Nga Ardiana S. Prishtina

Dhuna seksuale gjatë luftës ndaj grave të Kosovës, nuk guxon me u pa veç si nji muhabet politik që duhet me i vnu dyqysh kapak. Diskutimi rreth kësaj, kurrë s’guxon me u leju me degradu në muhabet shifrash që vihen në pytje paturpësisht prej politikanëve, burrave e grave, për me i “pshtu” do pare. Sepse, përderisa kurrgjo nuk mundet me e kompensu dhimbjen që kanë përjetu këto gra, mënyra qysh i trajtojmë mundet me u ndihmu ose jo me u ballafaqu me nji traumatizim që ka plagë të thella. E ma e keqja, mundet me i lëndu edhe ma shum nëse qëllimi nuk matet në vlerat se kush dojmë të jemi si shoqni. Janë plagë që udhëtojnë përtej gjeneratave. E në këto plagë asnji politikan nuk ka të drejtë me hallakatë, që s’asht i interesum me e kuptu mirë temën dhe përmasat e dhimbjes ku po futet.

Dhuna seksuale asht armë lufte. Trajtimi i kësaj duhet të bahet në nivel shtetnor tue e pasë parasysh që këtu jemi tue folë për nji krim të madh, përgjegjësinë për të cilën, hala nuk po e merr kurrkush. Llogari për të cilën në nivel shtetnor, përtej diskursit idiotik të pajtimit që bahet me patetizëm ekstrem të përkuljeve nëpër varreza, nuk e lypi Kosova asnjiherë. Shteti duhet me qenë zani i drejtësisë në mbrojtje të njerëzve t’vet, e gjithashtu zani i kuptimdhanjes së kësaj tragjedie, tue mendu për sot e nesër, e jo me u ba vet nji arsye ma shum pse padrejtësia ndaj viktimave të dhunës seksuale, grave por edhe burrave e në mesin e tyne, fëmijëve gjithashtu, reduktohet veç në nji kompensim financiar për të cilën flitet sikur mungesa e tij asht krejt problemi. Përderisa ky financim asht i randësishëm, shteti duhet gjithashtu me e pasë nji strategji mbarëkombërare të ofrimeve të shërbimeve të ndryshme psiko-sociale që me e ndihmu ballafaqimin me të kalumen përtej diskursit të thatë politik. Shërbime që nuk i ka sot e gati dy dekada. Për arsye që i shohim gjithandej. E ndër to korruptimi i dijes ma shum se ai ekonomik asht qelizë e problemit. Shteti duhet me ofru bazën për shërbime cilësore që duhet me u shtri në krejt shtresat demografike dhe nuk kushtëzohen për evidentime të gjurmëve në palcë. Sepse, ballafaqimi me të kaluemën nuk asht për me u ble me pare, as si kompensim e as si grumbull raportesh e projekteve që kufizohen në pragmatizëm dogmatik. Parja as nuk i kthen të zhdukunit. As nuk i zhdukë plagët e dhimbjeve të atyne që mbijetuen. Parja asht veç nji lehtësim jetese. I nevojshëm, padyshim.

Ftoj politikanët e këtij vendi, me u tutë bre pak kur të dalin me folë për viktimat e dhunës seksuale, e edhe ma mirë mos me folë hiç nëse nuk e kuptojnë temën; mos me dalë në foltore asht çdo herë kontribut ma i madh për drejtësinë, se me dalë e me folë për rrezikun e numrave të fryme e budallakina të tilla. Boll ma! Se po dhemb. Por ftesa jem ma e zashme, asht ftesa me u interesu me e kuptu dhe me u ulë me mendu mirë, që së paku mos të harrojmë që jemi tue folë për njerëz me mish e asht, e me ndjenja, njerëz që jetojnë në mesin tonë, njerëz që i dojmë, njerëz që na dojnë, njerëz që s’na e kanë borxh heshtjen, por heshtën tue u mbytë vet në atë heshtje, për me na mbrojtë neve prej ideve tona shpellare të nerës e fëtyrës e vlerës të atdheut. Por edhe qysh mos me heshtë kur gjetën mes nesh kaq shum paragjykime e hipokrizi; gjetën keqardhje por jo kuptim e kjo ua dha turpin; gjetën mëshirën por jo kuptim e kjo ua dha vetminë.

Asht koha, e besa ka kenë moti, me fillu kjo shoqni ballafaqimin me t’kaluemen me e vu në agjendë ditore të ndërgjegjësimit tonë për nji të ardhme ma të mirë. Tue kuptu. Jo dijtë. Tue kuptu. Dhe tue kuptu krejt bashkë, që përderisa krejt bashkë jena nji dhimbje e madhe historike, krejt bashkë edhe mujna me kenë nji fortesë përkrahjeje e shërimi për njani tjetrin. Tue kuptu. E tue ndje. Qekaq. Sepse, traumat brina s’kanë. Qe qetu në mesin tonë i kemi. Ato janë aty edhe kur nuk shihen. E kurrkush nuk duhet me mbetë vetëm me u ballafaqu me to. E ballafaqimi s’guxon me u pa përmes gilinderave të financave t’shtetit, shtetit që po e vazhdon traditën me u rudhë përballë ma të dobëtit, në të njajtën kohë që fryen qafat e veta. Por duhet me u trajtu përmes kuptimit. Kuptimit për të sotmen, si për të nesërmen; kuptimit për njeriun, si për dhimbjen njerëzore, dhe kuptimit për të vërtetën e paqen. Asht aq thelbësore për të ardhmen tonë. S’ka nevojë as me u thanë. Por çka ka nevojë me u thanë asht se, ballafaqimin me të kaluemen nuk mujna me thanë që e kuptojmë si nevojë për paqe, nëse ajo nevojë nuk asht çka ndjejmë. Zgjidhja asht shoqnore.