I namun brenda dhe jashtë barkut; i abortum pse nuk ishte djalë; i varrosun porsalindun; i mutilum gjenitalesh; i djegun në turrë drunjësh e i gjujtun me gurë mali; i përdhunum për së gjalli e për se vdekuni; i rrahun e i mavijosun; i përdorun e i braktisun; i prekun e i shtymë; i përfolun e i shamë; i marrun me zor e i kthym mbrapsht si mall; i zhveshun e i mbytun; i  fshehun e i pagjetun…trupi i grave i ka provu tana tmerret, i ka pa tana makthet.

Nga vendi ma i varfën te ai ma i pasuni; nga ma i prapambetuni tek ma revolucionari; nga Pakistani, India, Sudani, Kina tek Islanda, Suedia, Kanadaja, Shtetet e Bashkume; nga koha ma e largët te data që shënon kalendari në mur, trupi i grave nuk gjen rahati.
Në qendër të ciklopit kulturor, nën sundimin kushtetues të burrave apo nën thembren e imazhit manekin që industria e reklamave përplas nëpër ekrane, kopertina revistash, postera autobuzash,gruaja mposhtet si e huaj në një trup anonim.

 O shumë mbipeshë, o shumë nënpeshë.

O fabrikë fëmijësh, o sterile e dështume.
O shumë trup i mbulum, o tepër i zbulum.
O fundi shumë mbi shalë, o fundi si murgeshë.
O shumë joshës, o hiç eksitues.
O shumë si prostitutë, o aspak sensual.
O shumë e prekun, o virgjëreshë e stazhonume.
O shumë energjik, o tepër i lodhun.
O shumë i parfumosun, o shumë i djersitun.
O shumë i zi, o shumë bardhosh.
O shumë tonik, o shumë i varun.
O shumë leshatak, o tepër i depilum.
O shumë perfekt për me kenë i vërtetë, o shumë natyral për me ra në sy.

Herë i tepërt, herë i mangët, herë shumë shumë e herë shumë pak kjo masë përkryeshmërisht njerëzore prej mishi, gjaku, gjymtyrësh e dinjiteti, në çdo orë të historisë, nuk i shpëton etiketave, bullizmit, paragjykimeve, diskriminimeve, listave të zeza.

I çensurum me pullë të kuqe, i ndjekun nga miliona sy e duar për me eksploru e pushtu çdo centimetër të tijin, shitun masivisht (dhe jo rrallë pa vetëdijen e gruas) si objekt seksual ose si fantazi virtuale për t’i çu gojën lang mesoburrave apo ringjall “zilinë” e shtëpijakeve po aq sa edhe i poetizum si bohçe e jetës, si atdhe i shpresës dhe rikrijimit, i soditun prej jashtë sferës së kristaltë nga ku xhandarmëria vllaznore i ruan nderin, nëse nuk çon përpara si kali karrocën, planin hyjnor për të cilin ekzistenca e tij merr kuptim, ky trup dekompozohet në turp, në plaçkë,në xhind.

Gratë shihen në pasqyrë me sytë e burrave, maten me parametrat e modeleve, zhdukin rrudhat, ia kanë frikën një kohe që po i harron edhe pse i ka përballë. Gratë nuk e dojnë trupin brenda të cilit banojnë përveçse kur brenda tij formohet jeta dhe detyra e saj përmbushet. Përndryshe e mohojnë, e fshehin, e tkurrin siç tkurret një kafshëz e trembun. Ndjejnë siklet nga celuliti, ankth nga dalja ne kostum plazhi, turp nga mestruacionet, nga vetëkënaqësia sepse atje jashtë një turmë të marrësh mezi pret me ia drejtu gishtin e përgjegjësisë. Neglizhojnë vizitat te gjinekologu. Nuk informohen mbi planifikimin familjar. Marrëdhaniet seksuale i shndërrojnë në shërbim seksual. Bahen nana të kukullave, vëllait të vogël, bashkëshortit, fëmijëve…pa udhëtu rreth vetes si vajza e si gra të plota. Nuk janë kureshtare për britmën e trupit. E marrin mbas vetes si barrë apo si mjet për me mbërthy shpejt e lehtë një qëllim.

Por trupi i grave nuk asht as armik i grave, as barrë, as eksperiment shoqnor, as kuti suprizash.
As memec, as analfabet.
As pronë, as faj e as fajtor.

Asht shtëpi e gjallnisë.
Jo turp. Kurrsesi turp.

Nga Ada Halilaj