Donald Trump ka ndryshuar me sa duket qëndrimin për të takuar këshilltarin e posaçëm që heton lidhjet e dyshuara midis fushatës së tij zgjedhore dhe Rusisë, duke këmbëngulur se një intervistë e tillë “duket e pamundur”.

Ekipi i hetuesve Robert Mueller thuhet se ka shprehur interesim për të folur personalisht me presidentin amerikan, potencialisht në javët e ardhshme, megjithëse nuk është caktuar ende ndonjë datë.

Të mërkurën i pyetur nëse ai është i hapur për t’u takuar me Muellerin dhe nëse ai do të vendoste disa kushte, Tump iu përgjigj gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë: “Do të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Komentet kanë nënkuptuar një kthesë nga qershori i kaluar, kur presidenti tha se do të ishte “100%” i gatshëm të dëshmojë nën betim për ndërveprimet e tij me James Comey, të cilin ai e shkarkoi si drejtor të FBI’së, raporton “The Guardian”, transmeton Periskopi.

Më pas ai tha për Mueller: “Do të isha i lumtur t’i tregoja saktësisht atë që ju thashë”.

Në konferencën e përbashkët të shtypit të së mërkurës me kryeministrin norvegjez, Erna Solberg, Trump përsëri shprehi pafajësinë e tij.

Presidenti e përshkroi hetimin rus si një “re të rremë”që ka dëmtuar qeverinë dhe si një “mashtrim demokrat” që solli si një justifikim për humbjen e zgjedhjeve nga kampi i tyre.