Drejtuesi i emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi ka thënë për gazeta blic, se ende nuk dihet nëse do të mbahet debati i paralajmëruar ndërmjet kandidatëve për Prishtinën Arban Abrashin dhe Shpend Ahmetin.“Ende nuk e dimë se a do të mbahet debati, jemi në bisedime”, ka thënë Kelmendi.

Debati në Rubikon është njoftuar se do të mbahet në ora 20:00. Ndërkaq ish-nënkryetari i komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se përkundër angazhimeve të shumta, janë të gatshëm të marrin pjesë në debatin e KTV-së. Shkrimi i tij i plotë: ‘Mbrëmë u mbajt debati i parë mes Kryetarit Shpend Ahmeti dhe kandidatit të LDK-së Arban Abrashi, debat ky që zgjati plot 3 orë. U debatua për 10 tema të rëndësishme të Prishtinës.

Kandidatin e LDK-së e kemi pritur në 4 debate të tjera, në të cilat nuk ka ardhur, dhe tani jemi në ditët e fundit të fushatës, me një axhendë të ngjeshur me tubime e aktivitete.
Si shtab i Kryetarit Shpend Ahmeti, jemi të gatshëm që debatin e radhës ta mbajmë në KTV, dhe jemi në pritje të takimeve për të aranzhuar terminin dhe formatin e debatit që do të mbahet në pjesën e dytë të javës’, tha ai.