Gjatë ditës së djeshme është dhënë fjala përfundimtare e prokurorit ndaj katër të akuzuarve, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët dyshohen për sulm në drejtim të objektit të Kuvendit të Kosovës.

Prokurori Abdurrahim Islami, i cili në mbyllje të fjalës së tij ka thënë se provat dhe faktet e prezantuara nga ai në këtë proces gjyqësor, vërtetojnë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale terroriste nga neni 136 i Kodit Penal të Kosovës.

Indeksonline ka kontaktuar avokatin mbrojtës, Tomë Gashi, i cili ka thënë se nga seanca e radhës pret që të akuzuarit të lirohen.

Madje sipas tij, është pikërisht prokuroi ai i cili dje ka publikuar prova që aprovojnë pafajësinë e të akuzuarve.

“Prokurori fjalën përfundimtare që sipas tij aktakuza është e vërtetuar por ai në mënyrë indirekte e ka pranuar se nuk ka asnjë provë direkte për aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Provat kryesore të cilat ai i ka paraqitur gjatë gjykimit në esencë kanë qenë që të gjitha prova shfajësuese për të akuzuarit meqenëse nuk është vërtetuar në asnjë formë mundësia e implikimit të tyre në gjuajtjen e ndërtesës së Kuvendit respektivisht në veprën penale për të cilën janë akuzuar. Prokurori provat kryesore të cilat i ka pasur janë prova shfajësuese derisa prokurori ka deklaruar se nga FBI është bërë e ditur se asgjë nuk është mundur të identifikohet lidhur me fajësinë e të akuzuarve. Nuk ka pasur gjurmë të ADN-së as në gishta apo çfarëdo tjetër që është përdorur në gjuajtjen e objektit të Kuvendit, nuk ka pasur asnjë lidhje të telefonatave, apo ndonjë prej provave”, ka thënë Gashi.

Sipas tij në këtë rast, Prokurori në mënyrë jo direkte ka bërë të ditur se janë të pafajshëm.

“Më e dhimbshme dhe e papërmirësueshme është vdekja e Astrit Deharit, ndërsa të gjithë të akuzuarit definitivisht janë të pafajshëm për shkak se nuk ka provë me të cilën mund të aprovohet fajësia e tyre”, ka shtuar Gashi.

Të premten me 17 nëntor pritet që trupi gjykues të marrë vendimin përfundimtar lidhur me të akuzuarit.