështrimin e tij mbi këtë apo atë subjekt/temë, por nga vetë subjekti/tema që përvetëson. Brown-i është i famshëm kur ia përmend emrin, në të kundërt asnjë nuk kujtohet për të.

Krejt ndryshe ndodh me ata autorë që Koha u ka dhënë një vend nderi në panteonin e trashëgimisë njerëzore. Këta autorë, në pjesën më të madhe të rasteve e nisin një subjekt nga hiçi, në kuptimin që nuk marrin një temë apo çështje të ashtuquajtur sensitive, apo provokuese, apo tronditëse, për të cilën janë në dijeni të gjithë. Don Kishoti, Hamleti, Ana Karenina, Raskolnikovi, Xha Gorioi, Robinson Kruzoja, Jozef K. e shumë të tjerë nuk kanë ekzistuar më parë; ata u bënë të mirënjohur falë ngjarjes dhe fatit ku i kanë vendosur autorët përkatës. Ne identifikohemi me ta ngaqë i drejtohen një të vërtete të harruar apo të shtrembëruar në qenien njeri, dhe jo një çështjeje jashtë nesh e cila na tërheq aty për aty e më pas nuk mbetet asgjë. Këtu mund ta bëjmë fare lehtë dallimin mes atyre autorëve që i drejtohen njeriut dhe atyre që i drejtohen publikut.

E thënë ndryshe, ata e krijojnë subjektin nga hiçi ose një subjekti paraprak i japin një përmasë tjetër që nuk e ka pasur më parë.

Natyrisht që ka autorë që bëjnë subjekt të veprës së tyre ngjarje apo personazhe realë nga e kaluara, por po ta shohim me kujdes ata i zbrazin ngjarjet apo personazhet nga ngarkesa sasiore që ushtron disiplina e historisë për t’u dhënë një ngarkesë cilësore, që është thelbi i letërsisë.

Për shembull, Troja për të cilën na rrëfen Homeri është krejt tjetër nga Troja për të cilën flet Schliemann-i apo arkeologë a historianë të tjerë.

Duhet thënë se si qasja historike ashtu dhe ajo artistike mbi një dukuri apo personazh kanë rolin e tyre për sa i takon asaj që quajmë njohje. Por, edhe të bësh dallimin midis këtyre dy njohjeve është përsëri njohje.

Me sa duket, ai që e merr guximin për të shkruar ose ka vërtet diçka të qenësishme për të ndarë me të tjerët ose shtyhet nga budallallëku. Në njëfarë mënyre këto janë dy shtysat kryesore. Një nga karakteristikat e budallait është se nuk ka turp, dhe siç thuhet në një thënie profetike, kur njeriu nuk ka turp mund të bëjë çdo gjë, madje edhe “art”. Në art budallallëku bën beli më shumë se kudo tjetër. Beckett-i shkruante se “mënyra më e mirë për të shfaqur budallallëkun është të merresh me art”, sepse ose do bësh diç për të qenë, ose do lësh kokrrën e namit.

Pikërisht mungesa e ndjenjës së turpit ka shkaktuar edhe sëmundjen e pashërueshme që njihet si guximi i budallait. Është e pashërueshme ngaqë ai apo ajo që vuan nga kjo sëmundje jo vetëm që nuk e ndjen e nuk e sheh si sëmundje, por e pandeh veten të veçantë, “ndryshe”. Pasojat më të rënda të kësaj sëmundjeje hasen në letra, te fjala e shkruar, sepse kjo e fundit, nëse shtypet, mbetet përgjithmonë; dhe, mbi të gjitha, nuk prek anën fizike, por atë shpirtërore e mendore të lexuesit.

Sikur këta autorë ta dëmtonin lexuesin vetëm duke i marrë kohën, të cilën mund t’ia kushtonte një autori që e ka kaluar provën e Kohës, kjo do të mjaftone si shqetësim. Por, siç e dimë, ata shkaktojnë dëme shumë më serioze, ku një syresh është edhe mbetja në sipërfaqe.

Një prej arritjeve të Umberto Eco-s numërohet edhe krijimi i një çmimi që shkonte për librin më të keq të vitit. Nuk jam i sigurt nëse ka qenë e dobishme kjo nismë, pasi antireklama, në të shumtën e rasteve, është bash reklama më e mirë. E vetmja zgjidhje e qëndrueshme që na mbetet është heshtja, sepse autorë të tillë dënojnë vetveten.