Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sot në Sofje të Bullgarisë me homologun e tij malazez, Filip Vujanoviq.

Lajmin për këtë takim, kreu i shtetit kosovar e ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter.

“Marrëdhëniet midis vendeve tona mbeten miqësore dhe të forta”, ka shkruar ai.

Presidenti Thaçi po qëndron për vizitë në Sofje ku do të marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, si dhe në konferencën e Bankës Botërore që mbahet në Sofie të Bullgarisë.

Atje do të marrin pjesë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Mirko Saroviq, ministër i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjës, Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq dhe kryeminstrja serbe, Ana Brnabiq.

Në këtë takim do të diskutohet për bashkëpunimin rajonal dhe për dinamizmin e procesit të integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.